Demarkacioni, në rrugë pa krye

Pas vizitës së fundit të shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, në Kosovë dhe mesazhi që përçoi ajo për klasën politike të vendit, Qeveria ka vendosur që gjatë kësaj jave ta sjellë Demarkacionin në Kuvend dhe thotë se ky është kushti i fundit për liberalizimin e vizave.
DY VJET PA KONSENSUS TË POLITIKËS PËR ÇËSHTJET E SHTETIT
Spahiu: Puna e Demarkacionit u qelb fare
Ariana Qosaj-Mustafa, nga instituti KIPRED, konsideron se zhvendosja e çështjes së vizave nga sundimi i ligjit në Demarkacion dhe anasjelltas është një lojë sfiduese, më shumë e karakterit politik që po e luan BEja, ngase ngjashëm ka vepruar edhe me Shqipërinë
Pas vizitës së fundit të shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, në Kosovë dhe mesazhi që përçoi ajo për klasën politike të vendit, Qeveria ka vendosur që gjatë kësaj jave ta sjellë Demarkacionin në Kuvend dhe thotë se ky është kushti i fundit për liberalizimin e vizave. Por, opozita këmbëngul se me këtë plan të Demarkacionit Kosova humb territor. Mirëpo, analistët politikë, njohës të afërt të rrethanave të krijuara, theksojnë se me këtë qasje të ngurtë- suar të politikës dhe mungesë të konsensusit për çështje të interesit të madh të shtetit, klasa politike joserioze po rrezikon ta dërgojë Kosovën në rrugë pa krye, kryesisht nga mungesa e konsensusit politik për Demarkacionin me Malin e Zi. Tani po mbushen më shumë se dy vjet dhe politika është barrikaduar për dhe kundër kësaj marrëveshjeje për Demarkacionin, që po e mban peng Kosovën, kurse klasa politike nuk po gjen konsensus qoftë edhe për ta votuar dhe rrëzuar në Kuvend, në mënyrë që t’i hapet mundësi e re fazës tjetër të rinegocimit të kësaj marrëveshjeje me shtetin fqinj Malin e Zi, ose dërgimin e çështjes në arbitrazh.
“Puna e Demarkacionit u qelb fare”
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, është i sigurt që më në fund kjo yshtje do të shkojë në Kuvend, falë presionit ndërkombëtar dhe do të zgjidhej nyja e madhe e bllokimit të proceseve për Kosovën për fajin e kësaj Qeverie të papërgjegjshme, që nuk ishte në gjendje të bëjë hapa as para dhe as mbrapa. “Çdo qeveri normale, që dështon për 2 vjet me radhë në një çështje, duhet të largohet. Puna e Demarkacionit u qelb fare. Shyqyr që tani do të sillet në Kuvend dhe besoj se votimi i tij do të dështojë”, theksoi analisti politik prof. Nexhmedin Spahiu për gazetën “Kosova Sot”.
Edhe analisti Hidajet Ahmeti ka po të njëjtën pritje nga paralajmërimet e fundit të Qeverisë që Demarkacionin ta dërgojë në Kuvend, kurse për dështimin në pritje ai e fajëson Qeverinë e Kosovës, që në procesin fillestar nuk e ka përfshirë edhe opozitën parlamentare. “Duhet të kemi të qartë se Kosova nuk ka tokë për të falur, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguajë për mosliberalizim vizash. Edhe nëse do të kishte ndodhur një konsensus politik për kalimin e Demarkacionit në Parlamentin e Republikës së Kosovës, është një barrë e madhe që Kosova ta paguajë çmimin enorm për liberalizim vizash. Gjykoj se është i vonuar një konsensus i tillë, pasi që ky konsensus ishte dashur të ndodhte në fillim të këtij procesi. Qeveria e Republikës së Kosovës ka huqur në hapa dhe ka pasur një qasje inatkeqe ndaj këtij procesi, duke injoruar opozitën dhe shoqërinë civile në kontinuitet. Në fillim të këtij procesi ishte dashur të përfshiheshin opozita dhe shoqëria civile e jo të ndodhte një injorim i tillë dhe të arrijmë në një pikë ku të rrezikohet e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj shkaku i inateve politike. Kësaj Qeverie në kontinuitet i ka munguar vullneti politik për ta zgjidhur këtë problem, por njëkohësisht ka pasur një qasje të njëanshme karshi procesit”, është shprehur analisti Ahmeti për gazetën “Kosova Sot”. “Një qeveri e udhëhequr nga një njeri inatkeq, i cili ka frymuar në kohën e sistemit komunist dhe një Presidencë e udhëhequr nga një njeri, i cili ka eliminuar shokët dhe kolegët e tij politikisht, dhe nuk sheh jashtë interesave personale e klanore, një përfundim i tillë nuk është e çuditshëm”, theksoi Ahmeti.
Paniku për qytetarët
Sipas Ahmetit, në procesin e punës së Komisionit qeveritar për Demarkacionin, gjatë gjithë mandatit të kaluar, kanë munguar transparenca dhe llogaridhënia që nga fillimi, prandaj edhe qytetarët kanë krijuar percepcion se Kosova po i fal territor Malit të Zi, pa dashur me gjykuar “vërtetësinë” e këtyre fakteve dhe si pasojë e kësaj ka ngjallur një panik tek qytetarët. “Qeveria përmes metodave manipulative dhe propagandave të ndryshme në mënyrë kategorike ka mbrojtur të “vërtetat” e shumëpërfolura, duke ndërtuar dogma teorike për të “vërtetat” e palëkundshme, të cilat e kanë sjellë Kosovën në një rrugë pa krye. Barra për një bllokadë të tillë bie mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi që ka pasur në duart e saj të gjitha mekanizmat për ta përfunduar këtë proces. Këtë version nuk po e kundërshton vetëm opozita dhe disa deputetë të pozitës, por shumë organizata joqeveritare kredibile, por mbi të gjitha edhe qytetarët e asaj pjese. Qeveria me këtë qasje të gabuar dhe mospërfilljen e fakteve të ekspertëve të pavarur dhe fakteve të tjera të ofruara nga qytetarët, po dëshmon se vetë Qeveria nuk është e interesuar për ta përfunduar këtë proces”, theksoi analisti Ahmeti.
Politologu Arsim Haziri vlerëson se është një fatkeqësi e madhe për skenën politike që po i maltreton qytetarët e pafajshëm me stërzgjatjen e çështjes së demarkimit dhe humbjen e shansit për vizat. “Kjo klasë politike së fundi ka treguar bindshëm se në skenë qëndron vetëm për arritjen dhe përmbushjen e interesave klanore. Të shpenzohen dy vite tregon për papërgjegjësinë e këtyre politikanëve”, është shprehur Haziri. Zvarritja e konsensusit, sipas tij, tregon për pafytyrësinë që ka kjo politikë në relacion me qytetarët. “Elita qeverisëse, përmes betonizimit dhe kryeneçësisë së vet për të mos e trajtuar këtë çështje në nivel më të gjerë, ka bërë që vendi të humbë shumë. Këtë neglizhencë totale të derivuar prej aktorëve qeverisës më së shumti po e vuajnë qytetarët e vendit”, theksoi Haziri për gazetën Kosova sot/