Mobi Casa

De Biasi: Do të takohem personalisht me Januzaj

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes me qipriotët, Gianni De Biasi nuk ka humorin e përhershëm, që e karakterizon, megjithatë nuk u bën bisht pyetjeve të gazetarëve. Të parës që i përgjigjet është ajo për rinovimin. Këmbëngul të sqarojë shifrat financiare të publikuara në media deri tani. “Nuk do të arrija 1 milionë euro në kontratë edhe sikur të qëndroja katër vite të tjera këtu. Gjithsesi, nuk janë shifrat që më kanë udhëhequr në këtë angazhim timin në krye të kombëtares së Shqipërisë. Unë kam dëshirë të vazhdoj, ta coj përpara projektin që kam nisur dhe drejtuar deri tani. Këtë gjë e bëj edhe për skuadrën që kam në dispozicion”, – tha italiani.

Trajneri kuqezi e ka vendosur rinovimin, por në fakt mungon ende firma në kontratë, ajo që zyrtarizon zgjatjen e bashkëpunimit dypalësh. Megjithatë, kjo nuk e shqetëson De Biazin, kur thotë se edhe kjo procedurë është çështje orësh: “Do të vendoset gjithçka deri nesër në mëngjes”.

Nuk mund të mungonte në këtë konferencë për shtyp edhe një përmbledhje e eliminatoreve të fundit, që përmbysën të gjitha pritshmëritë dhe bënë që të zbresim në vendin e parafundit në grup. “Pas ndeshjeve të para, kur kishim nëntë pikë, të gjithë, edhe ju mediat, nisët të ëndërronit për diçka të madhe, shkuarjen në finalet e Botërorit të Brazilit, gjë që në fillim as e mendonit. Gjithsesi, pjesa e dytë e eliminatoreve nuk shkoi sikurse duhej, sikurse e kishim parashikuar. Gjithçka u kthye kundër nesh pas ndeshjes me Norvegjinë. Presioni i madh ndikoi negativisht. Po ashtu edhe mungesa e lojtarëve të rëndësishëm si Kukeli, Mavraj apo Bogdani ndikuan tek ecuria jonë”, – gjykon De Biasi.

ARKATANA

Në fund, edhe një koment në lidhje me Adnan Januzajn, të cilin De Biazi tha se do ta takojë personalisht. “Do të takohem me Januzaj, për të kuptuar personalisht se çfarë mendon dhe pretendon lojtari. Nëse do të luante për Shqipërinë, kjo do të ishte diçka shumë e mirë, jo vetëm për skuadrën, por edhe një sinjal i rëndësishëm për të gjithë lojtarët e tjerë shqiptarë, që duhet të zgjedhin kombëtaren e vendit të tyre amë”, shtoi trajneri kuqezi.

I pyetur në lidhje me objektivat që parasheh rinovimi i kontratës me Shqipërinë, referuar eliminatoreve të “Euro 2016”, De Biazi u shpreh se në fillim duhet të mësojë kundërshtarët në grup. Sidoqoftë, mbërritja në finalet e këtij kompeticioni, mësohet se është njëra nga kërkesat e FSHF-së, e shoqëruar edhe me bonusin përkatës financiar që do të përfitonte trajneri. Pa arritjen e këtij objektivi, kontrata e De Biazit nuk do të kishte ndryshime në terma financiarë nga kjo aktualja.