RCCOLA

Degradimi social dhe infantiliteti kulturor

/ 9 minuta lexim

Nga Nexhat Buzuku – Refuzimi është vetëpohimi i qenies dhe i qenësisë njerëzore. Refuzimi i të keqes, i dekadentes, i poshtërimit, i injorancës, i nënçmimit, jo injorimi i tjetrit, i mendimit të tjetrit, i qasjes së tjetrit, sepse liria është hapësirë e secilit dhe e të gjithëve.

Mbi lirinë, edhe mbi lirinë e shprehjes si koncept esencial dhe bazament i qenies njerëzore nuk ka monopol askush, përveç qasjes e perceptimit uniformist dhe njëkahor të akëcilit të veshur me imunitet totalitar, me yll në ballë dhe pelerinë të zezë tipike për mendësinë e tejkaluar të sistemeve të perënduara. Degradimi social, etik, kulturor, human e intelektual ende e ruan si hije mendësinë e dominimit, të subordinimit apo të supraordinimit

Kishte dal mbreti dhe po sodiste ujërat e detit Jon, në plazh në një fuqi (shatmbë e madhe) dheu ishte futur Diogjeni dhe po merrte rrezet e ngrohta të diellit. Papritmas i doli një hije e madhe dhe disa hije më të vogla. Të lutem, largohu se po ma zë diellin, e unë jam këtu në hapësirën time! – i tha Diogjeni mbretit pa e ditur se ai ishte i pari i Athinës.

Secili ka të drejtë në këtë jetë të ketë hapësirën e vet, edhe të jetës, edhe të lirisë si koncept ekzistencial i qenësisë në kohë dhe hapësirë, si dy konceptet themelore filozofike të qenies njeri. Kjo qasje nuk i adresohet as referohet askujt individualisht, pasi po krijohen keqkuptime. Kjo trajtesë është thjesht një perceptim dhe një refleksion sociologjik ndaj hapësirës së lirisë, dinjitetit dhe ekzistencës së njeriut, degradimit shumëdimensional që ka prekur secilin nga ne.

Ky reflektim mëton të ngritë shqetësimin mbi degradimin social në shoqëri – muaj më herët kishim një vrasje të drejtorit nga një mësues në Prishtinë, një rrahje të publikuar në një shkollë të Gjilanit, në një klinikë në SHBA një infermier mbyti për shkaqe xhelozie infermieren, kolegen e punës, vetëm pse ajo ishte graduar për punë të suksesshme, vitin e shkuar, dhe një rast i ri ku në një shkollë amerikane një i ri vrau 27 veta, prej tyre 20 nxënës. E, në shkollat tona jo rrallë ka përleshje e konflikte, në xhepa e çanta armë të ftohta e të nxehta, në rrugë lypsarë e narkomanë, vjedhës e batakçinj, edhe shumë fenomene të tjera devijante e degraduese…

1.

Hapësira e lirisë, e qenësisë, e mendimit dhe e shprehjes së lirë, e përkatësisë – paraqesin bazamentin e ekzistencës së qenies njerëzore. Duke qenë se njeriu, ashtu siç e përkufizoi Aristoteli, është një “Zoon politikon” – një kafshë politike, hapësira e lirisë dhe qenësisë vazhdon të cenohet e kufizohet edhe sot. Secili del e thotë unë jam mbreti, unë jam ligji, siç do bënte Luigji i XIV, pa fije turpi e për turpin e botës, pa yndyrë në sy, me shikim të çakërdisur dhe me broçkulla zbraz antilirinë, antipodin e njeriut me moral, e njeriut si qenie humane, sociale e intelektuale.

Me një qasje të pështirë, me intelektualitet të ulët ose edhe pa te, me mungesë socializimi, duke pranuar tjetrin si vlerë e jo si armik, si konkurrent të mirëfilltë dhe jo si rrezik, si relacion i tolerancës, si perceptim i realitetit dhe hapësirës komunikuese si vlerë kulturore, si rregull dhe normë shoqërore, etike e njerëzore. Mbi këto premisa dëshmohet intelektualiteti dhe jo konfliktualiteti i konstruktuar si paranojë e improvizuar, si paragjykim inekzistent.

