Çmimi “Diaspora 2014” për biznesin e suksesshëm të çiftit Fetahu
Fitues i çmimit “Diaspora” për këtë vit është shpallur çifti Fehmi dhe Sara Fetahu, pronarë të ndërmarrjes Fetaxid me seli në Altbüron të Kantonit të Lucernit.
Në lokalet e selisë së “Fetaxid”-it të shtunën vlonte nga njerëzit e shumtë që kishin ardhur për të nderuar shpalljen e pronarëve të kësaj ndërmarrjeje si fituesit e katërt me radhë të çmimit tashmë tradicional, të diasporës. Aty kishte njerëz të biznesit, aktivistë të mërgatës, diplomatë dhe politikanë, të gjithë miq e të njohur të Fetahajve.
Ambasadori Naim Malaj, si iniciues i këtij çmimi ka folur gjerësisht mbi Fehmi e Sara Fetahun, të lauruarit e këtij viti. Askush nuk ka mundur ta merrte me mend në kohën kur Fehmiu i ri kishte ardhur në Zvicër si punëtor i thjeshtë sezonal se një ditë ai do të vihej në krye të qindra punëtorëve. Sot, me zellin dhe ambicien e tij prej shqiptari, të shartuar me përvojën dhe njohuritë që ia ka dhënë jeta në Zvicër, Fehmiu bashkë me Sarën janë shembulli më i mirë i prosperimit dhe integrimit të familjeve shqiptare në Zvicër, ka thënë veç tjerash Malaj.
Ai ka nënvizuar se shembulli i suksesit të familjes Fetahu është udhërrëfyes edhe për shumë shqiptarë të rinj që po bëjnë gjithnjë më shumë hapa të suksesit në fushat ku punojnë, si në biznes, në sport, kulturë, politikë etj.
Një veti e veçantë, që sipas Malajt e bën të dallueshëm çiftin nga Altbüroni është humaniteti, gjegjësisht gatishmëria për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për t`u vënë në ballë të aksioneve humanitare ose të sponsorimit të kulturës, sportit etj.
Ndërsa Fehmiu dhe Sara janë prijatarë dhe të pakrahasueshëm në investimin e madh që kanë bërë në vendlindjen e Fehmiut, në Përlepnicë të Gjilanit, ka shtuar ambasadori. Atje prej disa vitesh është ngritur qendra rekreative turistike “Vali Ranch”, e cila shumë shpejt është shndërruar në një pikë ndër më të rëndësishmet të turizmit në gjithë Kosovën. Përveç parasë, çifti ka bartur në Kosovë edhe përvojën dhe ekspertizën zvicerane. Ai atje ka punësuar edhe po aq punëtorë sa ka të punësuar në Fetaxid, në Zvicër, mbi 80 sish, ka thënë Malaj.
Ndarja e këtij çmimi të jetë një moment kur në bizneset shqiptare të futet një shpirt garues
Duke marrë fjalën ambasadori i Shqipërisë në Bernë Ilir Gjoni ka shprehur konsideratën e tij për arritjet e çiftit Fetahu. Kjo, ka thënë ai, na nderon edhe ne si përfaqësues të vendit të prejardhjes dhe sidomos është për tu vlerësuar shembulli i Fetahajve për të investuar në vendlindje. Gjoni ka siguruar Fehmi e Sara Fetahun se ashtu sikurse të gjithë shqiptarët që me punën e tyre realizojnë arritje të tilla, do të gëzojnë mbështetjen e ambasadës dhe shtetit që ai përfaqëson.
Në emrin e komunës Altbüron ku ndodhet selia e Fetaxid-it, ka folur deputeti Andreas Meier. Ai, në fjalën e tij ka theksuar se çifti Fehmi dhe Sara Fetahu i bëjnë nder komunës ku jetojnë dhe punojnë. Në shumë raste ata i janë gjendur pranë, të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre kur kjo ka qenë e nevojshme, ka thënë Meier, duke iu referuar çiftit si “miqtë” e tij dhe të qytetarëve tjerë të Altbüronit.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka uruar që dhënia e këtij çmimi të jetë një moment kur në bizneset shqiptare të futet një shpirt garues dhe të dërgohet mesazhi se falë diasporës kosovare do të zhvillohet ekonomia edhe në Kosovë. “Ju jeni ambasadorët më të mirë që ka Kosova”, ka thënë Gërxhaliu, duke i quajtur të gjithë mërgimtarët si “heronjtë e Kosovës së pasluftës”.
Puna me përkushtim doemos do të çmohet
Me një fjalë përshëndetejeje është paraqitur edhe Stefan Sarkani, kryetar i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë. Ai ka përgëzuar çiftin Fetahu për çmimin që ka marrë dhe ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e tij si kryetar i odës në fjalë me z. Fetahu.
Ndërsa Fehmi Fetahu, i kapluar nga emocionet ka marrë fjalën, duke shprehur falënderimin për çmimin e ndarë.
“Ndjehem tepër i emocionuar dhe i nderuar me këtë çmim, i cili më ka ardhur si befasi. Të radhitesha me personalitete si Micheline Calmy Rey, Xherdan Shaqiri dhe Ueli Leuenberger (tre fituesit e deritashëm) është nderim që nuk e kam pritur”, ka thënë ai. Kjo do të thotë se puna dhe angazhimi që kryen njeriu vlerësohet nga dikush. Rasti im që si i ri kam ardhur para 30 vitesh në Zvicër dhe të gjitha ato investime që kam bërë në Kosovë, sot me këtë çmim është rrumbullakësuar. Është një tregues se puna që kryen me përkushtim, edhe do të çmohet”, është shprehur i bindur fituesi i çmimit “Diaspora 2014”, Fehmi Fetahu.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugë, duke veçuar këtu sigurisht bashkëshorten e tij, dhe pastaj miqtë dhe bashkëpunëtorët në Zvicër e në Kosovë.
Autore e çmimit “Diaspora” që është themeluar në vitn 2010 është arkitektja shqiptare e lindur në Bernë, Shpëtime Kamberi./Blerim Shabani/albinfo/


