UBT

Çka po ndodhë në AAK?

/ 3 minuta lexim

Deputetët e Grupit Parlamentar të AAK-së kanë qëndrime të kundërta lidhur me dy rezolutat rreth privatizimit. Derisa Ardian Gjini dhe Burim Ramadani kërkojnë kompromis mes dy rezolutave, deputetja Donika Kadaj-Bujupi thotë se ky nuk është qëndrim i Grupit Parlamentar.

Deputetët e AAK-së në Kuvendin e Kosovës nuk kanë qëndrim unik rreth çështjes së privatizimit, shkruan KosovaTimes.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ardian Gjini dhe deputeti Burim Ramadani kanë dalë një ditë më parë me një qëndrim të ri sa i përket ballafaqimit mes pozitës dhe opozitës lidhur me privatizimin.

Partitë opozitare, përfshirë AAK-në fillimisht kishin përkrahur një mocion të Vetëvendosjes që thërret për ndërprerje të privatizimit aktual, ndërkaq pozita, përmes një rezolute kërkon që ky proces të vazhdojë.

Eco Higjiena

Megjithëse Grupi i AAK-së e kishte nënshkruar mocionin e Vetëvendosje-s, dje zyrtarë të partisë së Ramush Haradinajt kanë dalë me një qëndrim të ri, për të cilin deputetja Donika Kadaj – Bujupi thotë se nuk është pozicion i Grupit Parlamentar të AAK-së e as i organeve të partisë.

“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, më lejoni t’ju njoftoj se qëndrimi im rreth procesit të privatizimit në Kosovë, nuk ka ndryshuar. Po ashtu, nuk qëndron fakti se ky vendimi deklarativ për të ndryshuar qëndrim është marrë në Grupin Parlamentar të AAK-së, deputetet së cilës nuk janë takuar apo konsultuar, për të marrë qëndrim ndryshe. Po ashtu, për këto deklarata nuk janë konsultuar as organet e partisë, sikur se do të duhej, konform statutit dhe rregulloreve të funksionimit të AAK-së”, ka thënë të martën deputetja Kadaj-Bujupi përmes një deklarimi publik për media.

“Andaj, e them publikisht se qëndron edhe më tutje, ajo që e kemi thënë në Parlament, se Aleanca si parti e spektrit të djathtë nuk është kundër privatizimit si koncept. Mirëpo, jemi kundër këtij lloji të privatizimit, i cili në Kosovë përveç thellimit të korrupsionit, krimit dhe humbjeve të vendeve të punës nuk ka sjellë asnjë dobi. Për më tepër, në fazën e tanishme, privatizimi i dy sektorëve më të rëndësishëm në vend, pa vendim të Kuvendit, pa strategji dhe në fazën kur në Kosovë mjedisi për bërjen e biznesit është shumë i dëmshëm, rrezikon që pa çmim minimal, i cili kurrë nuk është vendosur nga qeveria, këto ndërmarrje të Kosovës dhe të qytetarëve, të shiten për interesa të politikes dhe jo për interesa të vendit”, ka thënë ajo.