Dënohet grupi që vodhi 8 kg ari në “Drini Market”

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Gjykata e Qarkut në Gjilan ka dënuar dhe shpallur fajtor Muhamet Qerkezin me 3 vite burgim, Skënder Krasniqin me 2 vite e gjashtë muaj dhe Lulzim Krasniqin me pesë muaj burgim. Ky i fundit është liruar nga akuza e vjedhjes në mungesë të provave ndërsa është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Qarkut në Gjilan ka dënuar dhe shpallur fajtor grupin që kishte vjedhur 8 kg ari në vlerë të 400 mijë eurove në qendrën tregtare “Drini Market” në Gjilan.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Rasim Rasimi pas shumë seancave dhe shtjellimit të provave ka dënuar Muhamet Krasniqin me 3 vite burgim dhe me një gjobë prej 300 eurove, Skënder Krasniqin me 2 vite e gjashtë muaj dhe Lulzim Krasniqin me pesë muaj burgim. Ky i fundit është liruar nga akuza e vjedhjes në mungesë të provave ndërsa është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Në aktgjykim i cili bazohet në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Qarkut në Gjilan thuhet se grupi ka operuar në relacionin Gjilan-Prishtinë-Obiliq. Prokurori Agron Uka në aktakuzën e ngritur i kishte bërë përgjegjës për vjedhjen spektakulare të datës 19 janar 2012 në qendrën tregtare “Drini Market”, të akuzuarit Muhamet Qerkezi nga Obiliqi, Lulzim Krasniqi nga Obiliqi dhe Skender Krasniqi nga Obiliqi.

Uji Dea

Sipas aktakuzës tre të akuzuarit dyshohej se më 19 janar 2012 në “Drini Market” me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë kanë kryer vjedhjen në dëm të të dëmtuarve Visar e Elbasan Alidema.

Të dyshuarit me dashje dhe përgatitje paraprake kanë përgatitur terrenin për vëzhgim në Gjilan, duke komunikuar përmes telefonave të tyre celular dhe pastaj me forcë kanë hapur kasafortën duke i marrë 8 kg ari në vlerë prej 400 mijë eurove, pastaj kartëmonedha në vlerë të 15 mijë eurove, një armë të zjarrit me 150 fishekë, dhe një laptop.

Aktakuza saktësonte se mallin e vjedhur të dyshuarit e kanë shitur në vende të ndryshme duke shkaktuar veprën penale “vjedhje e rëndë”. Sipas aktakuzës gjatë bastisjes nga policia në shtëpinë e Muhamet Qerkezit është gjetur edhe substancë narkotike e llojit mariuhanë.

Pas shpalljes së aktgjykimit prokurori i rasti ka bërë ankesë duke mos u pajtuar me dënimet e ulëta të shqiptuara ndaj të akuzuarve. /rajonipress/