Dështimi i seancës konstituive, KDI: Përgjegjësia kryesore bie mbi LVV-në, kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive, si rrjedhojë e mosvotimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave të deputetëve.
KDI në një reagim në Facebook thekson se dështimi i votimit të raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve bëri që seanca konstituive e sotme të ndërpritet.
“Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës së nevojshme dhe realitetit parlamentar.
Ndonëse të gjithë deputetët janë të obliguar të veprojnë në funksion të konstituimit të Kuvendit, mosdorëheqja formale e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat legjislativ ishte faktori kryesor që çoi në dështimin e sotëm të seancës.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat, por është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës”, thuhet në reagim.
KDI tutje thekson se përpjekjet për përfshirjen e Presidentes për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit të Kuvendit, përveçse tërësisht të panevojshme, janë juridikisht të pavlefshme.
“Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari”.
KDI thekson se zgjidhja është e mundur dhe e domosdoshme.
“Vazhdimi i seancës duhet të thirret sa më parë, brenda afatit 48-orësh, për të mundësuar sërish mbledhjen e komisionit të përkohshëm, i cili duhet t’i shqyrtojë dhe verifikojë edhe një herë materialet përkatëse – të cilat duhet të jenë të plota.
Më pas, është përgjegjësi e të gjithë 120 deputetëve që të votojnë pro raportit dhe të japin betimin. Në fund, LVV, si parti fituese, ka obligim të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – përmes diskutimeve, negocimit dhe kompromisit politik – në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për formimin e institucioneve dhe të shmangen zgjedhjet e reja”, thuhet në reagim. /Telegrafi/