Në këtë realitet bastard është iluzore të presësh sinqeritet, moral, besë, ndershmëri, korrektësi, ama çoroditja dhe mohimi skizofren i tjetrit prodhon frustrim dhe akumulim të energjisë negative që nga debati verbal i ndezur mund të shndërrohet në duel të shkallmimit fizik. Dimensioni i dhunës verbale jo rrallë ka përfunduar me dhunë fizike, sepse njeriu ka në pjesën e pavetëdijshme të trurit të tij, siç e ka analizuar Sigmund Frojdi në teorinë dhe metodën e psikanalizës, edhe atë anën e errët që percepton vetëm zi, keq, dhe motivi vetafirmues dhe vetafiliativ kthehet në motiv biologjik – shtazarak në eliminimin apo mënjanimin e tjetrit, që konsiderohet si pengues apo kufizues në rrugën e tij vetafirmuese, dominuese deri te instikti luftarak.

2.

Prandaj, pse aq shumë është e pranishme ana e errët e mendjes. Kur takohen dy vetë flasin për të tretin, të katërtin, objekt diskutimi bëhet ai që nuk është aty, ku secili del i keq, i pa vlerë, deri te konstruksionet primitive se si duhet njollosur, etiketuar, izoluar, gjithmonë me përgojime si nivel intelektual, e që në fakt nuk përbëjnë veçse një tufë pseudointelektuale.

Denigrimi shtrihet deri në limitet e kanibalizmit verbal, dhe shndërrohet në normë të diskutimit e debatit, bosht i komunikimit, prore infantil, sepse bëhet nga niveli infantil (gjendje fëmijërore, e ngecur, e pazhvilluar, me karakteristika patologjike…). Këtu situata frustruese dhe emocionale krijohen nga kufizimet dhe ndalimet e rrethit social, nga mungesa e socializimit dhe ikja nga realiteti apo ikja nga liria, siç thotë Erih Fromi. Thjesht, secili kundër secilit, ose atë që thoshte në teorinë e kontratës shoqërore, empiristi anglez Tomas Hobsi: “Homo homini lupus est” – Njeriu për njeriun është ujk, dhe “Bellum omnium contra omnes” – Të gjithë në luftë kundër të gjithëve.

Uji Dea

Akulturimi, improvizimi, spekulimi, përgojimi, linçimi, mënjanimi sikur pretendon të kthehet në normë të sjelljes normale. Ashtu siç, tashmë, sot e këtu, antivlera është kthyer në vlerë, debati i mirëfilltë dhe i kulturuar në shantazh e fyerje, reagimi a përgënjeshtrimi në denigrim. E nëse duhet qasje analitike për të kërkuar shkaqet e një gjendjeje të tillë apatike e anemike të realitetit tonë, përgjigja të del nga mungesa e intelektualitetit, kulturës, edukatës, socializimit dhe pranimit të tjetrit si vlerë.

Kjo ndodh natyrshëm edhe për shkak të degradimit moral, human, social e intelektual të individit sot e këtu. E, intelektualiteti, që në fakt është antiintelektualitet, ka nisur të matet në fyerje, hipokrizi, meskinitet, gjithnjë të maskuar e të mbuluar me petkun dhe velon e intelektualizmit dhe primatit të rremë improvizues dhe karikatural.

E, pasqyrimi i mëtejmë dhe i thelluar analitik i kësaj gjendje infantile që ka mbërthyer individë, kategori individësh, qarqe e grupime deri te shtresa elitare mekaniciste, akademike e intelektuale e politike, shpërfaq një rrënim gradual të qenies njeri e dinjitetit të tij.

3.

