Deputetët përplasen për privilegje
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të hënën janë përplasur në mbledhjen e Komisionit për legjislacion, kur kanë diskutuar për Ligjin e ri për të drejtat e tyre dhe për përfshirjen e pensioneve në këtë dokument.
Ata që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit, e arsyetuan këtë propozim, por kundërshtimet e disa deputetëve bënë që të zhvillohet debat i ashpër për këtë çështje. Disa nga anëtarët e Komisionit u rreshtuan kundër këtij neni pasi vlerësuan se është e padrejtë që Kuvendi të flasë për privilegjet e anëtarëve të saj, në kohë kur vendi ballafaqohet me krizë ekonomike. Ajo që ka kundërshtuar ashpër përfshirjen e pensioneve ka qenë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.
Ajo ka thënë se është e pamoralshme të flitet për pensionet e deputetëve, ndërsa Kuvendi të mos merret me pensionet e rregullta. “Në kohën kur vendi po ballafaqohet me varfëri e me gjendje të keqe ekonomike, do të ishte irrituese edhe për taksapaguesit që deputetëve t’u takojnë pensionet që kalojnë shtatëfishin e pagës mesatare në vend”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkohë, ka pasur edhe deputetë nga partia në pushtet që janë shprehur kundër idesë për pensione. Njëri nga ta ka qenë Arsim Bajrami. “Duhet ta kuptojmë të gjithë që jemi shoqëri me probleme sociale, kështu që unë po e shpreh qëndrimin tim personal se jam kundër krijimit të privilegjeve, jo për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por për shkak të ndërgjegjes që kemi ne secili veç e veç”, ka thënë Bajrami. Kundër u deklarua edhe deputeti i Koalicionit për Kosovë të Re, Gëzim Kelmendi….(Tribuna).


