Demaçi kërkon shesh e shtatore për Esad Mekulin

/ 5 minuta lexim

Prishtinë – Kompleti i veprave të veprimtarit Adem Demaçi është promovuar në një ngjarje maratonike që është organizuar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Ajo që shtetit i ka kushtuar 90 mijë euro, përfshirë 40 mijë eurot që Demaçi i ka marrë si honorar për veprat e shkruara dikur – të ndara nga Qeveria me dy vendime – ka bërë bashkë studiues e adhurues të librit. E organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, së cilës i prin vetë Demaçi, në ceremoni është ndarë edhe çmimi vjetor për letërsi “Esad Mekuli”. Ky çmim i ka takuar Flora Brovinës. Akademik Rexhep Qosja, Shefkije Islamaj, Shyqyri Galica, Sadri Fetiu, Myrvete Dreshaj kanë lavdëruar veprën dhe kontributin e Adem Demaçit.

E ky i fundit bëri të njëjtën gjë për Esad Mekulin. Demaçi ka thënë se ndaj Mekulit duhet ndier borxhli, e borxhi, ka bindjen ai, nuk po shlyhet. Demaçi ka kërkuar një shesh bashkë me një shtatore për Mekulin. “Ne po bëjmë përpjekje që emri i Esad Mekulit të mos harrohet, por nuk po shoh se jemi duke bërë diçka. Asnjë shesh në Kosovë nuk e mban emrin e tij. Këtë nuk do të na e falin gjeneratat për të cilat shkroi, u përpoq dhe u dogj deri në atomin e fundit i madhi Mekuli”, ka thënë Demaçi, teksa ka folur për gati 10 minuta për intelektualin, emrin e të cilit e mban çmimi kryesor të cilin e ndan LShK-ja.

Në fakt manifestimi letrar që tash mban emrin e Esad Mekulit bashkë me çmimin, dikur e ka mbajtur emrin e Hivzi Sulejmanit. Me t’u emëruar si Demaçi kryetar i LShK-së, para tre vjetësh emri i manifestimit u ndërrua.

Propozimin e Demaçit zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi, ka thënë se do angazhohet që ta konkretizojë. “Baca Adem veç ma caktoi një detyrë dhe me krenari do ta marr atë dhe do të përpiqem që me mundësitë tona, bashkë me Komunën e Prishtinës, do të arrijmë ta realizojmë”, ka thënë Abazi, i cili ka shtuar se kjo duhet të jetë vetëm nisma. Botimin e kompletit të Demaçit ai e ka cilësuar si akt që krijon kushte për ruajtjen e themeleve të kombit. Por për Demaçin ka folur gjatë një panel i studiuesve. Por para kësaj vend i është lënë një ore letrare që i është kushtuar 60-vjetorit të krijimtarisë dhe 80-vjetorit të lindjes së poetit Nuhi Vinca. Në LShK janë anëtarësuar edhe tre anëtarë të rinj. Pika muzikore të kompozitorëve vendas e leximi i poezive të Esad Mekulit kanë qenë gjithashtu pjesë e programit. Në sesionin e pasdites janë ndarë edhe tri çmime për poezi. Çmimin e parë për poezinë më të mirë e mori Bedri Neziri, të dytin Sarë Gjergji, ndërsa çmimi i tretë i takoi Bilall Maliqit.

Akademik Rexhep Qosja simbolin e rezistencës e ka cilësuar edhe si shkrimtar të veçantë. Ai ka thënë se vepra letrare e Demaçit “nuk është e madhe për nga vëllimi, por është shumë e madhe për nga vlera letrare, dhe në të njëjtën kohë edhe për nga rëndësia dhe vendi që në historinë politike të popullit shqiptar dhe në historinë e letërsisë shqipe zë krijuesi i saj”.

UBT

Për Shefkije Islamajn janë të paktë shkrimtarët shqiptarë të cilët jo vetëm me veprën artistike po edhe me emrin e tyre sugjerojnë, nxisin dhe kërkojnë përcaktim të saktë e të palëkundshëm. E sipas saj, i tillë është shkrimtari Adem Demaçi.

Shyqri Galica, njëherësh nënkryetar i LShK-së, ka thënë se krijimtaria letrare e Demaçit dëshmon prirjen dhe përkushtimin e shkrimtarit për t’u futur aq thellë në botën komplekse të popullit të tij, që po përjetonte një atmosferë shtypjeje e terrori jugosllav, që po rëndonte mbi një pjesë të popullit shqiptar që ishte pushtuar nga fqinjët.

Për Myrvete Dreshajn-Baliun, të parë në tërësinë e tyre, veprat e Demaçit përveç tekstit dramatik bartin gjithë dramën shpirtërore dhe sociale të shqiptarëve të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Studiuesi Sadri Fetiu ka folur për veprën “Alb Prometheu” të Demaçit. “Duke krijuar një vepër të këtillë romansieri Adem Demaçi e ka hapur shtegun edhe për kultivimin e zhanrit fantastiko-shkencor në traditën e romanit shqiptar”, ka thënë Fetiu.

Veç kësaj vepre, kompleti i Demaçit përmbledh edhe nëntë vepra të tjera. “Gjarpinjtë e gjakut”, “Libër për vetëmohim”, pjesa e parë e “Heli e Mimoza”, pjesa e dytë e “Nëna Shegë e pesë gocat”, pjesa e tretë e “Dashuria kuantike e Filanit”, drama “Politika dhe pushka”, libri me tregime “Fërkime” dhe ai me poezi “Tung, vargu im”.(koha)