Fundamenti

Deputetë, mos u shitni te Hashimi

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Hashim Thaçi është dëshmuar se kur e ka më së vështiri i fut në kombinim milionat e buxhetit të Kosovës për qëllime politike.

Kështu veproi në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit, ku pak javë para se të niste fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit i rriti pagat e shërbyesve civilë, i rriti pensionet, e çka nuk premtoi vetëm e vetëm që të siguronte më shumë vota për partinë e tij.

Duke shfrytëzuar paratë publike dhe pozicionin e shefit të Qeverisë, ai arriti ta kompensojë dëmin që ia shkaktuan Partisë Demokratike të Kosovës largimi i Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit e shumë bashkëpartiakë të tjerë dhe njëkohësisht me këtë veprim tentoi t’i “mbulojë” skandalet e shumta që e karakterizuan qeverisjen e tij shtatëvjeçare.

Rritja e pagave prej 25 për qind ishte një mundësi perfekte për konvertim në vota në zgjedhjet e fundit për partinë e kryeministrit në detyrë, sidomos për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe varfërisë në vend, ku shumëkush për një rritje modeste të pagës e pensionit i mbylli sytë përballë të këqijave të shumta që ndodhën gjatë qeverisjes së tij shtatëvjeçare.

Me gjithë “shkepjen” e qindra miliona euro të buxhetit për qëllime elektorale, “lufta” e Thaçit për ta marrë një mandat të tretë si kryeministër nuk ka përfunduar, sidomos në këtë fazë kur e ka shumë të vështirë t’i sigurojë 61 vota në Kuvend.

Me votat e PDK-së dhe minoriteteve në Kuvend dhe nëse nuk përçahen deputetët e bllokut opozitar, ai e ka të qartë se e ka “mision të pamundur” të bëhet shef i Qeverisë. Dhe “gjahu” tashmë ka nisur. Janë në pyetje pak ditë, për të qenë apo mos qenë Thaçi kryeministër.

Uji Dea

Misioni i tij i Ri, pas vendimit të fundit të Kushtetueses, e cila i jep të drejtë PDK-së që ta propozojë mandatarin, do të jetë “kontrabandimi” i deputetëve opozitarë.

Këtyre të fundit, nëse jo deri më tani, me siguri se gjatë ditëve në vijim do t’i ofrohen mundësi të shumta politike e financiare për ta votuar Thaçin kryeministër.

Ndoshta ndonjëri prej kuvendarëve të rinj do t’iu lakmojë ofertave marramendëse financiare për ta ngritur dorën për Thaçin në Parlament, duke qenë të nxitur edhe nga mospajtimet eventuale brendapartiake për mandatarin nga radhët e opozitës. Mirëpo, nuk duhet harruar me një veprim të tillë ata me shumë gjasë do të mundë t’i japin fund karrierës së tyre politike.

Deputetë të tillë që joshen nga një “grusht me para” dhe për privilegje të ndryshme, asnjëherë nuk do të arrijnë stadin e politikanëve kredibil dhe me perspektivë, por vetëm se do të mundë t’i bashkohen klanit të disa politikanëve mercenarë, të cilët për interesa të ngushta personale shkelin mbi dinjitetin e sovranit.

Deputetët e partive opozitare kanë arritur ta fitojnë mandatin duke kritikuar qeverisjen e Hashim Thaçit dhe njëkohësisht duke premtuar një qeverisje krejt ndryshe. Vendosmëria e tyre për ta luftuar keqqeverisjen e Thaçit nuk duhet të vihet në pikëpyetje për para. Madje as për shumë para.