Daci lavdëron Shefqet Krasniqin, akuzon Qeverinë për financimin e librave të Qosjes

Lideri i LDD-së akademiku Nexhat Daci, në emisionin Click në RTV 21, ka lavdëruar imamin Shefqet Krasniqi, ndërsa ka kritikuar qeverinë e Kosovës për paratë që i ka dhuruar Rexhep Qosjes për botimin e librave.
Daci i është përgjigjur edhe vërejtjes së analistit Driton Selmanj, se takimet e tij me Shefqet Krasniqin si dhe pjesëmarrja e fjalimi në një prezantim të një libri nga ky, e ka zbehë dhe e ka bërë jo të besueshëm edhe vet akademinë, pasi që Krasniqi është nën hetime nga prokuroria.
Daci e ka quajtur Krasniqin si shumë produktiv, madje ka thënë edhe se librat e tij janë të shkruara sipas të gjitha procedurave më të besueshme, edhe pse ai nuk dinë shumë mbi shkencat shoqërore.
Daci ka shtuar dhe përmes një glorifikimi të pakuptimtë, se për të është gëzim i madh që Shefqet Krasniqi është anëtarë i asociacionit botërorë të studimit të islamit.
Lideri i LDD-së ka kritikuar Qeverinë Thaçi për mjetet që i ka ndarë për të financuar botimin e librave të akademikut Rexhep Qosja.
“Kjo qeveri prej pas luftës ka ndarë më shumë mjete për një njeri, Rexhep Qosjen, se sa që ka ndarë për Akademinë e Shkencave që nga paslufta deri më tani. E kam fjalën për shkencën dhe jo për ndërtesat”, theksoi Daci.
Daci ka thënë se ky veprim është vazhdimësi e modelit që kjo qeveri e ka importuar nga Tirana, përderisa ka theksuar se ai nuk ka asgjë as kundër Rexhep Qosjes dhe veprave të tij, sepse ato nuk janë fushë e studimit të tij.