Fundamenti

Clinton: Vazhdimisht po punoj për Kosovën

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka ritheksuar angazhimin e saj për afirmimin e mëtejmë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës, për të cilën tha se po punon shumë dhe vazhdimisht.

Ajo i ka bërë këto komente në kolegjin Wellesley në Boston, në hapjen e konferencës dyjavore “Gratë në Institutin e Shërbimit Publik”, në përgjigje të një pyetje të një pjesëmarrëse nga Kosova.

Clinton ka shfaqur bindjen dhe shpresën se do të rritet edhe më tej shifra prej, siç tha ‘89 vendeve, që deri tash e kanë njohur Kosovën.

“Është një fushë e një shqetësimi të pambaruar për ne çështja midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Clinton, për të përkujtuar pjesëmarrësit se shpërbërja e Jugosllavisë çoi në një spastrim të tmerrshëm etnik në Kosovë, ku shqiptarët u futën në trena dhe u dëbuan nga vendi.

Fundamenti

“Ishte një gjë e tmerrshme. Shtetet e Bashkuara bashkë me vende të tjera ndërmorën veprim për ta ndalur këtë,” theksoi Clinton, në përvjetorin e 13-të të hyrjes triumfale të NATO-së në Kosovë, pas bombardimit 78 ditësh mbi forcat serbe, transmeton RTK.

Clinton deklaroi se duhet të njihen kufijtë (reciprok), ndërsa serbët që jetojnë brenda Kosovës duhet të mësojnë të jetojnë bashkë me shqiptarët.

“Kjo është një nga çështjet më të vështira me të cilën ndeshemi, si t’i bindim njerëzit e besimeve të ndryshme, racave, etnive, apo edhe fiseve që të bashkëjetojnë në paqe me njëri-tjetrin”, deklaroi Clinton në kolegjin ku edhe vetë kishte diplomuar 43 vjet më parë. /Telegrafi/