RCCOLA

Çka po doni?

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj-Për ta hequr Hashim Thaçin nga pushteti, partitë opozitare duhet lënë muhabetet kot dhe duhet bashkuar seriozisht. Por, tash për tash duket se po duan diçka tjetër.

M’u duk fort fëmijërore thirrja e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar partive opozitare, për të mos u bërë pjesë e Qeverisë. Jo se po dua ta amnistoj në këtë mënyrë qeverisjen e korruptuar dhe plot skandale të Hashim Thaçit, por se krerët e VV’së më shumë se me veprime, për t’i rrëzuar ata nga pushteti, po merren me parulla e fjalë të bukura.

Opozita kosovare asnjëherë nuk ka qenë e vendosur për të vepruar njëzëri dhe në mënyrë demokratike ta marrë pushtetin. Dhe faj për këtë jo në pak raste ka vetë Lëvizja Vetëvendosje.

Nuk mjafton që në një konferencë për media të vlerësohet se Kosova paska nevojë për një bashkim të fuqishëm opozitar, por duhet punuar që kjo të ndodh.

E iniciativat dhe veprimet e VV’së në Parlament të shumtën e rasteve nuk kanë qenë të koordinuara me partitë tjera – ndonjëherë, thjesht, për shkak të kryeneçësisë. Në raste të tjera VV nuk iu ka bashkuar iniciativave të kolegëve opozitarë. Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi ia ka dalë që të qeveris pa frikën se në një ditë të bukur qeveria e tij mund të rrëzohet nëpërmjet një mocioni të mosbesimit. Dhe i qetë mund të vazhdojë deri sa në opozitë ka parti si LDK, VV e AAK.

Subjektet politike gjithkund në botë ekzistojnë për të ardhur në pushtet dhe një gjë e tillë është plotësisht legjitime edhe në Kosovë. Varet pastaj nga vetë ato se në çfarë mënyre e realizojnë qëllimin e vet.

Tashmë kur për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thuhet të jetë pajtuar për t’iu bashkuar Thaçit në bashkëqeverisje, thirrja e VV’së ngjan me një thirrje të dëshpëruar dhe të vonuar.

Nëse AAK merr ta drejtojë Qeverinë, Thaçi synon t’ia sigurojë vetes postin e Presidentit. Mund të jetë hera e fundit që ky post ndahet nëpërmjet pazareve të tilla dhe duket se ai nuk do ta lëshojë rastin. Natyrisht, më parë duhet t’ia luajë lojën Atifete Jahjagës. Kush mund t’i garantojë atij se nëse nuk vihet në postin e presidentit, nesër s’do të mbetet në opozitë? E zgjedhja nga populli për president është e pasigurt. Kështu, Thaçi e di mirë çfarë do, por jo edhe rivalët e tij politikë.

* * *

Isa Mustafa është rehatuar në kolltukun e të parit të kryeqytetit dhe ta krijon përshtypjen se nuk është i interesuar për pushtetin qendror. Me numrin më të madh të deputetëve opozitarë në Kuvend, LDK thuajse nuk e ka treguar veten asnjëherë si lidere e opozitës. Për më tepër, ka mbetur nën hijen e veprimeve të VV’së.

RCCOLA

Nuk është kurrfarë opozitarizmi që Ismet Beqiri të dalë e të na tregojë se Qeveria e Thaçit qenka e lodhtë. As komunikatat e “grupeve të ekspertëve”. As muhabetet e tipit se a duhet Atifetja Jahjaga të thirret në emër a jo. Duhet punë në parlament, organizim e veprime konkrete.

AAK’ja e stërkequr pas shkuarjes së Ramush Haradinaj në Hagë duket se e ka gjetur gozhdën për t’u varur. Një parti e vogël, me fare pak shpresë për t’u bërë e madhe ndonjëherë, nuk ka se si ta lëshojë rastin e ofruar. Vetëm shikojeni metamorfozën e deklaratave të zyrtarëve të saj për mundësinë e qeverisjes me PDK’në dhe gjithçka ju bëhet e qartë. Dikur thoshin “kurrë me PDK”, tash “po me PDK, por jo me Thaçin kryeministër”. Allahile!

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, duke dështuar në iniciativat vetjake dhe duke refuzuar bashkëpunimin me pjesën tjetër të opozitës, mund të vazhdojë kështu gjatë, por mbase e ka kuptuar se një bllok i fortë opozitar jep shpresë se Thaçi mund të bjerë nga pushteti. Parullat dhe fjalët e bukura nuk bëjnë punë.

* * *

Më tragjikomikja në këtë mes duket AKR’ja e Behgjet Pacollit. Asnjëherë e konsideruar serioze, kjo parti që nuk ka mbetur me më shumë se tre deputetë në Parlament tash po ankohet se Hashim Thaçi po e tradhton.

I zgjedhur dhe i larguar turpshëm nga posti i Presidentit, Pacolli është shfaqur i frustruar pas paralajmërimeve për kombinatorika të reja qeverisëse. Duke mos sjellë asgjë të re në skenën politike, Pacolli me AKR’në e tij, tashmë të shfryrë si balonë, mbase e ka mësuar leksionin se t’i kesh miliardat, nuk do të thotë të bëhesh edhe politikan i mirë.

Pa islamistët e Ferid Aganit dhe ndonjë individ tjetër që aksidentalisht është gjendur në Parlament e Qeveri, AKR është një zero e madhe. Një aventurë politike e dështuar që në start, e cila në vend që t’ua ofrojë kosovarëve një mirëqenie më të mirë, siç premtonte, u ofroi veç fjalë e premtime miliardash. Një aksident politik.

Dikush do ta shpëtojë Hashim Thaçin nga, siç i numëroi VV arsyet, përgjegjësia për autonominë e Veriut, privatizimi i Trepçës dhe i PTK’së. Dikush do t’i bëhet, prapë sipas VV, patericë kësaj qeverie të korruptuar, që “është një gur tepër i rëndë në qafën e Kosovës”.

Për të shpëtuar nga këto, atëherë dikush duhet ta rrëzojë këtë qeveri. Partitë opozitare jo. Ato po duan diçka tjetër. Kallëzoni çka po doni!