Dëshmitari i mitur nuk sjell risi në rastin e Gëzim Vitisë
Gjilan – Të hënën ka vazhduar gjykimi ndaj Gëzim Vitisë i akuzuar për shtytje në vrasjen e Egzon Kqikut. Paraqitja e një dëshmitari të mitur ka revoltuar Rexhep Kqikun i cili është larguar nga salla e gjykimit.
Seanca e radhës ndaj Gëzim Vitisë i akuzuar për shtytje në vrasjen e të riut Egzon Kqiku ka filluar me përplasje brenda sallës. Gjithçka ka nisur kur në sallë është propozuar një dëshmitarë i mitur i cili ka deklaruar se Gëzim Vitia nuk e ka kryer vrasjen.
Kjo deklaratë e këtij dëshmitari ka revoltuar Rexhep Kqikun i cili e ka quajtur rrenc dhe manipulues dëshmitarin. “Ky dëshmitarë është ftuar pa dijeninë tonë dhe nuk ka lidhje me rastin. Po e shihni se si po gënjen” ka thënë Kqiku i cili më pas është larguar nga salla e gjykimit nga ana e policisë.
Edhe Agron Uka përfaqësues i Prokurorisë tha se dëshmitari i sotshëm nuk ka thënë asnjë risi edhe pse ka qenë i paraparë. Por Uka tha se në këtë rast do të ketë edhe pesë dëshmitarë të cilët do të dëgjohen me 2 nëntor. “Këta pesë dëshmitarë të cilët kanë refuzuar deri tani të vijnë në gjykatore, do të sillen dhunshëm dhe me forcë nëse edhe njëherë nuk paraqiten në gjykatë më 2 nëntor “ tha Uka për rajonipress.
Uka tha se në rastin e Gëzim Vitisë do të ketë edhe prova shtesë. Ndryshe Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që rastin e Gëzim Vitisë ta kthejë në rigjykim me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit është i mangët dhe i paqartë dhe si i tillë juridikisht është i paqëndrueshëm.
Ndryshe familjarët e Egzon Kqikut i mbytur me thikë më 15 shkurt 2010 janë tronditur me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, por edhe më shumë me atë Gjykatës së Qarkut në Gjilan e cila i ka ndërprerë paraburgimin Gëzim Vitisë.
Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës që ta kthejë në rigjykim rastin e Gëzim Vitisë i akuzuar për shtytje në vrasje dhe vrasje në tentativë ka tronditur familjarët e të riut 16 vjeçar Egzon Kqiku i cili me thikë u mbyt më 15 shkurt 2010.
Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që rastin e Gëzim Vitisë ta kthejë në rigjykim me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit është i mangët dhe i paqartë dhe si i tillë juridikisht është i paqëndrueshëm. Gjykata Supreme e Kosovës ndërkaq ka vlerësuar se të akuzuarit duhet t`i vazhdohet paraburgimi .
Gjykata e Qarkut në Gjilan të pandehurit Gëzim Vitia i ka ndërprerë paraburgimin, duke i zëvendësuar me një masë tjetër alternative -lajmërim në Stacionin Policor çdo të mërkure ora 11.00, masë e cila vazhdon ende.
Ndryshe Gjykata e Qarkut në Gjilan në nëntor të vitit 2011 kishte shpallur aktgjykimin ndaj të dyshuarit kryesor Gëzim Vitia i akuzuar për shtytje në vrasje dhe vrasje në tentativë.
Kryetari i trupit gjykues Vllastimir Dimiq duke shpallur aktgjykimin patë thënë se Gëzim Vitia dënohet dhe shpallet fajtor me gjashtë vite burgim për shkak se janë vërtetuar provat se ai ishte nxitës dhe organizator në rastin kur i janë shkaktuar plagë vdekjeprurëse të riut Egzon Kqiku i cili vdiq më 15 shkurt të vitit 2010.
Dënimi erdhi pasi gjykata ka dëgjuar katër dëshmitar të mitur të cilët kanë vërtetuar se organizator dhe prijës i grupit që shkaktoi vdekjen e Egon Kqikut ka qenë pikërisht Gëzim Vitia.
Vitia akuzohej se më 15 shkurt 2010 me dashje dhe me veprime ka shtytë personat tjerë që të kryejnë vepër penale ku pas një mosmarrëveshjeje në mes të dy grupeve të rinjsh nga plagët e marra me thikë ka vdekur i riu Egzon Kqiku i moshës 16 vjeçare.
Dëshmitarët kishin thënë se Vitia ka nxitur të miturit për t`i shkaktuar lëndime tani të ndjerit. Ndryshe, Gjykata e Qarkut kishte dënuar dhe shpallur fajtor më herët katër të mitur që dyshohet se kanë marrë pjesë në therjen me thikë të riut 16 vjeçar Egzon Kqiku . Gjykata i kishte shqiptuar pesë vite burgim të akuzuarit B.I. kurse me nga dy vite burgim i ka dënuar J.SH., M.A. dhe E.SH./rajonipress/