Demiri: Do të mbrojë dhe avancojë të drejtat qytetare, AAK do të jetë më kredibile në Asamble

Gjilan – Xhevat Demiri është zyrtarizuar këshilltar komunal nga radhët e AAK-së. Demiri i cili ka disa pozita të rëndësishme në AAK, duke filluar si anëtar i kryesisë qendrore në AAK dhe anëtar i kryesisë në Gjilan në dy mandate, pastaj udhëheqës me sektorin e shëndetësisë në nivel vendi qe katër vite së bashku me Talat Gjinollin dhe Luan Jahën, drejtor i parë i spitalit rajonal në Gjilan, udhëheqës i shëndetësisë në zonën Operative të Karadakut thotë se nga të gjitha këto atribute do e rris kredibilitetin dhe fuqinë vendimmarrëse që ka AAK-ja në Asamblenë Komunale të Gjilanit.
Xhevat Demiri tashmë edhe zyrtarisht është bërë pjesë e Asamblesë Komunale nga radhët e AAK-së. Demiri që ka një përvojë të gjatë si në jetën politike ashtu edhe në jetën shëndetësore thotë se do të jetë besnik dhe i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat qytetare dhe për të avancuar projektet e tyre kapitale.
Demiri tha se s`ka pasur ndonjë interesim për pozitën e këshilltarit komunal, por me insistimin e kryetarit Haradinaj dhe Rexhep Kadriu ka pranuar ta marrë këtë sfidë ose barrë, e cila do të shkoj në favor të qytetarëve të Gjilanit. “Nuk do të jem këshilltar i heshtur, do të mbrojë me çdo kusht interesin qytetar, por jo me çdo kusht do të jem në shërbim të klaneve të caktuara brenda Kuvendit” tha Demiri për rajonipress.
Demiri tha se nuk ka bërë ndonjë fushatë, por qytetarët e kanë vlerësuar se prezenca ime në Asamble e rritë funksionimin e këtij institucioni kredibil dhe kjo ishte arsyeja kryesore që pranova të garoj sqaron Demiri.
“Në zgjedhjet e fundit unë isha ndër më të votuarit me afro 500 vota dhe kjo ka ndikuar që ta pranojë këtë përgjegjësi e cila rrjedh nga vullneti qytetar. Edhe pse kuota gjinore na dëmtojë, por këto janë procese të fushatës zgjedhore të përcaktuara nga KQZ-ja”.
Por, Demiri është i bindur se do ta ruaj dhe do ta avancojë kredibilitetin e AAK-së në Gjilan e posaçërisht të kryetarit Haradinaj.
“Unë do të jem kritik ndaj çdo dukurie negative, por edhe realist për avancimet e ndodhura. Mendoj se Gjilani ka nevojë të ketë asamblist që punojnë për qytetarin dhe për interesat kapitale të tyre” shtoj Demiri.
Demiri gjithashtu ka një brengë edhe rreth shëndetësisë. “Si profesionist në këtë fushë dhe me një përvojë të gjatë, do të mundohem që shërbimet shëndetësore të jenë më cilësore dhe më të avancuara” shtoj ai.
Por, Demiri për asnjë moment nuk e harron edhe popullatën e Kosovës Lindore. “Ata meritojnë një tretman shumë më të dinjitetshëm dhe do të mundohem që hallet dhe brengat e tyre ti avancojë në të gjitha drejtimet” u shpreh Demiri.
Demiri mendon se Gjilani tash ka një përbërje të duhur të asambleistëve dhe shpreson që Kuvendi Komunal të jetë arenë e konfrontimeve dhe ideve të avancuara, e në asnjë mënyrë vend ku përfituesit e parë do të ishin njerëzit e politikës.”Unë jam parimor dhe gjithmonë e mbroj të drejtën qytetare sepse jemi të zgjedhurit e tyre” përfundojë Demiri./rajonipress/