UBT

Degradimi institucional i arsimit gjilanas

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli – Përkundër ndodhive mjaft dramatike dhe shqetësimeve mjaft të mëdha, të shkaktuara, për absurd, nga vetë institucionet udhëheqëse komunale, gjysmëvjetori i parë, i vitit shkollor 2012-2013, në arsimin gjilanas, sipas vlerësimit të shkollave, përfundoi me një arritje që konsiderohet sukses.

Për absurd, siç u cek që në fillim, të shkaktuara nga vetë institucionet komunale, veprimtarisë edukativo-arsimore, të gjysmëvjetorit të parë, të këtij viti shkollor (2012-2013), i paraprinë, si dhe e përcollën më tej, një varg problemesh me ndikim tejet të keq për zhvillimin e saj.

Nga ndikimet tejet negative institucionale komunale gjilanase, të cilat i paraprinë veprimtarisë edukativo-arsimore, të gjysmëvjetorit të parë, të këtij viti shkollor, do veçuar:

1. Zyrtarizimin e disa “rregullave”, për provimin pranues për konkurrentët, për punë në arsim, dhe të disa “rregullave” për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë të shkollës fillore!

Provimi pranues, për arsimtarët konkurrentë, për punë në arsim, shprehje e injorancës së thellë të institucionit udhëheqës të arsimit gjilanas, qe dukuria dhe loja më qesharake, në fushën e arsimit komunal gjilanas.

Dukuria e vendosjes dhe zbatimit të “rregullave”, për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë të shkollës fillore, përveç injorancës së institucioneve të arsimit gjilanas dhe dukurisë së kundërvënies së kërkesave të shkollës bashkëkohore, paraqet edhe ndodhinë më tragjike, në fushën e arsimit gjilanas, pasi e tërë pesha e injorancës dhe e vrazhdësisë së institucioneve komunale të arsimit, ra mbi shkollarët më të rinj, mbi fëmijët e moshës për regjistrim në klasën e parë të shkollës fillore, të cilëve iu mohua e drejta e pamohueshme që të vijojnë mësimet te mësuesi-ja dhe në klasën e caktuar, u dëbuan fizikisht nga shkolla dhe iu mbyllën dyert e shkollës edhe me polici provat shtetërore.

Pas këtij akti barbar të paparë, ndaj nxënësve të klasës së parë të fillores, disa nga nxënësit fatkeq mbetën të vazhdojnë mësimet të strukur nëpër shkolla, si nxënës ilegalë, disa mbetën në shtëpi, kurse ndonjë iu kthye çerdhes së mëhershme.

Për zyrtarizimin e “rregullave”, për pranimin në punë të punëtorëve të arsimit, përmes provimit pranues, dhe për regjistrimin e nxënësve të klasës së parë të shkollës fillore, të cilat janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe me kërkesat pedagogjike të një shkolle bashkëkohore, nuk janë fajtorë të vetëm propozuesit (p. sh. DKA-ja), po edhe Kuvendi Komunal, i cili nuk i ka refuzuar, po i ka miratuar dhe, aq më keq, vazhdon edhe më tutje të mos i anulojë ato.

Nga ndikimet tejet negative institucionale komunale gjilanase, të cilat e përcollën e përshkuan veprimtarinë edukativo-arsimore, të gjysmëvjetorit të parë, të këtij viti shkollor, do veçuar:

2. Mosnjohja e politikës së regjistrimit të nxënësve në arsimin e mesëm, mosrespektimi i konkursit dhe i rregullave për pranimin e nxënësve në arsimin e mesëm dhe formimit të paraleleve dhe, nga kjo, edhe shkaktimi i kaosit e vështirësive të konsiderueshme në procesin edukativo-arsimor.

Që nga fillimi dhe, pothuajse, gjatë tërë gjysmëvjetorit të parë, të këtij viti shkollor, në arsimin e mesëm gjilanas, pati regjistrime të nxënësve në klasën e dhjetë, kalime të lira, të pakontrolluara, nga shkolla në shkollë dhe nga klasa në klasë.

