“Demokratizimi” alla PDK

Nga Adrian Çollaku – Shpresat që në Kosovë të kemi një qeverisje demokratike, duket se janë vetëm një iluzion. Të paktën edhe për disa vjet. Demokracia në Kosovë nuk ka bërë thuajse asnjë hap përpara nga viti 1999, gjegjësisht nga përfundimi i luftës. Më shumë se një dekadë që nga fillimi i një jete të re politike e institucionale, demokracia ende nuk ka arritur të vërë themel.
Subjektet politike, që janë një nga faktorët kryesorë për ndërtimin e një qeverisjeje demokratike, po dështojnë ta bëjnë këtë ose, thënë më mirë, po e bëjnë të kundërtën. Janë pikërisht zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës që po e dëshmojnë faktin se në Kosovë dhe në partitë politike nuk ka demokraci. E, si rrjedhojë, edhe qeverisja do të jetë e tillë.
Zgjedhjet e deritashme në partinë më të madhe në vend, e cila e udhëheq edhe qeverinë, kanë nxjerrë në pah tri mësime shumë të rëndësishme.
Së pari, këto zgjedhje kanë dëshmuar se qëllimi i liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, nuk ka qenë reformimi i partisë, por rokadat brenda partisë. Në njërën anë, Thaçi ka arritur që disa bashkëpartiakë që kanë qenë më të zhurmshëm dhe të padëgjueshëm t’i qesë jashtë loje, derisa në anën tjetër ka legalizuar hyrjen në parti të disa “anëtarëve” tjerë. Futja e ish- shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselit në PDK, është vetëm legalizim i hyrjes së tij në politikë. Këtë gjë e kanë pranuar edhe vetë drejtues të lartë të vetë PDK-së, si sekretari i përgjithshëm Jakup Krasniqi dhe nënkryetari Bajram Rexhepi, të cilët kanë thënë se Kadri Veseli edhe ashtu ka qenë pjesë e vendimmarrjes.
Në këtë kuvend zgjedhor, pa asnjë dyshim se jashtë “loje” kanë mbetur njeriu i dytë dhe i tretë më i votuar i PDK-së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi. Derisa Krasniqi është “tërhequr” nga gara, për shkak të pakënaqësisë me mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet brendapartiake, Limaj, ndërkaq, është përjashtuar nga “drejtësia”. Fakti se si misioni i EULEX-it ka vepruar në rastin e nënkryetarit të PDK-së është shumë për t’u habitur. Sidomos nga mënyra se si brenda një muaji e pak ditë, në një kohë rekorde, shkalla e dytë- Gjykata Supreme e Kosovës e shqyrton lëndën e tij për rastin “Kleçka” dhe e kthen rastin në rigjykim. Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë nga ky vendim, EULEX merr vendim që edhe ta paraburgosë atë. Ndërkaq, tani EULEX pretendon që të mos lejojë avokatin Karim Kahn që ta mbrojë atë… Si për koincidencë, tërë këto ndodhin në kohën kur janë duke u zhvilluar zgjedhjet në PDK…
Së dyti, ecuria e deritashme e zgjedhjeve në PDK tregon se kjo parti, por edhe partitë tjera në Kosovë, aspak nuk ngjajnë me partitë e vendeve tjera demokratike. Ato ngjajnë, ose janë si motra me partitë komuniste. Lideri është Zoti. Kjo u dëshmua edhe në PDK. Nëpër shumicën e degëve kryetarët u zgjodhën si në kohën e babës Stalin e shokut Enver, me aklamacion.
Nuk pati debate, nuk pati kundërkandidatë, ose edhe kur kishte, ishte vetëm formalisht… Madje, është për keqardhje se si disa nga njerëzit “kyç” të partisë, si rasti i Enver Hoxhajt, që ia mban vetes si “intelektuali” dhe “imazhi” i PDK-së, mban fjalime të zjarrta për të “fortit” e partisë. Pos fjalimit historik, i cili do të mbahet mend për fjalorin nënshtrues e servil ndaj Shefit duke thënë se “Të gjithë do të vdesim e do të bëhemi hi, emri i Hashim Thaçit do të rrojë përherë””, ai edhe në Skënderaj ka mbajtur një fjalim të “zjarrtë”. Në këtë rast jo për Shefin, por për “ma të fortin e partisë”, Sami Lushtakun, të cilin e quan madje si njeri që e ka ndritur tërë Drenicën e tërë Kosovën.
Dhe mësimi i fundit që është nxjerrë nga këto zgjedhje, është fundosja e demokracisë.
Partia Demokratike e Kosovës kishte mundësinë e fundit që të demokratizohej. Këtë gjë nuk arriti të bëjë. U pa se lidershipi i PDK-së, në krye me Thaçin, nuk ishte i gatshëm që t’u krijojë hapësirë njerëzve të rinj. U pa se në PDK paska vend vetëm për servilët, të dëgjueshmit, sahanlëpirësit, e jo edhe për njerëzit e zot, autonomë dhe për ata të ndershmit. Bashkë me PDK-në, e cila udhëheq vendin, u ngufat edhe demokracia në Kosovë.
Megjithatë, lidershipi i PDK-së, në krye me Thaçin, duhet ta mbajë vath mbas veshit një të vërtetë të cilën shumë të tjerë si ai, para tij, e kanë provuar në lëkurën e vet: Me të përfunduar punët e mëdha, si veriu i Kosovës, miqtë tanë do të fillojnë ta humbin “simpatinë” ndaj Hashim Thaçit dhe klikës së tij. Me gjasë, atëherë koha do të jetë e pakthyeshme dhe do të jetë vonë për gjithçka!