Dakordimi për targat, analistët: Mjegullnaja mbi marrëveshjen u jep mundësi palëve ta interpretojnë siç u konvenon atyre

/ 7 minuta lexim

Dakordimi për targat, që u bë më 23.11.2022 në takimin trepalësh mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel, ende mbetet i paqartë pasi detajet e marrëveshjes nuk janë publikuar.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ndër të metat kryesore të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, mbetet fakti se këto marrëveshje nuk publikohen në tërësi.

Sipas tij, për qytetarët publikohen vetëm pikat kryesore të asaj që janë pajtuar palët, duke iu dhënë mundësi palëve t’i interpretojnë sipas favorit të tyre.

“Padyshim se lajmi më i mirë që ka ndodhur javën e kaluar në Bruksel, ishte Marrëveshja për targat dhe tejkalimi i ndonjë eskalimi të situatës në veriun e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, një ndër të metat kryesore të marrëveshjeve të arritura në Bruksel mbetet fakti se këto marrëveshje nuk publikohen në tërësi, por publikohen vetëm pikat kryesore të asaj se me çka janë pajtuar palët, duke iu dhënë mundësi të dy palëve që këto marrëveshje t’i interpretojnë vetëm pjesët që ata i konsiderojnë se janë në favorin e tyre”, ka thënë Miftaraj.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD)

Tutje ai tha se duke mos pasur informacionin e plotë është e pamundur për të vlerësuar në detaje marrëveshjen e arritur.

“Në këtë drejtim, duke mos pasur informacionin e plotë është pothuajse e pamundur për të vlerësuar në detaje marrëveshjen e arritur. Sikurse, përvoja na ka mësuar, se publiku në Kosovë nuk duhet marr asnjëherë si të mirëqena deklaratat e palës serbe, pasi të njëjtit dialogun me Kosovën e trajtojnë si propagandë dhe i servojnë publikut të tyre informacione të cilat shumicën e kohës nuk përkojnë me realitetin”.

“E, kur kësaj i shtohet fakti, se partia në pushtet në Serbi kontrollon mediat, dhe ka përballë një opozitë të dobët, i tejkalon këto situata me lehtësi. Përderisa, në Kosovë qëndron e kundërta ku media dhe shoqëria civile janë më kërkuese dhe kërkojnë llogaridhënie nga pushteti. Është e rëndësishme që të kemi transparencë më të madhe lidhur me marrëveshjet që dalin nga dialogu. Në radhë të parë për të pasur informim të drejtë, por edhe për të luftuar propagandën që vjen nga Beogradi”, ka vlerësuar Miftaraj.

Ndërsa, Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, për Telegrafin u shpreh se marrëveshja për targat në vend se të shfrytëzohej për avancimin kualitativ të agjendës kosovare në dialog, ajo u shndërrua në një spektakël bizar.

“Në vend se të shfrytëzohej për avancimin kualitativ të agjendës kosovare në dialog, marrëveshja për targat u shndërrua në një spektakël bizar – krejtësisht i panevojshëm, potencialisht i rrezikshëm, populist dhe me pasoja negative për imazhin e lidershipit tonë”, tha ai.

Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik

Muhaxhiri po ashtu theksoi se në çështjen e targave u krijua një skenar dramatik i një trileri, ku siç tha ai për disa orë i la qytetarët thellësisht të brengosur për pasojat shumëdimensionale të eskalimit të mundshëm të dhunës në veri.

“Pas metodës shumë të suksesshme diplomatike e cila u aplikua nga Qeveria Kurti në periudhën gusht-shtator për çështjen e letërnjoftimeve, kur qëllimi u arrit me elegancë pas harmonizimeve me QUINT-in dhe amerikanët në veçanti, ishte pritshmëri e logjikshme që e njëjta qasje frytdhënëse të shfrytëzohej edhe për targat. Mirëpo, kësaj radhe u vetëvendos injorimi i pragmatizmit vizionar dhe i koordinimit me aleatët, ndërsa u zgjodh skenari dramatik i një trilleri, që deri në orët e fundit i la qytetarët thellësisht të brengosur për pasojat shumëdimensionale të eskalimit të mundshëm të dhunës në veri”, vlerësoi Muhaxhiri.

RCCOLA

Ai tha se “Mosdhënia e targave të reja të asaj kategorie specifike është neutralizuar me mos-gjobitje për mbajtjen e tyre të mëtejshme – plus zotimi për fillimin e bisedimeve mbi planin franko-gjerman/euro-amerikan. Pas disa muaj insistime të vazhdueshme amerikano-evropiane për këtë plan, është i pakuptueshëm tentimi qeveritar që ky fakt evident të ambalazhohet si një iniciativë fundamentalisht katalizatore nga ana e saj. Çdo interpretim dëshiror dhe jorealist për imponimin e supozuar të ndryshimeve thelbësore orientuese në dialog me anë të këtij stili politik është i destinuar të dështojë”.

Në situata të tilla siç vlerësoi Muhaxhiri, secili vendim ka pasoja sistemore me “domino efekt”, “gjë që e bën të papranueshëm yryshin e cilësdo anë që dëshiron t’i kapërcejë nga disa shkallë përnjëherë për të arritur në pikën e synuar. Pa i analizuar mirë gjerësitë e ndikimeve jetësore, politike e identitare për shtetin, qytetarët, aleatët dhe rajonin”.

Ai tutje shtoi se ndryshimet e rëndësishme në Kosovë mund të bëhen vetëm me anë të ideve, veprimeve dhe garancive të koordinuara e të negociuara në disa nivele kosovare-ndërkombëtare, të cilat gradualisht fitojnë pushtet për ta ndryshuar konkretisht peisazhin politik.

“Rrjedhimisht, çfarëdo brutalizmi politik refuzohet dhe bllokohet menjëhershëm – nga brenda dhe nga jashtë”, potencoi analisti Muhaxhiri.

E sa i përket deklaratave për marrëveshjen e arritur nga dy palët, Muhaxhiri u shpreh se mjegullnaja mbi marrëveshjen afatshkurtër nënkupton që palët detyrimisht do të kthehen sërish në tavolinën e dialogut për të negociuar një marrëveshje afatgjate.

“Dhe kjo e dëshmon më së miri gjithë kotësinë e këtij tentimi naiv dhe të pabazuar për faktorizim të këshilloji përbrenda një peisazhi jashtëzakonisht të komplikuar gjeopolitik ku gjendet Kosova”, tha ndër të tjera Muhaxhiri për Telegrafin.

Ndryshe, më 23.11.2002 përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë gjatë një takimi në Bruksel arritën marrëveshjen për çështjen e targave ilegale.

Takimi trepalësh për targat në Bruksel, mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, kishte bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Reklama

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, pati thënë ai duke shtuar se palët në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut

Ndërsa, Lista serbe kishte reaguar pas arritjes së kësaj marrëveshje duke thënë se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të funksionojnë normalisht dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund të zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit. /Telegrafi/