Daci: Zgjedhje nacionale këtë vit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci, nuk e ka ndërmend që të pres deri në 2014 për zgjedhje nacionale. Ai ka kërkuar të premten që zgjedhjet nacionale të mbahen këtë vit. Daci në mbledhjen e kryesisë së LDD-së, ka thënë se reforma zgjedhore duhet të zhbllokohet dhe të mbahen zgjedhjet e reja në vend.
“LDD kërkon të zhbllokohet reforma zgjedhore dhe me ligj të reformuar në vitin 2013 të mbahen zgjedhjet nacionale. Ka shumë arsye për kërkesën e LDD-së. Kanë dal shumë të palara në këto dy vite në publik dhe është koha që Kosova të mund të ec fuqishëm përpara, që të ketë institucione tjera, një parlament tjetër. LDD i ka munguar shumë skenës politike në Kosovë dhe fuqishëm do t’i kthehet asaj në 2013”, ka thënë Daci.
Daci u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike në Kosovë që të vetëdijesohen, ngase ardhmëria shqiptare në Ballkan është në udhëkryq. “Apelojmë që subjektet politike të vetëdijesohen për momentin në të cilin zhvillohet politika edhe botërore dhe rajonale. Të harxhojmë më pak energji në grindje mes vete dhe në luftë skajshmërisht jocivilizuese dhe atë energji ta investojmë në ardhmërinë e shtetit tonë, në ardhmërinë e fëmijëve tanë”, është shprehur Daci, duke folur edhe për dialogun që po mbahet në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tash jemi në udhëkryq ngase janë duke u zhvilluar bisedat finale për Veriun që zhvillohen në Bruksel dhe për raportet reale ndërshqiptare në rajon dhe raportet me fqinjët”, ka thënë Daci. (ORAinfo)