Dardan Gashi: Pa Ukën jemi të hendikepuar, prandaj po shkojmë në AKR

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Dardan Gashi ka konfirmuar ato që tha mbrëmë Behgjet Pacolli se ai dhe njerëzit e Listës Ibrahim Rugova do të garojnë në listën zgjedhore të AKR’së. “Përmes këtij statusi dua t’ua konfirmoj që në Zgjedhjet e ardhshme Parlamentare, unë do të jem pjesë e Listës zgjedhore të AKR-së”, shkruan Gashi në Facebook.

“Edhe përkrahës tjerë të Listës Rugova do t’i bashkangjiten kësaj liste zgjedhore”.

Më poshtë lexoni deklaratën e plotë të Dardan Gashit, Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Lista Rugova si e tillë, pa themeluesin e saj Ukë Rugova, të cilit ju pamundësua përkohësisht aktiviteti i tij politik, është hendikepuar tej-mase që të marrë pjesë si subjekt i veçantë në këto zgjedhje.

Mobi Casa

Në konsultim dhe me përkrahjen e plotë të Ukë Rugovës, kemi vendosur që kontributin tim dhe të shumë përkrahësve të tjerë ta orientojmë në këtë subjekt.

Ka shumë gjëra të cilat kanë lidhur dhe lidhin LR me AKR-në. Siç e dini ne kemi qenë edhe pjesë e grupit parlamentar të AKR-së në mandatin e sapo-përfunduar dhe bashkarisht kemi vendosur politikat në këtë Kuvend. Në anën tjetër, Behgjet Pacolli ka qenë dhe është idhtar i madh i Rugovizmit dhe mik i madh i kësaj familjeje.

Për mua si anëtar i kabinetit Qeverisës, ka qenë kënaqësi e veçantë bashkëpunimi me ministrat më të suksesshëm të kësaj Qeverie, si Mimoza, Fadili, Ibrahimi dhe Bernardi me të cilët na ka lidhur përkushtimi për punë serioze dhe mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetarëve, andaj këtë bashkëpunim të suksesshëm duam ta vazhdojmë edhe më tutje duke kërkuar bashkarisht votën e qytetarit për ta forcuar këtë lloj qeverisjeje që padyshim ka qenë risi sa i përket punës serioze dhe transparencës në Republikën e Kosovës.

Po ashtu jam i lumtur që para pak kohe edhe Naim Maloku, me të cilin na bashkon një rrugëtim i gjatë i aktiviteteve që nga themelimi i shoqatës “Migjeni” në Lubjanë në fund të viteve të 80’ta, që i është bashkuar kësaj iniciative.