Fundamenti

COVID-19 dhe lajmet e rreme​

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Nga Agim Zogaj – Gënjeshtra si mjet i propagandës në luftë. Më shumë se tre muaj, që nga paraqitja e COVID- 19, nëpër medie, rrjete sociale nuk pushojnë së përhapuri, edhe lajme të rreme. E tërë kjo me qëllime,dhe objektiva të shumëllojshme, varësisht nga politikat redaktuese të shtëpive gazetareske, por, edhe në varësi të politikave të shteteve përkatëse. Sidoqoftë, të gjitha lajmet, informacionet e rreme, të cilat po përhapen përmes medieve, rrjeteve shoqërore, etj. kanë objektiva të caktuara, krijojnë opinion publik, opinion spekulativ, të rrejshëm! Përdorimi i këtyre praktikave, në ndonjë rast, përdoret, madje, edhe për përfitime materiale, por edhe për ngritjen e prestigjit, të medieve të caktuara. Këto forma të manipulimit të opinionit edhe me lajme të rreme dhe me tituj, “ bombastik”, sa për ta tërhequr lexuesin, klikimin, abonuesin etj. po përdoren anë e mbanë globit… Psh.: “Diçka e madhe është duke ndodhur në Itali dhe në Ballkan. Ju nuk jeni të vetëdijshëm për këtë”!

Tani më, është lajm i “harruar”, kur mediet e botës e dhanë informacionin, madje me pamje vizuale, kur një djalosh kinez dukje ecur u rrëzua dhe vdiq! Vdekja e kinezit, në rrugët e qytetit Whuan kishte ardhur si pasojë e probleme të thella, ndezje e sistemit të frymëmarrjes, mushkërive dhe, nuk ishte e vërtetë se, ishte, krejtësisht rezultat i virusit COVID – 19. Lajmi në media mori dheun dhe, sidomos ata që e panë nëpër televizione dhe rrjete shoqërore, u tmerruan! Pastaj, mediet përhapen lajmin se, virusi Kovin-19 ishte rezultat i faktit që, kinezët hanë, lloj lloj gjallesa, madje edhe minj të verbër, gjarpërinj etj. Një lajm tjetër, i rremë, ishte se, gjoja, virusi COVID – 19 u përhap nga Kina, edhe për shkaqe të dallimeve kulturologjike mes Lindjes dhe Perëndimit, jo vetëm në rastin e përdorimit të ushqimeve. Interpretimi jo objektiv, jo i saktë, por i rremë, i medieve ishte se, për shkak të mënyrave të të ushqyerit të kinezëve, virusi COVID- 19 nga shtazët u transmetua tek njeriu?! As, ky lajm, asnjëherë nuk u vërtetua. Në radhën e lajmeve të rreme, doli informacioni i cili thoshte se, virusi COVID – 19 doli nga një laborator biologjik në qytetin Whuan…? Qeveria kineze, heshti edhe lidhur me këtë lajm, ndërkohë që, doli, me kundër propagandën, sipas të cilës, burimet kineze faktojnë se, virusi COVID -19 u soll dhe u la fshehurazi në Wuhan nga një ushtar amerikan.

Psikologët amerikanë, në studimet më të reja, duke trajtuar ndikimin e lajmeve të rreme në psikologjinë e ankthit frikës, nga COVID – 19 , kanë përdorur edhe shprehjen “ info – demia “ . Me këtë shprehje, pra, “info – demia” nënkuptohet kur, në medie, në rrjetet sociale shkruhet, edhe me dezinformata për COVID-19 dhe, gjithë ato informacione, ato porosi, nxisin ngarkesa psikologjike, ankth, shqetësim ! ( Stiven Tejlor, psikolog klinik, autor i librit, Psikologjia e pandemisë).

Nga ana tjetër, derisa Trump, virusin po e quan edhe me cilësimin, “ Virusi kinez”, BE-ja po e akuzon fuqishëm Rusinë se ajo përmes medieve, rrjeteve shoqërore po përhap propagandë speciale, lajme të rreme, me qëllim të krijimit të vështirësive shtesë për BE-në në luftën kundër virusit COVID – 19. Zyrtarëte BE-së vazhdojnë ta akuzojnë Rusin se, përmes lajmeve të rreme, qëllimisht po synon të krijoj shqetësim, panik, ankth të qytetarët evropian dhe sidomos, mosbesim tek aftësia e institucioneve të BE-së për tu përballuar suksesshëm kundër virusit COVID -19. (Të kemi parasysh se Italia, e cila po përjeton këtë tragjedi, ka vërejtje të theksuara tek partnerët e saj të BE-së, dhe madje, nga 22 mars 2020, po pranon ndihmë nga Rusia…).

Kush dhe përse tha se: ”Rusia po luan me jetët e njerëzve“?