Elita politike po pasurohet vazhdimisht, duke e kthyer pushtetin në biznes dhe industri përfitimi, ndërkohë që pasqyra sociale e shtresave shoqërore ka prekur pragun ekzistencial. Elita politike pasurohet nga shtresa që përditë po varfërohet, ndërsa një shtresë një shkallë pranë kategorisë skamnore – mësuesit, mjekët, shërbyesit civil të administratës së shtetit në të gjitha nivelet janë duke pasuruar bankat që janë pushtet në vete, madje shtet në shtet, duke zhvatur djersën e punëtorëve, të bujqve, të fshatarëve, të mësuesve përmes kamatave të larta dhe të papërballueshme.

Ndërkohë që varfëria dhe degradimi shumëdimensional po bashkëjetojnë duke u shtyrë e matur me kohën nga njëra ditë në tjetrën, pa perspektivë për nesër, pasnesër, elitat e pasura politike dhe ekonomiko-biznesore vazhdojnë ta trashin e shumëfishojnë pasurinë, në nivele të varfra intelektualiteti është kthyer në garë dhe rivalitet fjalësh – kush kë po e shigjeton, fyen, njollos e denigron më shumë.

Dhe kjo mënyrë komunikimi në mes të atyre që mund të dallojnë në qasje verbale ndaj një çështjeje, por jo në thelbin apo esencën e tij, nuk duhet të gërryej tutje energjinë intelektuale, e cila mundet dhe duhet të kanalizohet në korrigjimet dhe ndryshimet që duhet bërë në këtë shoqëri. Njeriu nuk mund të mbetet objekt dhe të trajtohet si numër. Ai, njeriu, është qenie e lirë për nga natyra, dhe duhet kthyer dinjitetin në jetë, në ekzistencë, në krijim vlerash. Ai po ashtu është qenie përcaktuese e vlerave dhe kundërshtuese e normave dhe sjelljeve që degradojnë atë si subjekt ekzistencial, si fizikum dhe frymë jetësore.

4.

Refuzimi është vetëpohimi i qenies dhe i qenësisë njerëzore. Refuzimi i të keqes, i dekadentes, i poshtërimit, i injorancës, i nënçmimit, jo injorimi i tjetrit, i mendimit të tjetrit, i qasjes së tjetrit, sepse liria është hapësirë e secilit dhe e të gjithëve. Mbi lirinë, edhe mbi lirinë e shprehjes si koncept esencial dhe bazament i qenies njerëzore nuk ka monopol askush, përveç qasjes e perceptimit uniformist dhe njëkahor të akëcilit të veshur me imunitet totalitar, me yll në ballë dhe pelerinë të zezë tipike për mendësinë e tejkaluar të sistemeve të perënduara.

Prandaj, edhe pushtetarët, edhe të pasurit, edhe elitarët, qofshin akademikë (e kuptuar si dije teknike), qofshin intelektualë (koncept i kuptuar si dije e përgjithshme dhe universale), qofshin politikanë dhe të tjerë mbase e dinë se liria është dimension qenësor i hapësirës ekzistenciale njerëzore, e që nuk kupton vetëm të drejtën për të folur e për të shkruar, por për të punuar dhe jetuar me dinjitet.

Hamleti i Shekspirit nuk ka vend në këtë trajtesë, sepse njeriu si qenie mund të dëshmohet e pohohet vetëm përmes ekzistencës së tij vertikale, vlerore dhe dinjitoze. Hamendësia i ndal rrugëtimin atij, i mjegullon udhën dhe i mbyll vizionin dhe perspektivën e të qenurit qenie universale që zotëron veten dhe krijon hapësirën e lirisë.

Nëse njeriun e kësaj hapësire e trajtojmë si veglat që flasin, siç thoshte Aristoteli për shtresën e skllevërve, atëherë hapësira e lirisë si koncept universal dhe dinjiteti e perspektiva është vënë në pikëpyetje, edhe funksionaliteti shoqëror. Këtu paskëtaj çdo gjë i takon kategorisë së dilemës!