Uji Dea

Deklarata e Marko Gjuriqit, paralajmërim i luftës blic për veriun e Kosovës

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Sadri Ramabaja – Çështja merr përmasa tragjike për ne, meqë aktualisht kemi një qeveri kukull që, “de fakto”, kontrollohet nga Beogradi dhe kjo e bën situatën tejet alarmante. Shih për këtë, deklaratat e Gjuriqit duhen trajtuar si kambana alarmi.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën që vepron në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, tashti ka marrë fuqi për të shpërndarë gjithandej deklarata të kësaj natyre, meqë Qeveria jonë dhe Kuvendi i Kosovës miratuan krijimin e kësaj gjykate politike, që ka për qëllim të sjellë para drejtësisë jo vetëm individët përgjegjës të mundshëm për ndonjë krim individual por, “de fakto”, vetë UÇK-në si institucioni më i lartë i lirisë që ka prodhuar Kosova, ky krah i Shqipërisë, në historinë e vet.

Në fakt, në pjesën e dytë të deklaratës Gjuriqi vetëm e ka përsëritur deklaratën që nën dhëmbë e jashtë syrit të opinionit, e thonë edhe personalitete të larta të partnerit qeverisës në qeverinë aktuale, prej kryemarionatës Isa Mustafa, e deri tek zyrtarët lokalë të kësaj force politike.

Se kush ka kryer krime në Kosovë, tashmë opinioni i gjerë e ka të qartë. Çështja është se, nëpërmjet njollosjes së UÇK-së, ndjekjes së luftëtarëve të lirisë, Gjuriqi dhe mbështetësit e tij gjithandej, përveç dëmtimit të historisë, po pretendojnë të krijojnë alibinë për humbjen e Kosovës para opinionit të vet, respektivisht për një lufte blic të mundshme për veriun e Kosovës.

Këto deklarata duhet ndërlidhur edhe me zhvillimet e pritshme në Republikën Serbska në Bosnjë, ku po përgatitet terreni për veprime me karakter gjeopolitik, të ngjashme me atë të Rusisë në Krime. Shih për këtë Gjuriqi në deklaratën e tij zë në gojë shifrën areale prej gjoja 247 000 serbëve, që gjoja na qenkan shpërngulur nga Kosova. Natyrisht si Gjuriqi edhe shefat e tij, e kanë të qartë se në Kosovë , kurrë në historinë e saj, nuk kanë qenë 247 000 serbë. Kjo shifër nuk është arritur edhe pas valëve më të suksesshme të kolonizimeve të Serbisë në Kosovë, në vitet mes dy luftërave botërore. Natyrisht, këto të dhëna ata i dinë, meqë vetë i kanë bërë të gjitha regjistrimet gjatë gjithë shekullit të kaluar, prej atij të parit – 1921 e deri tek ai i fundit, ku shqiptarët ishin të përfshirë në regjistrim – 1981. Por, në realitet kjo shifër nuk është shënuar madje as edhe në regjistrimin formal të fundit që ka kryer Serbia në Kosovë, në vitin 1991.

Gjuriqi dhe shefi i tij, si pinjoll jo vetëm biologjik, por edhe ideologjik, të Millosheviqit, tek sillen tashti kaq paqësor (sic!), bëjnë sikur lufta e fundit për Kosovën të kishte ndodhur në Mesjetë, e jo në vitin 1998/1999!

Janë të freskëta në memorien e opinionit publik masakrat serbe gjithandej në Kosovë, edhe ajo e kryer në Makoc, në prag të përfundimit të luftës, e në të cilën ishin pjesëmarrës shumë nga njësitet elitare, të rregullta të ushtrisë serbe, që jo pa qëllim ata i cilësonin si paramilitarë për të shpërndarë përgjegjësinë e zinxhirit komandues deri te S. Milosheviqi.

ARKATANA

Natyrisht, meqë shumica absolute e serbëve që ishin vendosur në periudha të ndryshme në Prishtinë, që nga viti 1913 e deri tek ata të fundit që ishin sjellë nga Knini në Kodrën e Diellit, disi ngjashëm me këta që po pretendojnë t’i sjellin në Luginën e diellit në Mitrovicë, ishin kolon të vendosur në Prishtinë në periudha të ndryshme dhe kishin marrë pjesë aktive në krime ndaj fqinjëve të tyre.

Nëse shikohet koha e vendosjes së këtyre kolonëve dhe rrethimi që i ishte bërë Prishtinës nga jashtë fillimisht, për të vazhduar pastaj me lagjet brenda qytetit, lehtë është e venerueshme tendenca për të mbytur elementin shqiptar dhe për ta detyruar atë të marrë rrugët e mërgimit. Kjo kategori kolonësh, si pjesëmarrës aktiv në krimet e ushtruara gjatë luftës në vitet 1998/99, pas detyrimit të ushtrisë serbe për ta lëshuar Prishtinën dhe Kosovën në qershor 1999, nuk kishin si rrinin në vendin e krimit.

Deklarata luftënxitëse e Gjuriqit, si kjo e fundit, edhe ato pararendëset, kanë prapavijën e vetë politike. Strategjia serbe tashmë është e lexueshme.

Çështja merr përmasa tragjike për ne, meqë aktualisht kemi një qeveri kukull që, “de fakto”, kontrollohet nga Beogradi dhe kjo e bën situatën tejet alarmante.

Natyrisht ky është një fakt shtesë përse opinioni publik do të duhej të bënte presion për rënien e kësaj qeverie, ndërkaq Kombi të reagoj si një trup i vetëm për mbrojtjen e interesave jetike, nëse e lyp nevoja.

Shih për këtë, deklaratat e Gjuriqit duhen trajtuar si kambana alarmi.