RCCOLA

Demaku: Mërgimtarët, edhe këtu, edhe atje

/ 4 minuta lexim

Megjithatë për Daut Demakun i vetmi shkarkim pozitiv i energjisë negative bëhet në vendlindje, dhe menaxhimi i energjisë pozitive bëhet vetëm aty ku je lindur. Në Mellingen të kantonit Argau të Zvicrës është organizuar një ligjëratë në formë bashkëbisedimi dhe debati ndërmjet mërgimtarëve dhe profesorit të njohur nga Kosova, Daut Demaku.

Takimi u hap nga organizatori i kësaj ligjërate, Mirash Hajdaraj, i cili uroi mirëseardhjen dhe shfaqi kënaqësinë për realizimin e kësaj tryeze të rrumbullakët së bashku me profesorin nga Kosova.

Profesori i mendimit pozitiv, Daut Demaku, i ka porositur mërgimtarët që të mos merren me politikën, por të kthehen me fytyrë nga vetëvetja.

„Për shumicën në mërgim politika është temë kryesore, Kosova dhe gjendja atje. Politikën e bëjnë kuzhinat politike të shtetit“, tha Demaku, duke porositur mërgimtarët që megjithatë të mos bëjnë ndasi me vendlidjen, kur thonë: na këtu, e ju atje.

„Evropa nuk është mërgim. Ju nuk jeni as këtu, e as atje. Por ju jeni edhe këtu, edhe atje“, tha shkrimtari ynë i njohur dhe promovuesi i idesë së mendimit pozitiv, Daut Demaku.

Demaku tha të kenë bërë mrekulli mërgimtarët duke ndihmuar deri tani familjet e tyre në Kosovë.

Por, tash e tutje profesori u shpreh skeptik se mund të ndodhë e kundërta.

Megjithatë për Daut Demakun i vetmi shkarkim pozitiv i energjisë negative bëhet në vendlindje, dhe menaxhimi i energjisë pozitive bëhet vetëm aty ku je lindur.

Profesori nga Kosova porositi të gjithë mërgimtarët që të ndihmojnë njëri-tjetrin se në këtë mënyrë i shërbejnë edhe atdheut.

Uji Dea

„Paraja e gatshme nuk i jepet mikut, por armikut. Mikun duhet ta mësoni të punojë. Krijoni kushte për të punuar, por jo t’i shndërroni në dembelë“, tha Demaku në Melingen të Zvicrës.

„Mërgimi e ka bërë dhe e ka financuar luftën në Kosovë, e ka organizuar shtetin paralel në Kosovë, po e mban gjallë Kosovën. Edhe sot kur të vini në Kosovë, vini për punët tuaja, për familjet tuaja, për interesat tuaja. Ne ju shfrytëzojmë. Duhet të jeni të vetëdijshëm dhe të mos hidhëroheni“, tha shkrimtari ynë i njohur, Daut Demaku.

Profesori tha se megjithatë Kosova po ecën në rrugë të mirë dhe një ditë do të bëhet Hon Kong.

„Kosova është shtet i vogël me resurse të jashtëzakonshme njerëzore,tokësore dhe nëntokësore. Kosova është shembull për vendet e rajonit. Nuk është ajo që e kemi dashtë. Por është në rrugë të fitimit. Sigurisht do të vijë ajo ditë që ata që e kanë dashur atdheun, kanë thënë se jetoj dhe po vdes për atë ditë kur të tjerët do të lakmojnë që të jenë shqiptar“, tha në këtë ballafaqim me mërgimtarët Demaku.

Profesori ka folur edhe për idenë e mendimit pozitiv dhe për sukseset e rrezatimit pozitiv që sjell për të gjithë ata që e aplikojnë në jetën e tyre.

„Nëse njerëzit nuk gjejnë harmoninë ndërmjet materiales dhe shpirtërores, kurrë nuk do të jenë të lumtur. Të gjitha sëmundjet e kanë origjinën në mendimet negative. Qetësia në këtë plan është hyjnore për një jetë të suksesshme“, tha profesori i mendimit pozitiv.

Kjo ligjëratë interesante e profesorit Daut Demaku ka zgjuar kurreshtjen e mërgimtarëve.

Mërgimtarë bënë shumë pyetje, për të cilat morën përgjigje dhe bashkëbiseduan për jetën në mërgim, por edhe pyetje të natyrës se çfarë raportesh duhet të kenë prindërit me fëmijët. Si dhe pyetje se cilat raporte duhet t’i ruajnë me vendlindjen.

Profesori ka premtuar se do të jetë i pranishëm në Zvicër sa herë që kërkojnë mërgimtarët.(albinfo)