RCCOLA

Deimel: Nuk do të kemi shkrirje të shpejtë të strukturave paralele serbe

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Zgjedhjet janë vetëm një hap në shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë, thotë në intervistë me Deutsche Welle, ekspertja për Ballkanin dhe zëvendësdrejtuesja e Shoqatës së Evropës Juglindore, Johanna Deimel.

Më 28 nëntor, Kosova nis zyrtarisht negociatat me BE-në për marrëveshjen e stabilizim-asociimit, MSA. Një ditë historike për Kosovën në rrugën e integrimit evropian. Ishte ky ndër të tjera edhe një shpërblim për përparimin e dialogut me Serbinë?

Deimel: Nuk mendoj se ishte një shpërblim i drejtpërdrejt për këtë, por për përmbushjen e kritereve dhe hapave që kërkohen, gjë që mundëson edhe hapjen e negociatave. Njihet kjo përvojë e integrimit dhe e negociatave që zhvillon BE në raundet e zgjerimit, që përfshirja është shumë më e mirë se përjashtimi. Në këto procese negociatash, megjithë faktorët politikë e gjeopolitikë që mund të luajnë ndonjë rol, në fund të fundit bëhet fjalë për plotësimin e kritereve. Dhe Kosova po punon për t’iu afruar BE-së.

Më 3 nëntor mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, kësaj here të një rëndësie të veçantë, sepse për herë të parë marrin pjesë edhe serbët. Çfarë mund t’i vështirësonte këto zgjedhje?

Demiel: Natyrisht nuk është e lehtë për serbët që duhet të përshtaten tashmë. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes së prillit, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit e të ndërmjetësuar nga BE. Serbët kanë shumë frikë nga këto zgjedhje lokale. Serbët e veriut ndjehen të braktisur, apo kanë frikë se mund ta humbasin tërësisht mbështetjen e Beogradit. Dihet që ata duhet të integrohen në institucionet kosovare. Nga ana tjetër ende nuk mund të flasim për besim të serbëve tek pala kosovare.

Si mund të kuptohet kjo frikë konkretisht?

Demiel: Serbët në veri kanë frikë se ata brenda një nate do të ndodhen në një situatë të re ekonomike. Konkretisht do t’u ndërpriten fondet që ata merrnin nga Beogradi. Çdo gjë duhet bërë transparante. Shumë vetë janë zyrtarisht punonjës shtetërorë që firmosin në borderotë serbe. Të gjitha janë vende pune që do të shkurtohen. Shumë do të humbasin vendin e punës e rrogën. Pra, kjo frikë që ekziston tek serbët ka të bëjë me humbjen e të ardhurave, perspektivës jetësore.

Mund të ndikojë frika tek pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje?

Demiel: Unë nuk pres një pjesëmarrje të lartë të serbëve të veriut në zgjedhjet e 3 nëntorit. Kjo do të jetë pika më e vështirë e këtyre zgjedhjeve.

Të kthehemi tek çështja e besimit: domethënë veç problemeve përgatitore për zgjedhjet, pala kosovare duhet të kishte punuar më shumë për të fituar besimin e serbëve e që ata të dilnin në zgjedhje?

Uji Dea

Demiel: Kjo nuk është një çështje e sotme, ajo ekziston më së voni nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Shumë gjëra lidhen me dëshirën e Prishtinës për të ofruar dorën, por për shkak se veriu gati u shkëput plotësisht nga Prishtina dhe u mbështet nga Beogradi në të njëjtën kohë, ky afrim u vështirësua edhe më shumë. Tani, në moment, megjithë disa probleme për udhëtimin e politikanëve serbë në Kosovë, duhet vlerësuar që Prishtina po përpiqet të reagojë shumë e moderuar dhe të mos lerë shtigje për shkallëzimin e situatës.

Sa do ta zgjidhin këto zgjedhje lokale problemin e shumëdiskutuar të të gjitha strukturave paralele serbe në veri? Ndryshe, kur mund ta presim shpërbërjen e tyre?

