Dëshpërohen pensionistët

Pensionet nga shteti kanë dalë zakonisht më datën 22-23 të çdo muaji vijues, përderisa këtë muaj kur kanë pas të dalin me rritje, ato s’kanë dalë as më datën 24.
Isuf Haliti, të enjten me plot gëzim është nisur nga Lluzhani për në Prishtinë, ta marrë pensionin e këtij muaji, të premtuar me rritje.
Por, me të mbërritur në sportelin e bankës, në të cilën gjithnjë i merr paratë që i takojnë për moshën që ka, Haliti ka mësuar se gjithë rrugën e ka bërë kot.
Bashkë me qindra pensionistë të tjerë është kthyer nga ka ardhur pasi nuk janë ekzekutuar pagesat e pensioneve në datën e pritur.
Në njërën nga bankat komerciale i kanë thënë gazetës Tribuna se deri në orën 17:00 të ditës së enjte nuk janë bërë transferet e parave në llogari të pensionistëve pasi nuk kanë marrë informata nga BQK.
Pensionet nga shteti kanë dalë zakonisht më datën 22-23 të çdo muaji vijues, përderisa këtë muaj kur kanë pas të dalin me rritje, ato s’kanë dalë as më datën 24.
“Unë kam bërë shpenzime që kam ardhur në Prishtinë me shpresën se do ta marrë pensionin. Kjo është marri. Është dashur të na lajmërojnë më herët se do të ketë vonesë”, ka thënë pensionisti Haliti.
Tani ai druan se e gjithë jehona që i është bërë rritjes së pensioneve ka qenë vetëm mashtrim në prag të fushatës zgjedhore.