Cleverly: Krasniqi s’ka luftuar me një boksier si unë

Londër – Boksieri uellsian Nathan Cleverly vlerëson lart kosovarin Haxhi Krasniqi, por insiston se do të vazhdojë rrugën e pamposhtur edhe pas këtij meçi, përcjell të martën BBC. Cleverly 25-vjeçar, ende nuk di për humbje në boksin profesionist, ka 25 fitore (12 KO) në po aq meçe të zhvilluara.
Ai me Krasniqin do të përballet më 16 mars në “Wembley Arena” të Londrës për të mbrojtur titullin e botës në versionin WBO, të kategorisë gjysmë të rëndë.
Cleverly pranon se Krasniqi do të jetë kundërshtari i tij më i fortë deri më tani, por thotë se as boksieri kosovar nuk ka boksuar kundër ndonjë boksieri më të fortë sesa është ai.
“Krasniqi është një boksier shumë i mirë. Ai i ka fituar 38 meçet e fundit, por deri më tani nuk ka luftuar me një boksier sikur unë. Po ashtu do të jetë kundërshtar i fortë edhe për mua, kështu që do të jetë një sfidë e vërtetë për të dy”, është shprehur Cleverly.
Cleverly thotë se do të jetë maksimalisht i përgatitur për Krasniqin, i cili deri më tani ka 39 fitore (15 KO) dhe dy humbje në 41 meçe të zhvilluara. Sipas Cleverlyt, ky meç do të jetë shumë atraktiv, pasi si ai ashtu edhe Krasniqi janë boksierë ofensivë.
“Krasniqi është i uritur dhe ka vetëbesim, pasi i ka nokautuar katër kundërshtarët e fundit, kështu që më duhet të jem mirë i përgatitur. Do të jetë një duel i boksierëve me stil, pasi të dy jemi luftarakë dhe sulmojmë”, u shpreh Cleverly. “Kam 12 raunde apo 36 minuta për ta ndaluar Krasniqin, pasi ky meç është shumë i rëndësishëm për të ardhmen time”.
Meçi mes Cleverlyt dhe Krasniqit është dashur të zhvillohej në muajin prill të vitit të shkuar, por qe anuluar për shkak të infeksionit virusal të boksierit uellsian.(koha)