Hidromorava

Ndërkohë, në një Dokument të brendshëm të BE-së, në të cilin kanë pasur qasje, gazetarët e agjencisë “Reuter” dhe “Asoshitejd Press”, thuhet se, duke përhapur lajme të rreme, për Kovid 19, në gjuhën angleze, gjermane, frënge, spanjolle, italiane, Rusia qëllimisht po krijon opinion spekulativ,mashtrues jo objektiv tek qytetarët evropian. E tërë kjo propagandë, e realizuar përmes medieve ruse, ka për synim, krijimin e ankthit, pasigurisë, shqetësimit, frikës tek qytetarët e BE-së, Më tej konstatohet se, Rusia, po e shfrytëzon gjendjen e vështirë me COVID – 19, dhe përmes lajmeve kundërthënëse,pra, edhe të rreme po zhvillon luftë speciale, mediale kundër institucioneve të BE-së.

Në Dokumentin e BE-së, qartësohet se, mediet ruse, të afërta dhe nën ndikimin Vladimir Putinit po zhvillojnë fushatë të ashpër, të pamëshirshme mediale në pajtim me “Strategjinë e gjerë të Kremlinit i cili synon ta shkatërrojë shoqërinë evropiane”! Edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stane ka thënë se, shumica e informacioneve, lajmeve të rreme vazhdojnë të vijnë nga Rusia ose, ndryshe,mund të jenë në lidhje bashkëpunimi me shtëpitë gazetareske, të mbështetura, hapur nga Kremlini dhe Putini. Zëdhënësi, Peter Stane, madje shprehimisht ka deklaruar se:” Rusia po luan me jetët e njerëzve”! Ndërkohë që, u ka bërë thirrje qytetarëve të shteteve anëtare të BE-së që të jenë shumë të kujdesshëm, për të mos rënë pre e lajmeve të rreme dhe të fushatës mediale ruse!

Prandaj, duke pasur parasysh, dëmin që, lajmet e rreme, në këtë rrethana të luftës kundër COVID – 19,mund ta shkaktojnë, Komisioni evropian është në koordinim të vazhdueshëm me zyrtarët e Google, Twiter-it, Microsoft-it dhe rrjeteve tjera më të fuqishme shoqërore, sociale. Në Dokumentin e BE-së, i cili e mban datën 18 mars 2020, hartuar në nëntë faqe tekst, ndër të tjera thuhet se, janë regjistruar mbi 80 raste të lajmeve të rreme, spekulimeve, me përmbajtje të konspiracionit dhe të propagandës speciale, që të gjitha janë pjesë e përpjekjes ruse. Më tej, shprehimisht, në përmbajtjen e Dokumentit theksohet se, këto lajm të rreme, pra, nga mediet ruse, ndër të tjera kanë pasur për qëllim, të zmadhojnë, përhapin, akuzat iraniani ndaj SHBA-ve. Irani ( I cili është nën sanksione. A. Z ), akuzon SHBA-të, gjoja se Washingtoni zyrtar e ka shpikur qëllimisht virusin Kovid 19, si armë biologjike!

Ndërsa, në Raportin e Zyrës së BE-së për luftë kundër shpërndarjes, përhapjes së lajmeve të rreme për COVID – 19, janë veçuar raportet gazetareske, lajmet e agjencive ruse, “Sputnik”, RT “Orijental Rivju”, “Gjeopolitika” etj. Në raport theksohet se këto medie po nxisin, po përhapin lajme apokaliptistike, tmerrësisht të frikshme, gjithsesi të rreme! Ato lajme të rreme, po e kritikojnë sistemin, shoqërinë kapitaliste, sikur, kapitalizmi, korporatat e fuqishme të Perëndimit, përmes krizës me COVID -19 po synojnë ta rrisin profitin, për të pasur kontroll, monopolin e tregjeve financiare. Ndërkohë, po sipas të njëjtave medie, gjoja Rusia dhe Putini me mjaft sukses po përballen me COVID – 19. Mediet perëndimore, po shkruajnë se, lajmet e medies ruse për, vetëm 199 raste me këtë virus në Rusi, janë të rreme edhe për faktin se, Rusia nuk po i teston qytetarët e vetë.

Lufta kundër lajmeve të rreme do të vazhdojë, edhe pasi të jetë fituar beteja me Virusin COVID – 19. Lajmet e rreme, të përhapura gjithandej përmes medieve, rrjeteve sociale, tani më janë bërë metodë, mjet i krijimit të opinionit, mjet i luftës speciale të shteteve dhe kombeve, sidomos i Rusisë, për çka, BE ka të dhëna! Në thelb të gjithë këtyre përplasjeve, edhe përmes lajmeve të rreme, fshihet lufta e post modernes mes qytetërimeve, mes kulturave të ndryshme, për dhe kundër Rendit të Ri Botëror, i ngritur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Iluzioni për shtetet mbi nacionale, po vdes! Lufta e Ftohtë, mes fuqive ushtarake, financiare, botërore, po rikthehet, por, në forma dhe me metoda të reja! Qëllimi, sikur në epokën e “Perdes së Hekurt” (Winston Churchil): pozicionimi për gjeopolitikat e reja, ndarjen e sferave të interesit, tregjet financiare…!