Delegacioni i Shoqërisë Civile nga Lugina e Preshevës takon Ministrin Berisha në Beograd

Një delegacion i lartë nga Lugina e Preshevës, i udhëhequr nga kryetari i Shoqërisë Civile, z. Nexhmedin Saqipi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, realizoi një vizitë zyrtare dhe miqësore në Ministrinë e të Drejtat të Njeriut e të Pakicave dhe Dialogut Social në Beograd, ku u prit nga ministri në detyrë, z. Demo Berisha dhe stafi i tij.
Qëllimi i kësaj vizite ishte shumë më tepër se një takim urimi për emërimin e ministrit të ri – ajo shërbeu si platformë për të hapur diskutime të rëndësishme për gjendjen politike, ekonomike, kulturore, arsimore dhe sociale të shqiptarëve në Serbi, me theks të veçantë në trevat e Luginës së Preshevës.
Në emër të delegacionit, z. Saqipi e uroi ministrin Berisha për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar sukses në këtë përgjegjësi të lartë dhe duke shprehur bindjen se përvoja dhe përkushtimi i tij do të jenë në funksion të avancimit të të drejtave të pakicave në Serbi, veçanërisht të asaj shqiptare.
Z. Saqipi e informoi ministrin Berisha për sfidat konkrete me të cilat përballen shqiptarët në Serbi, sidomos në sektorin e arsimit në gjuhën amtare dhe informimit në mediat lokale, duke përmendur pengesat institucionale dhe mungesën e mbështetjes sistematike.
Ministri Demo Berisha, duke falënderuar delegacionin për vizitën dhe vlerësimet, theksoi se do të jetë në shërbim të adresimit të çështjeve me të cilat ballafaqohen pakicat kombëtare, me një përkushtim të veçantë për pakicën shqiptare që, sipas tij, meriton më shumë vëmendje institucionale. Ai u zotua se do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve strukturore që prekin komunitetet pakicë dhe garantoi se së shpejti do të vizitojë Luginën e Preshevës për të parë nga afër gjendjen në terren.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të komunikimit institucional dhe thellimit të bashkëpunimit mes përfaqësuesve të komuniteteve pakicë dhe institucioneve shtetërore në Serbi./rajonipress/