Dëshmori më i vogël i lirisë, foshnja 3-javëshe që u shua nga mizoria e luftës
Gjilan – Ka dhimbje që nuk maten me fjalë dhe kujtime që nuk zbehen kurrë. Mes mijëra historive tragjike të luftës në Kosovë, rrëfimi për Lirim Shabanin mbetet ndër më prekësit, një jetë që sapo kishte nisur dhe që u ndërpre mizorisht, pa arritur as të njohë botën. Lirimi ishte vetëm tri javësh kur, më 13 prill të vitit 1999, u bë viktimë e dhunës së egër të forcave serbe. Një foshnjë e pafajshme, një frymë e brishtë që nuk i kishte bërë askujt asnjë të keqe, por që u përball me errësirën më të rëndë të kohës.
Vëllai i tij, Urim Shabani, e ka përkujtuar me fjalë që prekin thellë shpirtin, duke e quajtur “dëshmori më i vogël i lirisë” dhe “engjëlli i familjes”.
Në rrëfimin e tij, dhimbja dhe krenaria ndërthuren, duke e bërë kujtimin për Lirimin një simbol të pafajësisë së vrarë dhe të sakrificës së një populli të tërë.
“Në këtë jetë erdhe si dritë, por errësira e mizorisë njerëzore ta ndërpreu frymën ende pa u rritur”, shkruan ai, duke rikujtuar se edhe foshnjat nuk u kursyen nga barbaria e asaj kohe.
Edhe pse jeta e tij ishte e shkurtër, kujtimi për Lirimin mbetet i përjetshëm. Ai prehet në tokën e Kosovës, një tokë e larë me gjak, por edhe e mbushur me histori që nuk harrohen.
Emri i tij vazhdon të jetojë në zemrat e familjarëve dhe në ndërgjegjen kolektive si dëshmi e një padrejtësie të madhe dhe si simbol i pafajësisë së flijuar.
Lirimi nuk arriti të rritet, por u bë pjesë e historisë së lirisë, si dëshmori më i vogël, që kujton përjetë çmimin e rëndë të saj./rajonipress/


