UBT

Demonstrimi i “muskujve” dha rezultat në veri

/ 5 minuta lexim

“Kjo në asgjë nuk ju asocion përveç se në okupim! Sot kemi edhe ushtarin, edhe policin, edhe njerëz të tjerë të armatosur! Vetëm po habitem pse po ju mungojnë bombat, apo minahedhësit në krah këtyre policëve dhe ushtarëve! ”, thoshte të dielën Nebojsa Jovic kur në Mitrovicën e Veriut ishin ftuar qytetarët për të rivotuar.

Përshkrimi që e dha Jovic për praninë e madhe të forcave të shumta të rendit që kishin zbarkuar të dielën matanë lumit Ibër në Mitrovicë për të siguruar qetësinë gjatë procesit zgjedhor, thotë se reflekton tek shumica e qytetarëve që nuk dalin për të votuar.

Përveç Policisë së Kosovës, njësive të specializuara të policisë së EULEX-it, dhe ushtarëve të NATO-së, pranë tri qendrave të votimit ishin rreshtuar edhe pjesëtarët e Mbrojtjes Civile, një institucion që Prishtina zyrtare e konsideron ilegal, pasi është themeluar nga strukturat paralele të Serbisë në këtë zonë.

Për Leon Malazogun, nga Instituti Demokraci për Zhvillim, prania e shumtë e forcave të rendit nuk është fotografi e këndshme për të parë, por thotë se në përsëritje të votimit në këto tri qendra, duhej patjetër siguruar që të mos përsëritet dhuna.

“Mendoj që tregimi i muskujve parimisht nuk është i dëshirueshëm, dhe në këtë rast krijon një ambient mjaft negativ për zgjedhjet. Por, mendoj që dje ka qenë e domosdoshme që të krijohet një ambient ku qytetarët mund të votojnë lirë, pa marr parasysh sa është numri i tyre, shumë ose pak. Që ata që dëshirojnë të votojnë, të mund të votojnë”, thotë Malazogu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, tregimi i forcës së paku për një ditë, ka qenë i domosdoshëm, sidomos për zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përsëritur votimet në tri qendrat më të mëdha të votuesve për komunë të Mitrovicës së Veriut, pas sulmit që ngjau në njërën prej këtyre hapësira nga një grup i personave të maskuar.

Faji kryesor për këtë incident më 3 nëntor, si nga vendorët dhe të huajt u tha të jetë niveli i dobët i sigurisë, pasi pranë vendvotimeve kishte persona që thërrisnin për bojkot të procesit dhe kërcënonin pa penguar serbët që donin të votonin.

Mobi Casa

“Fakti që ka pasur shumë trupa-ndoshta ka qenë pak i tepruar-nuk e kisha përshtypjen që qytetarët në veri po ndihen të trazuar nga trupat. Ata ndiheshin të sigurt dhe votonin, dhe nuk janë ndier nën trysni nga trupat e huaj. Përkundrazi mendoj që u është dhënë një siguri jashtë mase”, thotë Leon Malazogu i cili në ditën e zgjedhjeve thotë të ketë qenë në terren.

Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë-EULEX, thotë se pavarësisht polemikave të ngritura për praninë e madhe të forcave të rendit, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i “kanë përmbushur detyrat e tyre në mënyrë efikase”.

“Ata kanë vepruar në mënyrë efikase për ta garantuar sigurinë e votuesve, të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit dhe të lehtësuesve të zgjedhjeve nga OSBE-ja”, thotë një komunikatë e këtij misioni evropian.

Diplomati gjerman Bernd Borchardt, që drejton këtë mision, ka dhënë notë të lartë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pasi qytetarëve të Mitrovicës së Veriut iu është dhënë mundësia që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar.

Mirëpo, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se një prani aq e madhe e policisë në terren, ndoshta nuk ishte më se e nevojshme.

“Por, duke marrë parasysh që sërish situata në veri të Kosovës, do të mund të tensionohej, një prezencë e shtuar policore është një zgjidhje racionale. Por unë mendoj që institucionet e sigurisë nuk duhet të krijojnë imazhin, që në veriun e Kosovës, punët mund të zgjidhen vetëm me anë të forcës, sepse kjo nuk është rezultati që shoqëria kosovare pret sa i përket normalizimit të gjendjes atje”, thotë Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, nëse situata në veri nuk mund të zgjidhet ndryshe përpos me një prani të shtruar policore, atëherë hisedarët si Prishtina, Beogradi dhe Brukseli, duhet të jenë më transparent me opinionin.

Nebojsa Jovic, që është nga shtabi për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, thotë se 17 nëntori dukej se ka prodhuar një gjendje të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, ndërsa argumenton se në kushte të tilla, procesi i votimit, “de jure nuk mund të zhvillohet”. /REL/Telegrafi/