Dardanapress organizon debat për sfidat në zbatimin e rregulloreve komunale në Kamenicë
Kamenicë – Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”, ka organizuar debatin me temën “Diskutimi lidhur me sfidat dhe zbatimin e Rregulloreve Komunale”, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve komunale, organizatave të shoqërisë civile dhe akterë të tjerë relevantë.
Qëllimi i debatit ishte krijimi i një platforme dialogu për të trajtuar kornizën ligjore dhe institucionale që rregullon hartimin, miratimin dhe zbatimin e rregulloreve komunale, si dhe për të diskutuar sfidat që hasen gjatë zbatimit të tyre në praktikë.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Kamenicës, Arbnore Beqiraj-Fera, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile në adresimin e çështjeve që lidhen me hartimin dhe zbatimin e rregulloreve komunale.
Sipas saj, debate të tilla ndikojnë në rritjen e transparencës institucionale, përmirësimin e politikave lokale dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin socio-ekonomik të komunës. Ajo shtoi se rekomandimet e dala nga ky debat do të shërbejnë si udhërrëfyes për institucionet komunale në proceset e ardhshme të vendimmarrjes.
Gjatë diskutimeve u prezantuan një sërë rekomandimesh, ndër të cilat u veçuan zbatimi i Planit Zhvillimor Komunal dhe dokumenteve strategjike të komunës, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, funksionalizimi i Qendrës së Bizneseve, kufizimi i ndërtimeve me materiale të rënda në zonat rurale, planifikimi dhe destinimi më efikas i tokës për të nxitur investimet, si dhe rivitalizimi i objekteve të vjetra me potencial për zhvillimin e turizmit.
Në debat morën pjesë Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Shpend Morina, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besart Kryeziu, përfaqësues të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Zyrës së Punësimit, Zyrës Ligjore, organizatës Handikos, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” financohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe synon të nxisë dialogun, transparencën dhe hartimin e politikave që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të komunës./rajonipress/


