Fundamenti

Dështakët e Bundesligës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Bundesliga ka ditur të jetë ‘therrë’ për disa futbollistë shqiptarë. Për arsye të ndryshme, ata kanë dështuar totalisht në kampionatin gjerman, edhe pse pritej se do të ‘dheznin’. Hasani, Ibraimi, Ferati, Sadrijaj e Kapllani janë vetëm disa nga shqiptarët që dështuan në elitën e futbollit gjerman.

Bundesliga është ligë mjaft e pëlqyer dhe e preferuar për futbollistët shqiptarë. Disa prej tyre patën suksese, por një pjesë e tyre dështuan. Rasti i fundit është ai i Ferhan Hasanit. Dikur futbollisti më i mirë në Maqedoni, ish futbollisti i Shkëndisë së Tetovës e mori rrugën drejt Gjermanisë, për t’u transferuar në Wolfsburg.

Trajneri Felix Magath e kishte konsideruar të ardhme të ‘Wolvs’, mirëpo parashikimi i gjermanit nuk doli siç pritej. Sulmuesi shqiptar nuk ‘dhezi’ në Gjermani, duke u aktivizuar shumë rrallë si zëvendësues gjatë këtij sezoni.

Kjo bëri që drejtuesit e klubit nga Bundesliga ta lirojnë përfaqësuesin maqedonas, i cili javën e kaluar e bëri një hap prapa, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Dinamo Zagrebin, ku iu bashkua bashkëkombësve Fatos Beqiraj dhe Arijan Ademi.

Hasani nuk ishte rasti i vetëm i futbollistëve shqiptarë që patën eksperiencë negative në elitën e futbollit gjerman. Në vitin 2011, fat të njëjtë pati edhe Besart Ibraimi. Pasi shkëlqeu në futbollin maqedonas me Renovën, sulmuesi shqiptar më 2010 u transferua në Bundesligë, në ekipin e Schalkes.

KKVITI

Njëjtë si Hasani, 25 vjeçari nuk e gjeti veten në ekipin gjerman dhe pas një sezoni u lirua nga Schalke, për ta kërkuar fatin në Ukrainë, së pari me Sevastopolin, e më pas në Tavriya Simferopol.

Bundesliga ishte ‘therrë’ edhe për Beg Feratin. Dikur mbrojtësi kryesor i Baselit, me të cilin e fitoi një vend në përfaqësuesen zvicerane, futbollisti kosovar e bëri një hap para, duke u transferuar në Bundesligë tek Freiburgu në vitin 2011. Mirëpo, ai përfundoi në bankinë dhe e shfaqi pakënaqësinë e tij, me ç’rast u dënuar nga klubi gjerman dhe shumë shpejt pritet të kthehet në futbollin zviceran, në Basel apo diku tjetër.

Në vitin 2008, Bundesligën e kishte shijuar edhe futbollisti shqiptar Bajram Sadrijaj. Ai shihej si një e ardhme e Borussia Dortmundit, mirëpo një lëndim i rëndë e detyroi atë që ta mbyllë karrierën para kohe.

Në fund, njëri prej dështimeve më të mëdha të Bundesligës është edhe Edmond Kapllani. Sulmuesi shqiptar luajti fantazi në Bundesliga 2 me Karlsruher në sezonin 2006/2007, por kur e provoi ligën më të rëndësishme të futbollit gjerman një sezon më vonë, stagnoi.

Ai u transferua në Augsburg më 2009 ku dështoi totalisht, duke e realizuar vetëm një gol dhe duke shijuar pak ndeshje. Konkurrenca e fortë, lëndimet dhe vështirësitë për t’u përshtatur në ekipet e reja, bënë që futbollistët e lartpërmendur të dështonin në tentimet e tyre për ta treguar veten.