RCCOLA

Demir Krasniqi – një emër i madh i këngës popullore…

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – S’ka me këngën. Ajo është burim i jetës. Pa këngën, jeta është pa shije. Kënga e hijeshon jetën e njeriut. Ajo ta heq angështinë e jetës. Është pjesë e thellë e shpirtit. Kush e do këngën, e do jetën. Pse jo? Jeton si i “ri”. Kur këndohet kënga, njerëzit i harrojnë dhembjet apo hallet e jetës. Prandaj, nuk ka njeri që nuk e adhuron këngën. E, Demir Krasniqi është këngëtar dhe adhurues i madh i këngës popullore. Ai është artdashës i këtij arti popullor. Ai, edhe tash, nuk ndahet nga arti i këngës.

Thotë se, nga mosha e njomë rinore i ka lindur dashuria për këngën. E ka vështirë të ndahet nga ajo. Demir Krasniqi është një emër i madh i artit muzikor. Ai është i njohur si këngëtar jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. Është i tëri këngëtar, i tëri interpret dhe i tëri njeri i artit muzikor… Zëri i tij është joshës dhe shumë natyror. Është një “muze i këngës popullore” apo një institucion në vete i arti popullor! E meriton këtë epitet, sepse, ai gjer më sot jo vetëm që ka mbledhur shumë këngë popullore nga trevat e ndryshme shqiptare, por këto këngë i interpreton dhe i ruan me xhelozi.

Në anën tjetër, ai është një krijues i pasionuar i këngës popullore burimore. Është admirues i flaktë i këtij thesari të çmuar popullor. Po ashtu, ai është një intelektual me energji të fuqishme krijuese. Nuk ka manifestim e koncert në Kosovë që nuk ka kënduar e interpretuar ndonjë këngë. Zëri i tij natyror është një “mrekulli” e rrallë për të gjithë artdashësit. Njeri që ditë e natë punon e jeton në kërkim të këngës, melodisë, ritmit, tekstit e regjisë së këtij arti shpirtëror të njeriut.

Demirin sa e dëgjojmë duke kënduar, atë e shohim edhe duke botuar tekste e shkrime publicistike për folklorin shqiptar. Por, mos ta harrojmë se, ai ka punuar edhe si pedagog me ditar në dorë. I madh e i vogël, gjilanas, e njohin këtë këngëtar të pasionuar. Pse jo? Ate e sheh me violinë në krah duke kënduar, por e sheh edhe duke folur e përpunuar këto krijime e tekste popullore. Në të njëjtën kohë, ai është edhe krijues i vargjeve artistike të këngëve tona shqipe. Dhe, jo vetëm kaq. Ai është edhe “mjeshtër” i madh i instrumenteve muzikore. I bie violinës, sharkisë, çiftelisë e harmonikës.

Pos kësaj, ai është mbledhës i folklorit burimor shqiptar; krijues i rapsodive dhe këngëve në frymën e melosit tradicional popullor. Është kultivues i parodive, i humorit e i satirës shpotitëse. Por, ai njihet edhe si poet, dallohet si publicist dhe ka punuar e punon edhe sot si gazetar. Shih për këtë, ai gjer më tani është pjesëmarrës i dhjetëra festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare; publikues i dhjetëra disqeve të gramafonit etj. Ka nxjerr afro 70 albume të këngëve dhe të muzikës popullore shqiptare. Mandej, ai është krijues i afro 2000 këngëve dhe valleve origjinale shqipe.

Po kështu, Demir Krasniqi është mbledhës i 4000 këngëve të ndryshme popullore. Edhe pas kësaj energji të “fortë“, ai artin letrar nuk e lënë pas. Pra, është një krijues (poet) i vargjeve artistike me formësimin e ndikimit popullor. Shih për këtë, ai gjer më tani ka botuar 27 vepra letrare, si janë: ”Mallëngjime e oshtima” (1993), “Qamili i Vogël”- monografi (1995), “Gjakon Kosova” (1998), “Bejtë Pireva” (2002), “Zeqir Marova” (2002), “Këngë krismash lirie” I” (2003), “Këngë krismash lirie II” (2003), “Familja e Kurti nga Tugjeci”- monografi (2004), “Shtojzovallet e Gollakut” 2005), “Kushtrim lirie” (2005), “Liman Shahiqi – trim i Gollakut” (2005), “Kroi i këngës” (2006), “Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, (2006), “Valle popullore” – Gjilan, (2007) ,“Këngë dhe ilahi fetare” – Gjilan, (2007),“Krenaria e Gollakut” – Gjilan, (2008( ,“Diell lirie” – Gjilan, (2008) ,“Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, (2008), Gëzim Marku: ”Intervistë me Demir Krasniqin”, botoi “Zemra Shqiptare” – Londër , më (2009) , “I pa epur” – Gjilan, (2010), “Malli për Gollakun” – Gjilan, (2010), “Djepi i këngës” – Gjilan, (2011), “Therje me vegsh “ – Gjilan , (2011), “Amaneti” – Gjilan, (2011), “Tinguj dhe ofshama” – Gjilan, (2012), “Komentime dhe përkushtime” – Gjilan, (2012(, “ Kënga ime” – Gjilan, (2012) dhe “ Sofra e këngës ” – Gjilan, (2012).

