Hidromorava

Demarkacioni nuk e sjell liberalizimin e vizave

/ 9 minuta lexim

Këtë javë, pas tre vjetësh tallje me qytetarët e vendit, më në fund 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë votuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kriteri i parafundit për heqjen e vizave.

“Nuk mundet që kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të arrestojë as Hashim Thaçin, as Kadri Veselin, e as Adem Grabovcin, sepse këta e kanë dërguar atje dhe e kanë bërë kryeprokuror. Prandaj, e them lirshëm se hallka më e dobët e shtetit dhe e tërë sistemit është drejtësia, e cila është një mashë e politikës”, ka thënë Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”.

Këtë javë, pas tre vjetësh tallje me qytetarët e vendit, më në fund 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë votuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kriteri i parafundit për heqjen e vizave.

Por, për analistët politikë mbetet një mister se si do ta përmbushë shteti ynë kriterin e mbetur për liberalizimin e vizave – lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo aq më tepër kur dihet se të gjitha partitë politike janë të inkriminuara në krim të organizuar dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë pjesë e çdo institucioni në të gjitha nivelet.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka uruar përfaqësuesit institucionalë të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por tha se sa i përket liberalizimit të vizave ka ende punë për t’u bërë.”Më lejoni që të filloj së pari duke uruar Kosovën për vendimin e djeshëm, i cili është një vendim i vështirë, sepse na çon drejtë asaj që kryesisht ne ndërkombëtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës janë këtu, e jo që të shohin diçka si ajo që pash unë në mesditën e djeshme, gazi lotsjellës i hedhur në përfaqësimin më të lartë politik të këtij vendi, por që të punojnë për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Dhe, pikërisht kjo është ajo me të cilën ka të bëjë ky eveniment lansues. Sa i përket liberalizimit të vizave, ka ende punë për t’u bërë. Por, kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Lufta e gjatë kundër krimit

Analistët vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë shans për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin kur realisht mafia e nëntokës kriminale po e sundon Kosovën. Analisti politik Skënder Mulliqi thotë për “Kosova Sot” se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lirohet nga përgjegjësia edhe për faktin së deri në vitin 2008 deri sa u zyrtarizua pavarësia e kishte kontrollin dhe ingerencat e plota mbi Kosovën dhe një pjesë bukur të madhe të fajit për shfaqjen e dukurive negative e bartin edhe vetë ata.

“Duhet të jemi shumë më autonomë në vendime, e jo gjithmonë të varemi nga faktori ndërkombëtar, natyrisht duke punuar ndershmërisht e jo me hile, për ta ndërtuar shtetin tonë ashtu si na ka hije, të përparuar, shtet të fortë, ligjor dhe demokratik”, tha Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”

“Kurrë nuk e luftuan krimin dhe korrupsionin UNMIK-u dhe EULEX-i. Me këtë indolencë shumë i kontribuuan pasurimit të paligjshëm të njerëzve të caktuar të politikës dhe të biznesit dhe vetë atyre. I kontribuuan gjithashtu edhe varfërimit të madh, sikurse nuk bën gjë as në hapjen e vendeve të reja të punës”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Eco Higjiena

Analisti politik Ridvan Emini tha për “Kosova Sot” se kalimi i ligjit për demarkacionin nga ana e Kuvendit të Kosovës është një arritje e vonuar shumë, mirëpo është një hap shumë cilësor në drejtim të forcimit të shtetë- sisë së Kosovës.”Nga ana tjetër kemi deklarimet e zyrtarëve të SBA-së dhe BE-së, të cilët e kanë përshëndetur dhe kanë deklaruar se Kosova do të ketë mbështetjen e tyre (SHBA-të në forcimin e shtetit, ndërsa BE-ja në rrugëtimin e Kosovës për në BE)”, vijoi më tutje ai. Emini shtoi se hapi i cili është edhe si kusht nga ana e BE-së për liberalizim të vizave është luftimi i krimit. “Luftimi i krimit do të ndodhë jo vetëm një ditë, por krimi do të luftohet në mënyrë permanente nga institucionet kompetente të shtetit. Por, një ditë mund të ndodhë që kur zgjohemi në mëngjes të shohim një valë arrestimesh. Kosova në këtë rrugëtim vetëm se do të ketë përfitime dhe njëkohësisht do të ketë forcim të shtetit çdo ditë e më shumë”, ka potencuar analisti Ridvan Emini.

