ARKATANA

Dashurinë ndaj këngës e ka të trashëguar

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Është kjo Arinda Gjoni këngëtarja e dhënë pas këngës por edhe pa modelimit. Këngën Arinda thotë se e ka të trashëguar nga familja pasi që edhe babai i saj është një muzikant i vjetër, përderisa modelimin thotë ta ketë pasion.

Arinda për të kultivuar një muzikë të mirëfilltë dhe që të bëhet një profesioniste në këngë thotë se ka studiuar në këtë fushë. Disa vjet me radhë ajo ka vijuar mësimet për kanto në Liceun Artistik në Tiranë dhe tani së fundi ajo ka plasuar në treg këngën që mbanë titullin “Shpirti flet” në bashkëpunim me “Threedots” dhe “Entermedia”. Me të dalë kënga në treg, Arinda ka marrë kritika pozitive dhe ajo ndjehet e kënaqur me suksesin e këngës që në start. Krahas sukseseve në këngë, Arinda shpreson të ketë sukses edhe në dashuri, ajo tashmë ka gjetur djaloshin e ëndrrave të saj dhe uron që dashuria e tyre të jetë e përjetshme. Në intervistën dhënë “Zëri-t” Arinda flet më shumë për punën dhe jetën e saj.

– Nga të lindi dashuria për muzikën?
– Dashuria ime për këngën është “e trashëguar” ngase vijë nga një familje muzikantësh. Babai im është muzikant i vjetër me përvojë profesionale (profesor muzike). Mund të them që lodrat e mija të fëmijërisë kanë qenë mikrofoni, pianoja, sepse babi im është instrumentist, luan në shumë vegla muzikore dhe e quaj veten me shumë fat sepse kudo që këndoj jam e shoqëruar në instrument nga babi im. Fillimet e mija muzikore nisën në moshën 10 vjeç duke kënduar në manifestime të ndryshme muzikore që organizoheshin. Erdhi momenti që unë të ndiqja studime ku fillova dhe Liceun Artistik pikërisht për Kanto. Por nuk e lash me kaq, vazhdova studimet e larta në Universitetin e Arteve përsëri për Kanto ku jam në përfundim të saj. Po bëhen tashmë 10 vjet të plota që unë këndoj nëpër koncerte e mbrëmje të ndryshme muzikore brenda dhe jashtë vendit.

– Cila është e veçanta e të interpretuarit tënd?
– E veçanta ime është se unë i këndoj të gjitha rrymat muzikore. Mendoj që tani jam më e pjekur se kurrë profesionalisht për të ofruar më të mirën për publikun.

– Cila është ambicia juaj në fushën e këngës?
– Në radhë të parë dua të shpalos atë çfarë kam mbledhur gjithë këto vite, të jap më të mirën, pastaj të shohim çfarë ka rezervuar fati.

– Na tregoni diçka rreth projektit të fundit?
– Sapo kam plasuar këngën “Shpirti flet”, e realizuar nga “Threedots” dhe “Entermedia”. Jam shumë e lumtur që kënga po mirëpritet nga publiku. Kënga është e rrymës dance dhe shumë melodioze.

– Dita-ditës në skenën muzikore po paraqiten këngëtarë të rinj, sa ndjeheni e rrezikuar nga konkurrenca?
– Në fakt nuk e kam problem këtë pjesë, çuditërisht, mendoj se çdo njeri ka mënyrën e tij dhe çdo njeri është i veçantë në llojin e vet.

UBT

– Ke realizuar këngë për jetën tënde private?
– Jo, në fakt këngët nuk kanë lidhje me jetën time private. Nëse do bëj një të tillë do e them pa u hamendur.

– Përveç këngës, ke talent edhe për modelim, synoni të merreni edhe me këtë profesion?
– Një pyetje shumë e mirë për mua. Po, më pëlqen shumë në fakt edhe modelimi. Më pëlqen fotografia, momentet e bukura i vlerësoj shumë saqë dua ta fotografoj veten në çdo moment. Bota e fotografisë dhe e modës është pasioni im i cili është e ndërthurur me këtë të muzikës që nuk mund t’i ndaj.

– Është e dashuruar Arinda?
– Them se po.

– Çfarë të josh te një mashkull?
– Nëse tregon karakter në mënyrën e qëndrimit dhe sjelljes, normalisht paraqitja është universale që duhet të jetë vetëm për syrin.

– Çfarë do sakrifikoje për dashurinë?
Nuk di çfarë mund të sakrifikoja. Nuk e kam vënë veten në provë akoma.

– Çfarë synoni të arrini me këngën?
– Kjo është bota ime dhe synimi është që unë të kënaqem në botën time, gjithashtu edhe publiku me muzikën time. Tashmë ky është profesioni im që kam studiuar vite me radhë./zeri/