Fundamenti

Çmenduria e pushtetarëve lokal vazhdon të suspendoj nga puna personelin shqiptarë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Bujanoc – Largimi i sotëm i 6 shqiptarëve nga puna dhe përgatitja për largimin e 6 të tjerëve nga Drejtoria për ndërtim do të rrënojë çfarëdo iluzioni për unitet të subjekteve shqiptare Bujanoc,njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.

Se revanshizmi politik dhe çmenduria njerëzore nuk njohin kufij, dëshmon rasti i sotëm i largimit të 6 punëtorëve shqiptarë nga puna prej drejtoria për ndërtim. Mevlud Ahmeti, Gëzim Murati, Faton Aliu, Kimete Salihi, Jeton Nexhibi dhe Hidajete Hasani, kanë marrë, sot, vendimet për përjashtim të menjëhershëm nga marrëdhënia e punës, të nënshkruar nga drejtori i kësaj ndërmarrje Agim Haliti. Gjithë kjo katrahurë është nisur me shkresën zyrtare të kryetarit të Kuvendit Hajredin Hyda, thuhet në një njoftim të Shërbimit për informim nga dega e PVD-së në Bujanoc.

Të gjashtë të përjashtuarit kanë pasur të themeluar marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar, që demaskon politikën komunale e cila më herët kishte deklaruar se “po përjashton vetëm ata punëtorë që nuk kanë vendime pune”.

Në të njëjtën ditë, gjashtë punëtorëve tjerë, Ahmet Mustafa, Kadri Abdullahi, Erkan Ajdini, Arif Hamidi, Behar Halili dhe Arton Salihu, marrëdhënia e punës në kohë të pacaktuar iu është shndërruar në marrëdhënie pune të përkohshme për 6 muaj, që nënkupton se pas gjashtë muajsh do të përjashtohen edhe këta punëtorë.

Mobi Casa

Një akt i këtillë i skizofrenisë politike ka dëmtuar rëndë balancën etnike në numrin e të punësuarve në këtë ndërmarrje në dëm të shqiptarëve.

Një politikë e këtillë që ka për qëllim të diskriminojë shqiptarët, kësaj radhe nga pushtetarët shqiptarë.

Aktet e këtilla të dëmtimit të bërthamës etnike shqiptare duke ua shkelur të drejtën e punësimit po krijojnë azilantë potencial shqiptar, sepse, rrezikimi i kafshatës së gojës për 12 familje mund të çojë në largimin e tyre nga Bujanoci.

A është kjo vetëm pjesë e skizofrenisë hakmarrëse politike të vetmes parti në pushtet, obligim nga koalicioni multietnik apo lojë e re e inskenuar nga kumbarët e Beogradit do të tregojë koha, por sido që të jetë një akt i këtillë barbar sjell pasojë edhe rrënimin e çfarëdo iluzioni për unitet të subjekteve shqiptare në këto komuna.