RCCOLA

Derisa unë të jem e gjallë, nuk do të bëhet ndryshe!

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka varrosur idenë për emetimin e euro-bonove, që shumë ekspertë të ekonomisë e konsideronin të jetë zgjidhja e vetme e krizës aktuale të borxhit të disa vendeve të Bashkimit Evropian.

Kancelarja Merkel ka thënë të mërkurën se “nuk do të ketë përgjigje kolektive të borxheve derisa unë jam ende e gjallë”. Ajo i ka bërë të ditur qëndrimin e saj në një takim të partisë së saj, CDU, me partnerët e koalicionit, raporton Reuters.

Për Francën, Italinë, Spanjën,…, pa dyshim se euro-bonot janë zgjidhja më e mirë, sepse ato të paktën përkohësisht do të qetësonin investitorët dhe do t’ua ulte kostot e huamarrjes.

“Por deklarata e ‘kancelares prej çelikut’ erdhi si dush i ftohtë, që vrau ëndrrën e të gjithë atyre që prisnin një qëndrim ndryshe”, shkruan Reuters, duke bërë të ditur se Merkel nuk kishte se si të ndryshonte qëndrimin pasi Gjermania do të ishte shteti i vetëm në eurozonë që do të humbiste nga euro-bonot.

Fundamenti

“Duke pasur parasysh se aktualisht ka ekonominë më të fortë dhe më të shëndetshme, e cila efektivisht forcohet derisa ekonomitë e vendeve të tjera dobësohen, nuk ka logjikë që Gjermani t’i ekspozohet edhe më tutje rrezikut duke paguar borxhet e të tjerëve. Mjafton që ajo të ndihmojë”, shkruan Reuters.

Por për ata që dëshirojnë euro-bonët, ka edhe një tjetër dimension, që duket të jetë edhe ky motiv i vërtetë për mbajtjen e një pozicion të tillë të vështirë nga ana e kancelares Merkel. Gjermania, sipas këtyre ekonomistëve, si shtet i fortë ekonomikisht, përpiqet të luajë rolin e policit të pakos fiskale në Eurozonë.

Greqia është duke mbijetuar me ndihmën e alokuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian. Ndihmë për të shpëtuar nga kriza ekonomike kanë kërkuar apo planifikojnë të kërkojnë edhe Italia, Spanja, Portugalia dhe Qiproja.

Shtetet që janë prekur nga kriza ekonomike, përveç rënies së ekonomisë, kanë kosto të lartë për huamarrje, për shkak të pasigurisë financiare. Por ndryshe nga vendet në krizë, për Gjermaninë, aktualisht, huaja ndonjëherë është edhe pa kamatë, sepse huadhënësit vlerësojnë se në këtë shtet të Eurozonës i kanë paratë e sigurta. /Telegrafi/