Oligarkët i kanë në dorë krerët e drejtësisë

Eksperti i Integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën ” Kosova Sot” tha se pas faqes së zezë me demarkacionin sigurisht se kushti i vetëm zyrtar si shprehen edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, që kjo punë të kishte sukses, duhet që vullnetarisht të shkojnë në burg Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Isa Mustafa, bashkë me sejmenët e tyre dhe pastaj Kosova do të kishte liberalizim vizash dhe do të ndodhte një avancim i demokracisë në vend.”Që ta shitesh një tokë e të humbasësh tri vite me të njëjtin debat kësisoj edhe Bashkësia Ndërkombëtarë edhe faktori politik e kanë parasysh se me kë kanë të bëjnë. Pra, kemi të bëjmë me njerëz që nuk janë të fjalës dhe njerëz të shitur që gjithçka e vënë në shërbim të lëkurës së tyre pra karriges së tyre. Këtë e pamë mirë edhe me rastin e demarkacionit e sigurisht se edhe faktori politik ndërkombëtar”, u shpreh ai.

“Unë jam skeptik për rezultatet e Qeverisë së Kosovës në këtë. Thjesht në Kosovë kjo kastë politike e ka bërë jetën të padurueshme dhe e ka bërë Kosovën një vend ku nuk jetohet”, tha Jeton Kelmendi

“Çfarë do të ndodhë në të ardhmen unë vërtet jam shumë skeptik se këta njerëz do të bëjnë diçka mirë, sepse për gjithçka këta bëjnë pazare e madje kur bëjnë pazare edhe me tokën e atdheut për të tjerat sigurisht se nuk ka çfarë të flitet”, theksoi Kelmendi. Sipas tij, me këta gjyqtarë e me këtë prokurori nuk ka gjasa as teorike që të ndodhë kjo pasi që të njëjtit janë mekanizma dhe masha të politikës kosovare.”Nuk mundet që kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të arrestojë as Hashim Thaçin, as Kadri Veselin e as Adem Grabovcin, sepse këta e kanë dërguar atje dhe e kanë bërë kryeprokuror. Prandaj, e them lirshëm se hallka më e dobët e shtetit dhe e tërë sistemit është drejtësia, e cila është një mashë e politikës. Por, realisht edhe çdo sektor tjetër që do të duhej të ishte i pavarur është shndërruar në një sektor krejtësisht të dalë dhe të kontrolluar nga politika”, ka thënë Jeton Kelmendi.

Hoxha e ka një afat për vizat

Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat për liberalizimin e vizave dhe përgjegjësia, sipas saj, tani është në anën e institucioneve të Bashkimit Evropian. Deklarata e ministres Hoxha vjen një ditë pas që Kuvendi i Kosovës ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ajo është shprehur optimiste se qytetarët e Kosovës brenda këtij viti do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. “Hapa që tani priten nga institucionet e Bashkimit Evropian janë: fillimi i negociatave për ndryshimin e rregullores 539/2001 në mes tri institucioneve kryesore, Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, pastaj miratimi i rregullores në seancën plenare të Parlamentit Evropian, miratimi nga Këshilli i Ministrave, ceremonia e Këshillit dhe në fund publikimi në gazetën zyrtare dhe hyrja në fuqi”, tha ajo.

“Ne presim që të gjitha këto procedura të mos marrin më shumë se gjashtë muaj, duke u bazuar në praktika të vendeve të tjera që kanë marrë pjesë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka sqaruar ministrja Hoxha. Ndërkohë, sa i përket kriterit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ministrja Hoxha thotë se Kosova ka shënuar progres. “Sa i përket plotësimit të kriterit të luftimit të korrupsionit. Në kuadër të ekipit të përbashkët për luftimin e krimeve serioze, respektivisht udhëheqjes së Prokurorisë Speciale, janë shënuar 39 raste, janë ngritur 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallë të ndryshime të shqyrtimit gjyqësor dhe 7 raste janë përmbyllur në formë të vendimit të prerë. Vlerësimi ynë është se për qëllime të liberalizimit kriteri kundër luftës së korrupsionit ka shënuar progres të mjaftueshëm, por presim vlerësim final nga institucionet e BE-së”, thotë Hoxha.

(Kosova Sot)