Eko Higjiena

Demaçi: Do të bashkohemi me Shqipërinë

/ 3 minuta lexim

Është shënuar 100-vjetori i Kuvendit të Kurillovës, i njohur si Kuvendi i Besës dhe i ngritjes së Flamurit në Vesekofc, të shtunën.

Në vendin ku përpiqen tri komunat, Mitrovica, Vushtrria dhe Podujeva, ku 100 vjet më parë Isa Boletini mbajti Kuvendin, u mblodhën qytetarë nga këto tri komuna, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetarët Avni Kastrati, Bajram Mulaku e Agim Veliu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, veprimtari Adem Demaçi dhe familjarë nga Isniqi dhe të Isa Boletinit.

Fillimisht u ngrit flamuri i Isa Boletinit, e pastaj kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati foli për qëndresën, vizionin dhe përpjekjet e dëshmorëve ndër shekuj në luftën për liri. Ai e veçoi kontributin e kryetrimit Isa Boletini, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit dhe të tjerëve, shkruan “Zëri”.

Ndërkaq, veprimtari Adem Demaçi e vlerësoi Isa Boletinin si gjeneralin e gjeneralëve pa diplomë, i cili posa mbajti Kuvendin e Besës, nxitoi për në Vlorë për të marrë pjesë në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Mobi Casa

“Sot kur Shqipëria po rilind, të gjithë atyre që nuk besojnë u them se do të bashkohemi me Shqipërinë”, siguroi Demaçi, i cili përkujtoi se historia jonë është shkruar me gjak, por kjo nuk i ndaloi përpjekjet tona për liri e pavarësi.”Për ata fqinjët që vringëllojnë thikat i porosis që ta kuptojnë realitetin
,pasi siç kanë humbur luftën e fundit do t’i humbin të gjithë luftat me ne”, ka porositur fqinjët serbë, veprimtari Adem Demaçi, i cili porositi gjithashtu të gjithë shqiptarët që të mos kënaqen me të arriturat, por të vazhdojnë shembullin e këtyre burrave të mëdhenj.

Në emër të familjes Boletini, pjesëmarrësit, posaçërisht mysafirët nga Isniqi, i ka falënderuar, Gazmend Boletini, ndërsa më pas, për Kuvendin e Besës folën historianët Fehmi Pushkolli, Mariglen Vejsi, Fatmire Musa dhe Haki Kosumi. Mariglen Vejsi citoi fjalët e Isa Boletinit, të cilat ua kishte thënë krerëve të Portës së Lartë: Unë kam ngrit kokën për Shqipërinë, jo për veten time dhe unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”.

Fatmire Musa vlerësoi se pasi që Isa mori besën në Kuvendin e Kurullovës për luftën për çlirimin e trojeve shqiptare, ai nxitoi në Vlorë, për t’iu gjendur afër Ismail Qemailit, e pastaj formoi gardën e parë të shtetit dhe ofroi siguri dhe shtrirje në të katër vilajetet.
Në fund, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ai i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, kryetari i Podujevës, Agim Veliu dhe Adem Demaçi zbuluan pllakën përkujtimore.