Demaçi: Lugina, të tregoj se është e gatshme për luftë

Problemin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e ka komentuar edhe veprimtari Adem Demaçi. Në këtë rast, Demaçi thotë se pa bashkimin e shqiptarëve të asaj pjese, nuk mund të bëhet asgjë.
Demaçi u ka sugjeruar shqiptarëve të asaj pjese, që të tregojnë se janë të gatshëm të japin jetën për lirinë e tyre, e jo të shikojnë karriget dhe luftën për pushtet.
“Ai lapidar atje është faktikisht një lapidar për luftën e madhe që e ka bërë ai popull për ekzistencën dhe të drejtat e veta. Por duhet të veprojnë në kuptimin që me e lënë të gjithë luftën për pushtet, e këto dallavere që po shtyhen mes vete dhe ta krijojnë një organizëm që i bashkon të gjithë ata shqiptarë atje, sepse ata nuk munden të ndarë. Aty është çështja e 100 mijë banorëve, se nëse ai popull atje nuk bashkohet dhe nuk bëhet unanim për mi mbrojt ato të drejta për të cilat kanë derdh gjak, me shkrime, me lutje, nënshkrime e pallavra nuk fitohet. Ai popull i cili nuk është i gatshëm të vdes për lirinë e vet, d.m.th atëherë s’mundet me i ndihmu askush. Evropa është vetëm duke na provuar se sa jemi të gatshëm të luftojmë për të drejtat tona, dhe prandaj ne të bashkuar mund ti tregojmë”, thotë Demaçi.
Sipas veprimtarit, Adem Demaçi, udhëheqësit e Luginës duhet të bashkohen dhe të kenë vetëm një kërkesë, që të kërkojnë të drejta aq sa serbët kanë të drejta në Kosovë.
“Deri sa neve këtu në Kosovë na detyruan me ju dhënë pakicës serbe të drejta që si ka askush në botë, e ne ua dhamë. Ndërsa tash Evropa, këta miqtë tanë, nuk po e shohin këtë punë dhe po mendojnë se serbët janë me t’vërtet popull hyjnorë kurse populli shqiptarë janë do far idiotësh që munden të jetojnë edhe me robëri edhe pa të drejta e pa kurrgjë hiq. Edhe ata duhet të lidhen me një organizëm kombëtarë, të përbashkët edhe le të dihet kush po komandon që të bëhen më një zë dhe një kërkesë. Kërkesa është që, aq sa kanë serbët të drejta në Kosovë si pakicë, aq të kenë edhe shqiptarët në Preshevë”, ka thënë Demaçi, i cili ka aluduar që si shembull për preshevarit të merret pakoja e Ahtisarit.
“Mos me zgjatë shumë muhabet, po Ahtisari le të zbatohet edhe për shqiptarët. Atëherë puna zgjidhet. Pasi që ekziston mënyra se si Evropa e ka zgjidh problemin e pakicave në Kosovë, kjo Evropë duhet me e zgjidh edhe problemin e shqiptarëve në Serbi, nëse duan të jenë të qetë Evropa, serbët dhe shqiptarët”, ka theksuar Demaçi.
Sipas Demaçit, bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, do tu jepte mësim Serbëve dhe do të tregonte seriozitetin e vet, dhe sipas tij edhe Serbia do ta kuptonte që nuk është hajgare.
“Kur janë të bashkuar, e sheh edhe Serbia që s’është hajgare kjo punë, e sheh edhe Evropa që s’është hajgare, atëherë edhe Kosova dhe Shqipëria detyrohen me e dhënë ndihmesën e vetë, atëherë ju ndihmon edhe e gjithë bota”, thotë Demaçi.(D.H/ORAinfo)