Demarkacioni mund ta shpërbëjë koalicionin

Sipas dinamikës së zhvillimeve politike në vend, kjo javë duhet t’i japë përgjigje përfundimtare qartësimit të rrugës për të dalë nga kriza trevjeçare, në të cilën janë futur institucionet e Kosovës me temat e Demarkacionit dhe të Asociacionit.
JAVË VENDIMTARE PËR QEVERINË PDK-LDK
Dështimi i ratifikimit e çon Kosovën në zgjedhje të reja
“Aktualisht, Kosova gjendet në kohën e Al Kapones, ku nëntoka mafioze kërcënon bizneset, shantazhon qytetarët, të cilët as që guxojnë t’i raportojnë rastet, ku mafiozët bëjnë ligje dhe vendosin. Që të kalojmë nga kjo fazë duhet të presim edhe shumë vjet”, u shpreh analisti Reshat Sahitaj
Sipas dinamikës së zhvillimeve politike në vend, kjo javë duhet t’i japë përgjigje përfundimtare qartësimit të rrugës për të dalë nga kriza trevjeçare, në të cilën janë futur institucionet e Kosovës me temat e Demarkacionit dhe të Asociacionit.
Derisa Asociacioni është stopuar në një mënyrë, falë Gjykatës Kushtetuese dhe interpretimit që nuk po e pranon pala serbe, Demarkacioni mbetet tema e cila do të vendosë edhe fatin e kësaj qeverisjeje krejtësisht jofunksionale. Analistët konsiderojnë se me dështimin e votimit të Demarkacionit në Kuvend, pritet të ndodhë edhe tërmeti i madh në skenën politike në vend, që të prishet koalicioni artificial si tërësisht i pasuksesshëm nga qeverisja ‘korruptive’ që ka funksionuar vetëm me lidhje nepotike e klienteliste. Mirëpo, mbetet një pikëpyetje e madhe pse në Kosovë do të ketë edhe aq shpresë për ditë më të mira për qytetaret, edhe pas këtij shkurorëzimi të paralajmëruar, përderisa mund të ndodhë vetëm riciklimi i një pozite të tejkorruptuar, por edhe opozita që mund të jetë pjesë e kombinimit të ri në koalicionin paszgjedhor nuk është krejt me duar të pastra.
Presioni i Speciales
Prof. Muhamet Kelmendi thotë se koalicioni po shkon drejt përmbylljes së parakohshme të mandatit qeverisës, për shkak të krijimit të tij artificial për interesa klienteliste, kurse arsyeja e thirrjes në dështim të Demarkacionit është vetëm një shkas për arsyetimin publik. “Është marrë si shkas po duket nga partitë në koalicion, çështja e Demarkacioni, që të shkohet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Por, në fakt është fakti tjetër i pamundësisë së funksionimit, sepse kishim një koalicion joreal dhe tipik të interesit grupor dhe financiar. Se a do të kalojë Demarkacioni apo jo, kjo varet kryesisht nga deputetët e PDK-së dhe të LDK-së që e kanë shumicën parlamentare. Është mirë që Demarkacioni mos të kalojë, sepse është humbje e territorit të Kosovës. Ne megjithatë jemi dëshmitarë të një propozimi të deputetëve të LDK-së, që janë kundër Demarkacionit, që i njëjti të votohet, por të rishikohet me Malin e Zi a të dërgohet në Arbitrazh. Këtë e theksova vetëm për faktin se LDK-ja është kundër zgjedhjeve, sepse tash do të humbte ato”, tha Kelmendi. Sipas tij, PDK-ja ka nevojë për zgjedhje tash kur ende nuk ka rënë mbi ta Gjykata Speciale. “Mendohet se ajo do ta dëmtojë shumë këtë subjekt”, tha ai.
Opozita mund të nxjerrë mësim
Zgjedhjet i sheh zgjidhje të vetme për të dalë nga kriza edhe prof. Riza Smaka. “Zgjedhjet tani më janë një realitet, që pritet të ndodhë dhe janë të domosdoshme. Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme ishin të nevojshme edhe më parë e tanimë janë imediate. Kjo për faktin se Qeveria dhe qeverisja e vendit ka dështuar shumë keq pothuaj në të gjitha sferat e jetës shoqërore, socioekonomike, arsimore e shëndetësore. Këtë shtet e ka kapur keq krimi i organizuar dhe korrupsioni. Tregu është nën monopole të oligarkëve me pasuri të fituar në forma të dyshimta kryesisht ilegale. Është tepër e domosdoshme që sa më parë që të ristrukturohet kualitativisht pushteti që nga niveli legjislativ e deri në atë ekzekutiv, sepse kjo do të ishte më mirë për vendin”, tha prof. Smaka për “Kosova Sot”. Sipas tij, nëse opozita ka marrë mësim të mjaftueshëm nga qeverisja e keqe e koalicionit të tanishëm PDK- LDK, ka mjaft mundësi që të përmirësohet dhe t’i japë vendit një qeverisje kredibile dhe në interesat e qytetarit. “Partitë politike opozitare aktualisht nuk e kanë ndonjë kapacitet të madh premtues sa i përket ndryshimit të madh, por me bazë të arsyeshme mund të pritet që në saje të shembullit të keqqeverisjes së deritanishme, të defekteve dhe formave të ndryshme korruptive dhe dështimeve qeveritare, ta japin një platformë konkrete, një projekt serioz për ndryshim cilësor zhvillimor dhe qeverisje në bazë të sundimit të fuqishëm të shtetit ligjor në interes të zhvillimit të vendit, duke e pasur në prioritet ndër prioritete perspektivën e jetës së qytetarit”, tha Smaka për “Kosova Sot”.