RCCOLA

Darka e gabuar e ambasadorit Dell

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Armand Shkullaku-A janë darkat e Dellit kuti me të cilin Uashingtoni gjykon e vlerëson Prishtinën? Përgjigja në këtë rast i takon vetë ambasadorit, por me siguri që intervista e tij do t’i bëjë politikanët e Kosovës që më shumë ta hapin gojën për të ngrënë se sa për të folur në prani të një diplomati amerikan

Nga sot e tutje çdo person publik duhet të bëjë kujdes nëse shkon në një takim jo formal me ambasadorin e Sheteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Intervista që ambasadori në ikje Christopher Dell i ka dhënë dje të përditshmes Kosova Sot, ka shokuar opinionin.

Jo vetëm për emrat e përmendur në këtë intervistë, por mbi të gjitha për lehtësinë me të cilën një diplomat i nivelit kaq të lartë merr nëpër gojë individë të njohur duke keqpërdorur takimet private me ta, për më tepër në shtëpinë e tij. Me këtë skandal, Dell ka krijuar një precedent të rrallë diplomatik, peshën e të cilit do ta ndjejnë për një kohë të gjatë edhe ambasadorët e tjerë që do të vinë pas tij. Precedentin që një kryediplomat amerikan mund të përdorka gjithçka, edhe takimet e bisedat jo zyrtare, për interesa të veta, të mira apo të dyshimta qofshin ato.

Dell ka nxjerrë në pazar një darkë mes tij, kryeministrit Thaçi dhe publicistit Veton Surroi si kundërpërgjigje personale për një shkrim të botuar të martën në Koha Ditore nga Enver Robelli.

Ky i fundit, ndër të tjera, e akuzonte ambasadorin amerikan se ka qenë “i përfshirë pothuaj në të gjitha veprimet e ndotura” të ndodhura tri vitet e fundit në Kosovë. Dhe si përgjigje për Robellin, të cilin e etiketon si “një nga propagandistët me pagesë të gazetës Koha Ditore”, ambasadori Dell në stilin e muhabetit të kafeneve nxjerr një rrëfim: “Më duhet t’iu them se ka të drejtë, sepse një veprim që më ka bërë të ndihem i ndotur… ka qenë kur e kam shikuar Veton Surroin të zvarritet para kryeministrit, duke e lutur të bëhet president. Dhe, kjo ka ndodhur në shtëpinë time…”. Ambasadori e vazhdon rrëfimin duke treguar se si Surroi i ka kërkuar të organizojë një darkë me Thaçin, se si ka vijuar biseda dhe se si gazeta Koha Ditore ndryshonte qëndrimin editorial në varësi të ambicieve të pronarit të saj.

Hidromorava

Dell mund të jetë nervozuar nga shkrimi i Robellit, por një kryediplomat nuk mund të reagojë në këtë mënyrë. Të shkruash si Robelli, me etiketime, akuza, agresivitet, fyerje, ku vetëm në pak radhë ambasadori amerikan cilësohet shkatërrues i demokracisë, dështim, i përfshirë në veprime të ndotura, që përdor metoda perverse, etj, nuk është shembulli më i mirë i profesionalizmit dhe i gazetarisë analitike.

Por reagimi i Christopher Dell, është padyshim shembulli i keq i sjelljes së një diplomati. Në një nivel të tillë debati, reagimi mund të kishte qenë më elegant, më shpjegues, edhe kritik ndaj gazetës, por pa përdorur biseda dhe konsiderata personale. Nëse një gazetar e bën këtë, kjo nuk do të thotë që një diplomat duhet t’i përgjigjet njëlloj pasi qëndrimet e tij, duam apo nuk duam, lexohen si qëndrime të shtetit që ai përfaqëson. Koha Ditore mund të jetë e sinqertë ose jo në qëndrimet e saj, mund të jetë objektive ose të manipulojë të vërtetën për interesa të caktuara, kjo është kosto e saj në raport me lexuesit dhe opinionin publik në Kosovë.

Veton Surroi mund të ketë ambicie për president (dhe sigurisht që i ka të gjitha cilësitë për këtë), mund ta përdorë ose jo gazetën për këtë qëllim, edhe kjo është një çështje e tij. Për sa kohë nuk ka përgjegjësi shtetërore apo pjesë në vendimarrje edhe ai gjykohet moralisht nga lexuesit dhe opinioni publik. Edhe Ramush Haradinaj mund të synojë të jetë kryeministër, partia e tij mund të punojë për diçka të tillë në mënyrë të drejtë ose jo, për këtë edhe ajo merr riskun përballë qytetarëve. Por nuk i takon një kryediplomati të japë vlerësime në një nivel të tillë, duke servirur muhabete tip- thashethem dhe duke bërë komente politike.

Veton Surroi ka treguar dje një tjetër version të kësaj ngjarje duke thënë se ka qenë ambasadori që e ka ftuar për darkë dhe po ai që ka insistuar tek kryeministri që Surroi të bëhet president pas Sejdiut. Si qëndron e vërteta, e ka ftuar Dell apo ka kërkuar takim Surroi, kush iu lut tjetrit, po Thaçi a do dëshmojë për këtë darkë të famshme? Këto pyetje nuk do të shmangen këto ditë të nxehta korriku në zyrat dhe kafenetë e Prishtinës. Por ato janë vetëm efekti anësor i rrëfimit të pazakontë të një ambasadori, pasoja më e madhe e të cilit do të jetë krijimi i një fryme pasigurie, abuzimi dhe keqpërdorimi në çdo kohë, për cilindo, që në një moment të caktuar nuk i pëlqen më kryediplomatit amerikan.

A janë darkat e Dellit kuti me të cilin Uashingtoni gjykon e vlerëson Prishtinën? Përgjigja në këtë rast i takon vetë ambasadorit, por me siguri që intervista e tij do t’i bëjë politikanët e Kosovës që më shumë ta hapin gojën për të ngrënë se sa për të folur në prani të një diplomati amerikan. Dhe të ruhen më shumë prej intervistave se sa prej kabllove të wikileaks.