Eko Higjiena

Demokracia

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Burim Ramadani – Demokracia. Sa shumë e kemi thënë këtë për dekada. Në shesh, në salla, në zyrë, në klasa mësimore, në shtëpi e në mendjet tona. Edhe atëherë kur pakkush e ka kuptuar se çka nënkupton demokracia. Edhe atëherë kur shumëkush ka besuar në sistem tjetër.

Demokracia ka qenë formula e “gjetur” për të ndërtuar vlerën e re në shoqërinë kosovare. Në fund të viteve 1980-ta e fillim të 1990-tave, kur është socializmi i shtetit artificial jugosllav kishte marrë shuplakën e fundit nga nacionalizmi dhe hegjemonizmi në rritje dhe rikthim në skenën politike të Serbisë, përgjigja që ishte ndërtuar u ndërlidh me demokracinë. Nuk do mend se një strukturë e vogël e njerëzve në Kosovë do të mund të kuptonin në atë kohë se çka realisht është demokracia!

Përgjatë viteve 1990-ta, që në praktikë na kthehen si vite të errëta të okupimit dhe ngecjes së zhvillimit, sërish demokracia ka qenë gjithçka që i është kundërpërgjigjur politikave neo-fashiste të Millosheviqit. Elitat shqiptare të Kosovës me të drejtë orientuan shoqërinë kosovare kah një sistem i vlerave universale, të drejtat e njeriut dhe demokracia. Kah zhvillimi i individit të lirë, shoqërisë së lirë dhe lirisë si koncept dhe si aspekt fizik.

Gjatë viteve 1997-99, demokracia u synua të ndërtohet edhe me luftë. Shqiptarët e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftuan Serbinë për të ndërtuar lirinë dhe demokracinë në Kosovë. Në të vërtetë, këto të dyja u njëjtësuan në masë të madhe dhe liria nuk mund të paramendohej pa demokraci.

Kjo edhe qëndron në realitet. Pa demokraci – si sistem politik, pa demokratizim të shoqërisë – si shkallë e zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, dhe pa institucione demokratike – si nivel i formulimit dhe zbatimit të politikave në shërbim të qytetarit, nuk mund të thuhet se liria ekziston. Tek e fundit, liria nuk është vetëm nocion i ngushtë fizik në raport me një apo më shumë armiq jashtë sistemit politik të brendshëm. Liria nuk është siguri fizike jetësore në krahasim me shtetet në rajon apo më larg.

Fundamenti

Liria, koncepti themelor i jetës së njeriut si qenie politike, ka të bëjë me mundësitë që individi të veprojë pa pasoja ndaj vetes dhe tjetrit. Mundësia që individi dhe shoqëria të mendojë, të ketë qëndrime dhe të jetë aktiv. Në fund të fundit, mundësia që individi dhe shoqëria të bëjë pyetje, të dyshojë, të ndërtojë koncepte dhe të zhvillohet.

Vetëm si e tillë, një shtet dhe një shoqëri është e lirë. Ka liri. Vetëm në stad të tillë të zhvillimit, shteti dhe shoqëria është në gjendje të funksionojë lirshëm, të marrë frymë lirshëm. Vetëm në këtë situatë, individi është konkurrues në shoqëri dhe shteti është një organizatë e individëve të lirë, të ndërlidhur me shtetin në bazë të një kontrate shoqërore e të përkthyer në norma kushtetuese e ligjore.

Kosova nuk e ka arritur edhe më tutje këtë. Madje, fatkeqësisht, është ende larg të qenit shtet dhe shoqëri normale demokratike. Konsolidimi i demokracisë do të na merrë edhe më shumë kohë se sa optimistët më të mëdhenj pretendojnë. Individi, shoqëria dhe shteti i Kosovës nuk janë të lirë. Nuk kanë ndërtuar praktikat e duhura, kanë dëmtuar bazën e demokratizimit të filluar me shumë pengesa.

Angazhimi dhe përkushtimi i plotë është i domosdoshëm. Periudha e qeverisjes së ardhshme është vendimtare. Është mëse e rëndësishme. Është barrë e rëndë e përgjegjësisë.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)