Demaçi: Nuk dua të jem president ceremonial si Atifetja

Adem Demaçi, ka refuzuar postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se nuk dëshiron të zgjidhet president sikurse presidentja e tanishme Atifete Jahjaga.
“Nuk dua të jem unë president i një vendi pa kompetenca apo tjetër kush të përzihet në punën e presidentit. Nuk dua të jem president të më ngre ndokush për kërpesh. Para një viti kur partitë politike zgjodhën Atifete Jahjagan për presidente, ajo siç u pa deri tash më shumë u shërbye si stoli dhe për ceremoni e jo si presidente e popullit. Prandaj unë nuk dua të jem president ceremonial si Atifetja”, ka thënë Demaçi për Presheva jonë.
Këtë refuzim, veprimtari Adem Demaçi, e ka bërë pasi që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, është shprehur i gatshëm ta votojë Adem Demaçin për president të Kosovës.
“Faleminderit prej Hashimit, faleminderit prej qeverisë që janë kujtuar, që kanë menduar mirë për mua. Ata e kanë bërë punën e vetë edhe unë po e bëj tash timen duke ju përgjigjur atyre me një falënderim të madh dhe me një refuzim gjithashtu të madh”, ka thënë Demaçi.