Dëshmitari: Salustro me policë më kanë shantazhuar

Gjithë kohën ka qarë dhe ka mbajtur kokën ulur. Urim Krasniqi, nga Tërpeza e Malishevës nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje të prokurorit italian Mauricio Salustro. Ai madje asnjëherë nuk e ka shikuar atë në sy, ndërsa nuk ka hezituar të shfaqë edhe urrejtjen e tij. “Kurrë sytë mos t’i pafsha”, ka mallkuar Urim Krasniqi, i cili deri të mërkurën ka pasur kodin ‘I’. Ky dëshmitar i prokurorisë ka hedhur akuza drejt prokurorit italian, për të cilin ka thënë se i ka bërë trysni dhe shantazh.
“Ky e din çka më ka ba. U ardhë me policë më ka marrë në shtëpi më ka çu në një mal dhe më ka thënë që të nënshkruaj dokumentet që i ka pasur. Prej presioneve të tij, tash jam keq”, ka thënë Krasniqi, gjithnjë duke qarë. Në procesin gjyqësor në rastin “Kleçka” për të dëshmuar të mërkurën ka pasur dëshmitari ‘I’ por ai ka kërkuar që ta zbulojë identitetin e tij. Dëshmitari qysh në fillim i ka thënë Trupit Gjykues se nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetjeje që ia parashtron prokurori. “Këtij njeriu nuk i përgjigjem në asnjë pyetje”, ka thënë dëshmitari.
As pas përpjekjeve të kryetarit të trupit gjykues, dëshmitari nuk ka pranuar që t’i përgjigjet pyetjeve të bëra. Ky refuzim e ka detyruar trupin gjykues që ta dënojë Urim Krasniqin me njëqind euro, pavarësisht se ai ka pranuar t’i përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes dhe gjyqtarit.(Tribuna)