UBT

Dëmtohet rruga në Krilevë të Kamenicës

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kamenicë – Reshjet e mëdha të shiut e kanë dëmtuar seriozisht rrugën Kamenicë – Krilevë e cila pas vërshimeve të mbrëmshme është bërë e pakalueshme në së paku njërin shirit të saj. Rasti është paraqitur natën vonë, ndërsa në ora 03.00 të mëngjesit në vendin e ngjarjes ka dalë drejtori i Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe bashkë me stafin e policinë i kanë vendosur shiritat rrugës për të parandaluar ndonjë fatkeqësi.

Rrugën e dëmtuar e ka vizituar paradite edhe nënkryetari i Komunës Fatmir Matoshi për të parë dëmin e shkaktuar, raporton rajonipress.

Mobi Casa

“Sot vizituam rrugën e dëmtuar në Krilevë, e cila paraqet rrezik për kalimtarët e sidomos për veturat, andaj deri në rënien e nivelit të ujit kërkohet kujdes i shtuar nga ata që e frekuentojnë këtë rrugë. Intervenimi në këtë rrugë do të jetë i shpejtë dhe emergjent sepse përmes saj lidhemi edhe me Prishtinën, andaj sado që banorët e Krilevës mund të lëvizin kujdesshëm rruga bëhet edhe më e rrezikshme për ata qytetarë që nuk janë të kësaj pjese por e frekuentojnë këtë rrugë. Komuna do ti drejtohet edhe Qeverisë së Kosovës për të na dalë në ndihmë në sanimin e gjendjes së krijuar pas vërshimeve të fundit” tha nënkryetari Matoshi.

Përveç rrugës kryesore është dëmtuar një urë që lidh disa shtëpi të Krilevës me rrugën kryesore. Përndryshe uji i rrëmbyeshëm ka marrë me vete trasenë e rrugës duke e lënë shtresën e asfaltit në ajër. /rajonipress/