Costa: E ardhmja e Kosovës është në BE – ndërtimi i konsensusit mes forcave politike është thelbësor

Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, pas vizitës që zhvilloi në vend me liderët shtetërorë ka thënë se Kosova është në familjen e Bashkimit Evropian.
Costa përmes një postimi në platformën X ka thënë se ndërtimi i konsensusit mes forcave politike është thelbësor.
“Takime shumë të mira me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë pasditen e sotme. Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian. Kjo gjithashtu kërkon që ju të përmbushni angazhimet tuaja dhe të forconi demokracinë tuaj. Ndërtimi i konsensusit midis forcave politike është thelbësor. Është gjithashtu jetike të shihet përparim real dhe i prekshëm në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE. Për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të mirën e kosovarëve”, ka shkruar Costa.
Ndryshe, një ditë më parë presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Costa, gjatë një konference për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur nga gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, lidhur me mundësinë e largimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Costa tha se masat janë të lidhura me nevojën për de-përshkallëzim të tensioneve në rajon, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe se shpreson që situata të stabilizohet për të mundësuar heqjen e tyre.
Ndërsa, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një njoftimi për media pas takimit të presidentit Costa me Kurtin bëri të ditur se Costa ka theksuar rëndësinë që Kosova të angazhohet seriozisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përmes një dialogu konstruktiv, si hap i domosdoshëm për të avancuar drejt integrimit evropian. /Telegrafi/