Uji Dea

Pothuajse, nuk mbeti kush, nga të interesuarit, të mos regjistrohet në shkollën dhe klasën e dëshiruar. Në këtë kaos, më së keqi e pësoi gjimnazi, te i cili, pa kufizim, jashtë konkursit dhe përtej konkursit, u regjistrua kushdo, përveç atij që nuk deshti. Sepse, pikërisht në arsimin e mesëm, ku ka konkurs për regjistrim dhe dihen normat e rregullat, këtu nuk pati respektim të rregullave të konkursit, as të normave pedagogjike. Pra, nëse për fëmijët e klasës së parë, të shkollës fillore, u bënë “rregulla”, atje ku nuk u dashtën fare, në arsimin e mesëm, atje ku ka rregulla dhe ku duhet të respektohen rreptësisht ato, rregulla nuk pati, as u respektuan fare.

Kështu, u mbushën klasat përtej normës, sa nuk mund të punohet me ta. U mbushën klasat me aq nxënës, sa të mos i zërë klasa, sa të mos ketë karrige e as banka të mjaftueshme për ta.

Kështu ndodhi, sepse kështu u tha të bëhet nga Komiteti Komunal për Arsim, apo më saktësisht, sipas mjeteve të informimit, kështu u tha nga një “eksperte e arsimit” – anëtare e Komiteti për Arsim nga PDK-ja. Dhe, këtë “këshillë” të “ekspertes nga K. i Arsimit”, e përfilli DKA-ja, që në gjimnaz të regjistrohet kush të dojë, sepse ashtu po duan nxënësit!!!

3. Mungesa e krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillimin e mësimit. Nxënësve iu mungojnë karriget e bankat. Bankat dhe karriget e papërshtatshme, si ato të para 50-vjetëve, të vrasin syrin e trupin. Për të qëndruar, paksa më rehatshëm në procesin edukativo-arsimor, në klasë, nxënësit u detruan që të investojnë edhe vetë mjete të konsiderueshme materiale, përkundër trumpetimeve të pushtetit se do të krijojë kushte për një mësim bashkëkohor. Për çudi, dikush, nga ndonjë drejtori e shkollave, investimin material të nxënësve, për përmirësimin e kushteve në shkollë, e pa si diçka normale dhe të zakonshme dhe, nga kjo, edhe kërkoi që ky të jetë një shembull dhe detyrë edhe për gjithë mësimdhënësit tjerë!

4. Fshehja institucionale e vendeve të punës së arsimtarëve dhe punësimi i paligjshëm, jashtë konkursit. Ndër të tjera, vendet e lira të punës, pas lirimit të tyre, nga pensionimi i punëtorëve, institucionet arsimore të Gjilanit, nuk po i shpallin me konkurs, si vende të lira të punës, por, për interesa të tyre të ndryshme, po i zënë ato pa konkurs dhe në mënyrë të paligjshme. Në mungesë të ndjekjes ligjore, të rasteve të tilla korruptive, vendi i punës, në gjimnaz, për një arsimtar të Gjeografsë, pas pensionimit të punëtorit, është zënë dhe po mbahet në mënyrë të paligjshme nga një individ, i ardhur nga një vend tjetër i punës.

