De Biasi fton 10 kosovarë

Tiranë – Dhjetë futbollistë kosovarë janë ftuar në kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjen miqësore kundër Bjellorusisë. Miqësorja me Bjellorusinë luhet më 15 nëntor në Antalya të Turqisë, ndërsa përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi, të shtunën ka publikuar listën me emrat e 22 futbollistëve të ftuar.
Kombëtarja grumbullohet të hënën në Antalya.
Për Shqipërinë kjo është ndeshja e parë pas mbylljes së kualifikimeve për botërorin “Brazili 2014”. Me këtë takim nisin përgatitjet për ciklin e ardhshëm eliminator, atë për evropianin e vitit 2016.
De Biasi prej kosovarëve ka ftuar: Etrit Berishën, Lorik Canën, Loret Sadikun, Mërgim Mavrajn, Ermir Lenjanin, Amir Abrashin, Alban Mehën, Migjen Bashën, Shkëlzen Gashin e Valdet Ramën. Mbrojtësi Loret Sadiku është në pritje të debutimit në kombëtaren e Shqipërisë. Ai më herët ka luajtur për të rinjtë e Suedisë, por vendosi të pranonte ftesën e kombëtares shqiptare. Berisha, Cana, Mavraj e Rama janë të padiskutueshëm në përbërjen bazë.
De Biasi jashtë kombëtares ka lënë portierin Samir Ujkani, mbrojtësit Armend Dallku e Debatik Curri, mesfushorin Vullnet Basha e sulmuesit Agon Mehmeti, Ahmed Januzi e Azdren Llullaku.
Në kombëtare janë kthyer Edgar Çani e Ledjan Memushaj, ndërsa jashtë kanë mbetur edhe Hamdi Salihi, Jahmir Hyka, Jurgen Gjasula e Armando Vajushi. Ergys Kaçe nuk mori ftesë, pasi do të luajë për U-21 të Shqipërisë.
Të ftuarit për miqësoren me Bjellorusinë
Etrit Berisha (Lazio), Orges Shehi (Skënderbeu); Ansi Agolli (Qarabag), Elseid Hysaj (Empoli), Lorik Cana (Lazio), Andi Lila (PAS Giannina), Loret Sadiku (Helsingborg), Mërgim Mavraj (Greuther Fuerth), Tefik Osmani (Teuta), Ermir Lenjani (St. Gallen); Amir Abrashi (Grasshopper), Sabien Lilaj (Skenderbeu), Ledian Memushaj (Carpi), Alban Meha (Paderborn), Odise Roshi (FSV Frankfurt), Migjen Basha (Torino), Emilian Vila (PAS Giannina), Shkëlzen Gashi (Grasshopper); Edgar Çani (Carpi), Valdet Rama (Real Valladolid), Bekim Balaj (Jagiellonia), Armando Sadiku (Lugano)./koha/