Demiel: Jo. Do të ishte një iluzion. Duhet thënë se zgjedhjet janë një hap i parë dhe mjaft i rëndësishëm për heqjen e strukturave paralele. Por, zgjedhjet nuk e zgjidhin këtë problem. Ato janë vetëm një hap në zgjidhjen e problemit. Duhet të kujtojmë se kërkohet heqja e strukturave paralele të sigurisë, gjë që po bëhet. Por, kërkohet edhe heqja e strukturave politike paralele. Kjo do të varet shumë nga pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve. Si edhe më parë, shumica e serbëve të veriut janë për bojkotim të zgjedhjeve. Por, le të analizojmë një skenar: sikur kemi një pjesëmarrje zgjedhore 15-20 për qind, e prej këtyre zgjedhjeve dalin forca politike që e shohin veten si legjitime, dhe që mund të integrohen në institucionet e Kosovës. Edhe sikur të ndodhë kështu, kjo nuk do të thotë se paralelisht me këtë nuk do të rezistojnë forcat e tjera politike që do të vazhdojnë bojkotin. Pra, nuk do të kemi një shkrirje kaq të shpejtë të strukturave paralele.

Ka pasur zëra në media bazuar në një studim të një organizate amerikane (IHS Jane’s) se pas 3 nëntorit në Kosovë, nëse nuk shkrihen shpejt strukturat paralele, ka rrezik të trazirave sociale, që mund të ndikojnë edhe në gjendjen e sigurisë. Sa realist është një skenar i tillë?

Demiel: Qëllimi duhet të jetë shpërbërja e strukturave paralele, por trazirat sociale – e theksoj sociale – nuk do të lidheshin direkt me shpërbërjen ose jo të këtyre strukturave, por do të lindnin nga diçka tjetër: sa janë të garantuara për serbët shërbimet sociale e shëndetësore etj., dhe sa mund t’i marrin vërtet ata këto shërbime, në arsim, shëndetësi e kudo. Për këtë nuk ekziston besimi. Unë në këtë pikë shoh potencial për trazira sociale.

Organizimi i zgjedhjeve lokale edhe në veri, bashkë me lëshime të tjera të Serbisë, mund të konsiderohet si një pranim në heshtje i realitetit të ri, pra indirekt pranim i Kosovës si shtet?

Demiel: Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë pikë. Bëhet fjalë që të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe qëllimi final i bisedimeve është përmirësimi i jetës së njerëzve. Ky është toni kryesor që duhet të ketë dialogu shqiptaro-serb. Që marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të përmirësohen, ky është edhe një kusht brenda kontekstit të integrimit evropian. Ky është i rëndësishëm për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë. Sigurisht kjo nuk bëhet pa lëshime që edhe dhembin. Por, kjo nuk do të thotë njohje e Kosovës dhe një gjë e tillë as nuk kërkohet.

EULEX-i në Kosovë ndodhet mes disa zjarresh, e duket se nuk është shumë i dëshiruar atje. Do të ndryshojë diçka për punën e EULEX-it pas këtyre zgjedhjeve?

Demiel: Për EULEX-in është shumë e vështirë, ju jap të drejtë. Shumë shqetësues ishin plumbat vdekjeprurës ndaj një punonjësi të EULEX-it. Ajo që mund të shpresojmë është që EULEX-i të lëvizë lirisht. Kjo është edhe një nga kërkesat e dialogut – lëvizja e lirë. Ai duhet të veprojë edhe në veri. Gjermania aktualisht ofron drejtuesin e misionit. Për ne është, si më parë, shumë e rëndësishme që EULEX-i të ketë ndikim në terren. Dhe, ende Prishtina ka nevojë për asistencë në përafrimin me parimet e shtetit ligjor dhe në punën e organeve policore. /DW/Telegrafi/