Demarkacioni i pazgjidhshëm

Komisioni i ri për demarkacion ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dal me raportin përfundimtar për të gjeturat. Analistët parashohin që çështja mund të shkojë dhe në arbitrazh.
Të gjithë presin që Komisioni i ri për demarkacionin të dal me raport të saktë për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Por, ky proces do të vazhdojë edhe për një kohë derisa Komisioni i ri do të sjellë të dhënat e grumbulluara në terren për të verifikuar humbjen apo jo të 8200 hektarëve tokë gjatë brezit kufitar me Malin e zi, shkruan sot Gazeta Zeri.
Megjithkëtë, ka ende që besojnë se raporti paraprak i komisionit të udhëhequr nga Murat Meha nuk mund hidhet poshtë aq lehtë. Rezultatet e komisionit të parë vazhdojnë të mbështeten nga ish kryeministri Isa Mustafa si dhe presidenti Hashim Thaqi duke fajësuar kështu qeverisjen e re nga kryeministri Ramush Haradinaj se po bëhet shkak që komisioni i ri të zvarrit procesin e liberalizimit të vizave.
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka deklaruar për media se vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë për marrëveshjen e demarkacionit, të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015. “Duhet të gjendet zgjidhja për liberalizimin e vizave, por edhe për plotësimin e kushtit të Bashkimit Europian për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”.
Njëri nga kriteret e mbetura të Komisionit Europian që institucionet kosovare duhet ta plotësojnë për liberalizim vizash llogaritet edhe demarkacioni me Malin e Zi. Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një status të tij në rrjetin social Facebook ka thënë se ka mungesë të përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, që sipas tij vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar. “Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, ka shkruar Thaçi mes tjerash në një status të tij në rrjetin social Facebook. Madje ai i ka quajtur dhe zhurmëkotë.
Kryeministri Haradinaj don t’i jap zgjidhje demarkacionit
Deputetja Time Kadrijaj ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk ka dashur ta zvarris çështjen e demarkacionit, por ka dashur t’i jap zgjidhje. Dhe sipas saj mënyra më e mirë për t’i dhënë zgjidhje ka qenë formimi i një komisioni prej ekspertësh në mënyrë që edhe njëherë të del në terren dhe të verifikojë ku është problemi me demarkacionin. “Mendoj që është vendimi i parë dhe më i rëndësishëm që ka bërë kryeministri Haradinaj. Tani ky komision është duke punuar në terren dhe nuk duam të merremi me deklaratat e askujt, por ne po presim një rezultat të kësaj pune dhe të verifikimit të punës që po bëhet në terren. Komisioni ka pasur dhe disa vizita në vende të tjera”. Kadrijaj mendon se nuk do të shkojë gjatë dhe ky komision do ta sjellë një rezultat për demarkimin e vijës kufitare. “Nuk duhet bërë presion ndaj komisionit qeveritar”, ka thënë ajo duke apeluar që të pritet rezultat për të vazhduar me hapat e mëtutjeshëm. Kadrijaj tha për “Zërin” se rezultati do ta qojë drejt zgjidhjes këtë proces. “Komisioni duhet të sjellë një zgjidhje”. Ajo ka thënë se ata duhet të deklarojnë zgjidhjen adekuate. Kadrijaj ka thënë se ky komision nuk është i asnjë partie politike, por siç shprehet ajo është një komision profesional që mundet të kryejë punën i pavarur dhe pa ndikuar politikisht.
Ndërkaq Shpejtim Bulliqi nga Komisioni qeveritar për demarkacionin ka thënë se ky komision nuk mund të dal “për tri ditë me rezultate, derisa komisionit paraprak i janë dashur tri vite”. Bulliqi tha për gazetën se ashtu siç është planifikuar në kohë optimale do të jepet rezultati. Ai tha se shumë shpejt do të del raporti. Ai theksoi se janë marrë për bazë faktet esenciale. “Shpresojmë se në këtë drejtim kemi hulumtuar dhe kemi fakte të bollshme”, tha ai për gazetën./zeri/