Hidromorava

Demaçi: Dacici, nxitës i destabilizimit të Luginës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Pak ditë pas sulmit në stacionin policor afër kufirit aktual Serbi-Kosovë, në Dobrosin, dhe pas arrestimeve të fundit në Bujanoc, veprimtari i shquar, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi bën përgjegjës Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar.

Ai thotë se serbët në Kosovë janë minoriteti më i avancuar, por edhe më i privilegjuari në botë, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës janë sot popullata më e pazhvilluar dhe më e diskriminuar në Evropë.

“Në Tërnovc e në Breznicë nuk ndodhi asgjë, atje nuk gjuajti askush, por xhandarmëria serbe vetëm dy ditë para zgjedhjeve, herët në mëngjes ndërmori një aksion dhe u futën pa leje në shtëpitë e shqiptarëve, duke trembur gra e fëmijë dhe arrestuar kë të mundën dhe dërguar në Beograd”, tha Adem Demaçi në një intervistë për agjencinë “Presheva Jonë”, duke shtuar se ish-bashkëpunëtori i Milosevicit, Ivica Dacic, është i interesuar për stabilitet, por për acarim të situatës.

Sipas tij, shqiptarët dhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë se që nga përfundimi i luftës, e marrëveshja e Konçulit, dhe e Kumanovës e deri më sot, asnjë marrëveshje nuk është zbatuar.

“Moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë mund të sjellë pasoja dhe surpriza në tensionimin e situatës në terren”, tha ai.

Demaçi thotë se “nëse Dacic dhe Serbia vazhdojnë me këtë politikë antishqiptare, atëherë ka ardhur koha që tashmë të zgjidhet edhe çështja shqiptare e Luginës së Preshevës, sepse asnjë problem nuk mund të zgjidhet pa një shkak”.

ARKATANA

Sipas tij, ky shkak sot është Serbia, dhe politika diskriminuese dhe antishqiptare e Beogradit. Edhe për rezistencën shqiptare ndaj kësaj pakënaqësie, Adem Demaçi bën fajtore Serbinë.

“Serbia e sotme e Dacicit po tregohet më agresive dhe më egër se ajo e para lufte dhe nuk do të ishte çudi ndoshta pse ndodh kështu, kur dihet se sot Serbia udhëhiqet nga partizanë dhe bashkëpunëtorë të diktatorit serb, pasardhësve të Milosevicit”, tha Demaçi.

Demaçi bën me dije se Serbia me politikën e saj të dhunës dhe presionit sistematik ia ka dalë me sukses të realizojë projektet e spastrimeve etnike, duke filluar nga Medvegja, qytet ky i cili dikur ishte i populluar me shumicë shqiptare, ndërsa sot kanë mbetur një grusht shqiptarësh.

“Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë për serbët në Kosovë, përderisa shqiptarëve të Luginës ia mohon. Ne jemi pajtuar në Kosovë që serbët duhet të gëzojnë të drejtat e tyre sipas normave ndërkombëtare, por edhe shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë këto të drejta as më pak e as më shumë se serbët e Kosovës.

Krejt bota e dinë se shqiptarët janë popullata më e pazhvilluar, më e papunësuar dhe më e diskriminuar në Evropë. Atje shqiptarët nuk kanë të drejtë as për flamur, nuk ka as universitet, gjëra të cilat serbët i posedojnë në Kosovë”, tha Demaçi. /Telegrafi/