RCCOLA

De Biasi u ngut

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Albert Bunjaku u është kundërpërgjigjur seriozisht deklaratave të Gianni de Biasit. Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, së fundmi është shprehur i prerë sa u përket futbollistëve kosovarë, për të cilët ka deklaruar se duhet të përcaktohen një herë e përgjithmonë nëse duan të luajnë për Shqipërinë apo për Kosovën, e jo të thonë se duan t’i zhvillojnë miqësoret me Kosovën dhe ndeshjet zyrtare me Kuqezinjtë.

Këto deklarata nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit kosovar, i cili mendon se të dyja Përfaqësueset duhet të bashkëpunojnë në mes vete, e jo të ketë kësi lloj kushtëzimesh dhe ndasish. Madje, Bunjaku do të takohet personalisht të shtunën ose të dielën me trajnerin italian, me të cilin do të flasë sy më sy rreth shumë çështjeve, përfshirë këtu edhe rastin e futbollistëve kosovarë që e përfaqësojnë Shqipërinë.

“Deklarata e De Biasit ishte paksa e ngutshme. Nëse shkojmë me kushtëzime, kjo është mjaft e rrezikshme dhe e dëmshme. Shkëmbimin e lojtarëve duhet ta shohim si një mundësi pozitive, e jo si një pengesë. Vendimet s’merrem në mënyrë kolektive, por individuale. Secili mund të zgjedh”, deklaroi Bunjaku fillimisht për “Zërin”.

Kur s’i ndal Zvicra apo Suedia, pse t’i ndalë Shqipëria?

Bunjaku mendon se Shqipëria duhet ta ndjekë rrugën e vendeve tjera, të cilat nuk i kanë penguar asnjëherë futbollistët të luajnë ndeshje miqësore për Kosovën, pasi ata më pas mund të kthehen dhe t’i përfaqësojnë sërish këto ekipe, në ndeshjet zyrtare.

Ai e përmendi rastin e Lum Rexhepit, i cili pasi të luajë për Kosovën, gjatë verës do të luajë me ekipin U-21 të Finlandës.
“Nëse Përfaqësueseve tjera si Zvicra, Finlanda, Suedia apo Norvegjia nuk iu pengon që i marrim futbollistët vetëm për ndeshje miqësore, pse duhet të jetë i veçantë rasti i Shqipërisë? Mendoj se është e rëndësishme të bëhen shkëmbime. Është mirë t’i kemi dy ekipe të forta dhe për ta arritur këtë, duhet përkrahja dhe mbështetja e njëra-tjetrës”, vijoi Bunjaku.

Eco Higjiena

“De Biasi, mos u tut”

Gianni De Biasi ka folur shpesh për futbollistët kosovarë, duke thënë se ata duhet ta ndjekin rrugën e Lorik Canës, i cili është i vendosur të luajë për Shqipërinë deri në fund të karrierës. Me këtë rast, duket se trajneri italian ka paksa frikë se mund t’i humbë futbollistët kosovarë, të cilët sigurisht e përbëjnë trungun e ekipit të tij.

“Nuk bën të frikësohet, sepse ata që frikësohen, mbesin pa lojtarë. Ne jemi për t’i ndihmuar skuadrat njëra-tjetrës, e jo të bëjmë kushtëzime. Do të takohem me De Biasin, me të cilin do ta kem një komunikim të hapur për shumë çështje. Një gjë jua siguroj: ne nuk i prekim lojtarët kosovarë të Shqipërisë, përderisa mund të luajmë vetëm miqësore. E kur të pranohemi në FIFA e UEFA, ata mund të vendosin vetë”, përfundoi Bunjaku.

Ish-ndihmëstrajneri i Kalmarit ka treguar ndër të tjera se e ka kompletuar pothuajse ekipin, por është në pritje të përgjigjes nga Arlind Ajeti i Baselit dhe Loret Sadiku i Helsingborgut.

Bunjaku nuk e ka ndërmend të ftojë shumë futbollistë, pasi e preferon një skuadër me më pak lojtarë, por të fortë.
Ai do ta publikojë listën e Përfaqësueses të hënën, në një konferencë për shtyp që do ta mbajë në Prishtinë.
Kosova do të luajë me Turqinë më 21 maj në Mitrovicë dhe me Senegalin më 25 maj në Gjenevë.