Daci: Zgjedhjet nuk janë opsion i mirë

Lideri i dardanëve, akademik Nexhat Daci vlerëson se situata aktuale është pasojë e obstruksioneve të PDK-së, e cila po i dikton sjelljet Flora Brovinës. Daci gjykon se zgjidhja duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës dhe se nuk ka gjykatë në asnjë vend demokratik që duhet të urdhërojë rezultatin në Kuvend. Ai vlerëson se zgjedhjet e reja nuk janë një opsion i mirë.
Daci, duke komentuar sjelljet e Flora Brovina, kryesuese e Kuvendit, tha se “asnjë deputet, në rrjedha normale , por edhe në situatën aktuale nuk do të duhej të sillej ashtu”.
“Deputetja Brovina, besoj që skenarin e shkruar e ka të atillë dhe ajo nuk po tregon ndonjë aftësi personale për vendim apo sjellje të veten dhe mendoj se është lojë teknike jo e mirë për Kuvendin, ashtu si po sillet Brovina”, tha ai.
Daci thotë se nuk ka Gjykatë në një vend demokratik, e cila mund të urdhëroj rezultatin e një Kuvendi.
“Kushtetuesja e ka thënë fjalën e vetë në kuptimin që në fund mbetet tek deputetët dhe fakti që deputetët duhet të bëjnë zgjidhje do të thotë që deputetët të shfrytëzojnë , eksplorojnë rastin që u ka dhënë kushtetuesja . Por, në qoftë se nuk i keni votat për emërimin e kryetarit të Kuvendit, nuk ka Gjykatë, nuk ka politikë, nuk ligj që mund t’ua lejoj e që thotë se mund të zgjasë një vjet kjo gjendje”, tha Daci për Botapress.
Daci beson do të ketë zgjidhje të situatës aktuale.
“Zgjedhjet nuk janë në asnjë mënyrë opsion i mirë, sepse rezultati i zgjedhjeve mund të jetë acarim i skajshëm i situatës politike dhe kjo nuk do t’i duhej Kosovës” .
Sipas Dacit, Blloku VLAN nuk ka nevojë të lëshojë apo të mos lëshoj pe.
“Ai që pretendon se është më i madhi dhe ka dalë partia më e madhe e cila e ka të drejtën e shfrytëzimit të asaj të drejte, por gjithmonë me të vetmin kusht demokratik që t’i ketë numrat dhe të bëjë zgjedhjen do të duhej të lëshoj rrugë. Kjo është përsëritja e situatës së 2001 dhe këtu duhet vullnet politik që si duket po i mungon PDK-së për arsye të veta , e unë nuk i di. Ndoshta të frikës për ardhmërinë e vetë ose të individëve të saj”, tha Daci. /Botapress/