Mandej, Demir Krasniqi ka një jetë “tjetër”, e cila “jetë” Demirin e ka bërë të jetë më “popullor” në masë. Ky rapsod popullor është shumë i afërt me njerëz. I qetë, urtak, por edhe krijues momental i vargjeve dhe i melodisë. E duan njerëzit jo vetëm përse Demiri këndon, por pse ai është i afërt me të gjithë, mandej e duan njerëzit se u “rrëfen” ngjarje të ndryshme që janë “personazhe” në vargjet e tij popullore. Nuk ka lënë dëshmor e martir apo figurë atdhetar pa i kënduar e “krijuar” në stilin e tij këngëtar.

UBT

Kjo është madhështia e tij, e cila dëshirë e vullnet e bën këtë krijues të artit popullor të jetojë me këngën, vargjet dhe me melodinë e saj. Po ashtu, ai është themelues dhe drejtues i dhjetëra grupeve ansambleve amatore, pjesëmarrës i shumë festivaleve muzikore kombëtare e ndërkombëtare; pjesëmarrës i mijëra koncerteve e manifestimeve popullore; interpret i këngës popullore dhe asaj të kompozuar në Radio Prishtinë, RTP e në shumë mediume publike elektronike kombëtare. Po kështu, ai është publikues i dhjetëra disqeve, autor e kantautor i mijëra këngëve dhe valleve të kompozuara në frymën popullore me tekste e melodi tjera. Është gazetar i shumë artikujve nëpër gazeta, revista fletushka e publikime tjera.

Demir Krasniqi, nga kjo “punë” e tij madhore edhe është shpërblyer me sa vijon: më 1963, në Manifestimi kulturor në Kamenicë, është shpërblyer me vendin e parë në interpretimin e këngës “Hajredin pasha”, mandej ka marrë shpërblimin “Mikrofonia është i juaji”; më 1971 është shpërblyer me Emblemën e qytetit të Ohrit në Festivalin Ballkanik të Folklorit me Emblemën e qytetit të Ohrit; më 1976 është shpërblyer me dy vendet e para “Shpërblimi publikut” me këngën “Zenel Hajdini”, në Festivalin “Kosovarja këndon” në Ferizaj, më 1976. Demir Krasniqi është shpëblyer me diplomë në Festivalin e Folklorit në Podujevë për interpretimin e këngës “Rrushja e lalës” më dueten Nexhmije Pagarushën.

Po kështu, në vitin 1977, ai është shpërblyer me vendin e parë me një numër librash për interpretim të këngës “Trimi legjendar” në Festivalin “Kosovara këndon” në Ferizaj, më 1979, ai është shpëblyer nga Drejtoria e shkollës fillore në Llabjan me orë dore për këngën “Ditëlindja e shkollës”, më 1996, nga Televizioni i pavarur “Festa” nga Kumanova mori çmimin për kompozimin e himnit të TV “Festës”, më 2000, nga Produksioni i pavarur muzikor “Ylberi”, nga Mitrovica, autori është shpërblyer me Pllakatin e qytetit të Mitrovicës për kompozimin e këngës “Himni i liberalëve”, më 2001 me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Qamilit të Vogël, familja e të ndjerit autorit (Demirit), ia dhuroi dy komplete të kostumeve kombëtare të Qamilit të Vogël, me rastin e botimi të monografisë “Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”.

Me rastin e Jubileut të 100- vjetorit të Kongresit të Alfabetit, më 15 Nëntor 2008, ka qenë i vetmi përfaqësues – kantautor nga Kosova. Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është prezantuar si kantautor i këngës:”Kosova – nuse me kurorë”. Me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, para publikut gjilanas është prezantuar si kantautor i këngës: ”100 vjet të Pavarësisë”. Po kështu, më 2003, DKRS e Gjilanit, Demirin e ka nderuar me një mirënjohje publike për krijimtarinë muzikore të tij. Edhe në vitin 2005, po kjo DKRS e Klinës, autorin e nderoi me rastin e Festivalit mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë” me Emblemën e Mujë Krasniqit – komandant “Kapuçi”, për tekstin dhe melodinë më të mirë, më 1992 dhe 2005, piktori gjilanas, Demir Behluli autorin në fjalë e nderoi me dy piktura për punën dhe kontributin në lëmën e krijimtarisë muzikore.

Demir Krasniqi është fitues i titullit “Të argjendtë” për këngën “Në mjedis të ballit ma ke një pikë”, e cila këngë është shitur më së shumti prej 150.000 kopjesh. Dhe nga Klubi i gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan, Demir Krasniqi, më 2005, mori shpërblimin e merituar “Qytetari më aktiv i Gjilanit”.

Kjo është ajo “vepra” e tij jetësore me artin e këngës dhe krijimtarisë së tij të gjithanshme kulturore. Demir Krasniqi është, vërtetë, një institucion i artit muzikor tek ne. Enkas për rajonipress nga Tefik Selimi./rajonipress/