5. Trajtimi i padenjë institucional i punëtorëve të arsimit. Institucionet gjilanase, mund të thuhet, pa dyshim, se punëtorin e arsimit, jo vetëm e kanë bërë qytetarin më të parespektueshëm, po edhe rastin e veçantë për keqtrajtim. Sipas praktikës së deritashme, punëtori i arsimit, nga institucionet gjilanase, çmohet në bazë të asaj sa ai iu nënshtrohet e iu shërben interesave personale të pushtetarëve, dhe jo në bazë të punës, rregullsisë dhe arritjeve të punës së tij. Nëse akëcili punëtor i arsimit bie në kundërshtim me interesat personale të pushtetarëve gjilanas, ata nuk ngurrojnë të shfrytëzojnë të gjitha forcat institucionale për ndëshkimin e tij. Në këtë aspekt vlen të marrim si shembull rastin e drejtorit të gjimnazit, prof. Zejnullah Zejnullahut, i cili u shpall i fajshëm dhe u suspendua nga pozita e tij. Prof. Z. Zejnullahu ra viktimë e fjalës së tij të hapur, e qëndrimit të tij të hapur, kundër lojërave tregtare të pushtetit komunal. Ai u ngarkua me problemin e regjistrimit, përtej normës, të nxënësve në gjimnaz, ndonëse numri i nxënësve në gjimnaz u shtua me kërkesën e kuadrit të partisë në pushtet dhe me lejimin e DKA-së së Gjilanit. (Nëse institucionet komunale nuk do të nxisnin dhe nuk do të lejonin vetë regjistrimin e nxënësve, përtej normës, një gjë e tillë nuk do të ndodhte).
Gjendja e punëtorëve të keqtrajtuar të arsimit, nga institucionet komunale gjilanase, bëhet edhe më tragjike nga fakti se ato nuk ka institucion që i mbron. Asnjë institucion nuk i mbrojti fëmijët e keqtrajtuar edhe fizikisht, në fund të shtatorit, si nuk po i mbron tani as punëtorët e keqtrajtuar. Sepse ato institucione komunale ekzistuese janë të tëra në shërbim të mbrojtjes së interesave dhe “shkëlqimit” të pushtetarëve dhe jo të qytetarëve.

6. Politizimi i arsimit. Me të gjitha veprimet institucionale gjilanase në arsim, kemi të bëjmë me politizimin dhe partiakizimin. Kështu, që nga fillimi, që nga reklamat banale të punësimit të punëtorëve, përmes provimit pranues, të gjitha veprimet institucionale gjilanase kishin karakterin e propagandës politiko-partiake dhe joqytetëruese. Të marrim edhe shembullin tjetër, rastin e para pak ditëve, kur edhe vetëm shpërndarja e certifikatave të arsimtarëve të ciklit klasor, nga ndjekja e një seminari, ishte organizuar ashtu që pushteti t’i ndante ato certifikata! A nuk është kjo për të qeshur!?

7. Mungesa e informimit për realitetin e arsimit gjilanas. Kjo është një e keqe e madhe, sepse ngjarje shumë tronditëse dhe të meta të mëdha, në fushën e arsimit gjilanas, për qytetarin mbetën të panjohura. Në anën tjetër, informimi u përqendrua te deklarimet zyrtare për arsimin, të cilat, me karakterin e tyre propagandues e reklamues, i shërbyen maskimit dhe lustrimit të realitetit.

Informimi është sferë me ndikim tejet të rëndësishëm në jetën shoqërore, prandaj edhe më shumë rëndësi, kur është i paanshëm, objektiv, progresiv dhe human.

P.s.
Institucionet komunale të Gjilanit, lidhur me veprimtarinë edukative arsimore në komunë, nuk dinë as nuk duan të përfillin ligjshmërinë, dijet dhe kërkesat pedagogjike, as kritikën qytetare, e cila mund të ndihmojë shumë, duke qenë një këshilltare e dobishme. Në kundërshtim me një pushtet të urtë, i cili mëson nga vërejtjet dhe dijet e qytetarëve, institucionet komunale të Gjilanit duan të tregojnë vetëm forcën e pushtetit absurd dhe jo të forcës së arsyes dhe të urtisë. Pra, bëjnë të kundërtën e asaj që duhet bërë.

Një pushtet tjetër, kurdo që vjen, në radhë të parë, duhet t’i anulojë vendimet e gabuara, disa prej tyre të miratuara edhe në Kuvendin Komunal, duhet të vendosë në krye të institucioneve arsimore njerëz të arsimuar, punëtorë e mjaft të virtytshëm, të cilët, me dijen, angazhimin dhe shembullin e mirë të tyre, i kontribuojnë një zhvillimi të vërtetë të veprimtarisë edukativo-arsimore. Pasojat e politikës së tashme komunale ndaj arsimit do të jenë të mëdha, prandaj, pikërisht për këtë, çlirimi i kurdohershëm nga kthetrat e një pushteti antiarsimor e antihuman do të jetë një fitore e madhe e arsimit komunal.